Diskutimi në Kuvendin e IX të gruas intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, në organizim të fondacionit ” Nermin Vlora Falaschi”

November 26, 2010   | Intervista / Intervju

Nga Hatixhe Nelaj

“Roli dhe kontributi i gruas intelektuale shqiptare për gjatë historisë si faktor bashkëjetese në etni dhe integrimi në hapësirën evropiane” ishte tema e Kuvendit  mbarëkombëtar të Fondacionit Kulturor të gruas shqiptare “Nermin Vlora Falaschi”.

-Mbreteresha Teuta, Shote Galica, Nënë Tereza, që të gjitha janë gurë të çmuar të renditur në gjerdanin e historisë së kombit shqiptar.Ato janë femra të cilat mund të maten me cilindo hero, shkencëtar apo politicient mashkull.Me këtë konstatim nuk do të pajtohej shovensiti mashkullor, i cili insiston në superioritetin e gjinisë mashkullore ndaj asaj femerore në të gjitha fushat e jetës.  Në kulturën e sotme akoma ka individë të tillë të cilët perdorin fjalë boshe, të pakuptimta dhe argumente të kota për të treguar ‘parëndësinë e qenieve femrore’ siç e thoshte Oto Vajniger, apo siç e përsëriste në mendimet e tija filozofike, Fridrih Niçe, i cili manifestimin e dhunës në raportet me femrat e shihte si një domosdoshmëri.

Ndonëse roli i femrës edhe në ditët e sotme, në aspektin social mbetet akoma i nënshtruar, në shumë aspekte tjera ,femrat janë qeniet më aktive të njerëzimit, ushtrojnë profesione të ndryshme, janë pjesëmarrëse aktive në politikë (në proceset demokratike), si individë efikas të jetës së re kulturore.Sikur të bëhej një krahasim sipërfaqsor në mes tradicionales dhe inovatives, këto dy kundërshti do të kishin karakteristika të posaçme.  Kështu me tradicionalen do të lidheshin vlerat si: pasiviteti, stagnimi, stabiliteti, kontinuiteti, përsëritja, lidhja e fortë me të kaluarën, izolimi.  Përkundër këtij sistemi, qëndron sistemi modern i vlerave: prodhimtaria, aktiviteti, hulumtimi, noviteti, mospranimi i pandryshueshmërsë, guximi, rrezikimi, realiteti.

Duke vendosur femrën ndërmjet traditës dhe modernes në një proces të gjatë historik, menjëherë parashtrohet pyetja: sa e fortë ka qenë ajo gjatë shekujve për të fituar siguri të brendshme dhe pathyeshmëri përkundër rolit të saj të nenshtruar i cili i është imponuar në botën tradicionale?

Sa ka arritur ajo t’i tejkaloje kufinjtë e civilizimit patriarkal?  Ndonëse tejkalimi i kufinjve të vendosur nga shoqëria është konsideruar si krim, gjithmonë kanë egzistuar femra të cilat i kanë thyer këta kufinj të padukshem të cilat ua kishte imponuar koha, rrethi dhe tradita. Me vendosmërinë dhe luftën e saj për të fituar të drejtat e veta, është ndërtuar një tretman i ri civilizues i identitetit të femrës.

Falë angazhimit të saj, femra shqiptare është përfshirë në emancipimin intenziv i cili është zhvilluar dhe akoma po zhvillohet në tri shkallë:

  • 1.   emancipimi politik i grave
  • 2.   Emancipimi kulturor
  • 3.   Integrimi i gruas ne baza te barabarta ne ndertimin dhe funksionimin e sistemit te caktuar shoqeror.

Femra shqiptare të shumtën e rasteve e ka pranuar rolin e saj stereotipik dhe ka mbetur ajo që është kërkuar nga shoqëria që të jetë.

E integruar në mënyrën tradicionale të jetesës, femra shqiptare tërësisht i është përkushtuar vetëm raporteve brenda familjes së saj ku është nënkuptuar se roli i saj i vetëm është lindja e femijëve, sherbimi i mashkullit/bashkshortit dhe puna në kuzhinë apo në tokë në atë familje ku është martuar.  Ajo shumë ngadalë dhe me vështërsi ka pranuar vlerat e reja për ndryshimin e rolit te saj në raportet ndërgjinore.

Sot trajtimi i këtillë tradicional i femrës  ne shume mjedise gradualisht po tejkalohet dhe femra shqiptare duke vazhduar shkollimin e saj deri në shkallët më të larta, në numër më të madh po promovon të drejtat e saja fundamentale – e drejta për të zgjedhur partnerin e saj, e drejta për të kontrolluar shtatzaninë dhe lindjet, e drejta e lëvizjes së lirë etj.  Ky trend i emancipimit të femrës shqiptare në fakt paraqet edhe emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë.

Mirëpo, në ditët e sotme, sa u përket të drejtave të grave, në fakt, të drejtave të njeriut, nga njera anë thuhet se janë bërë hapa të mëdha përpara, gjë e cila është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh aktivitetet e rajonit për t’u integruar në Unionin Evropian dhe në NATO; por, nga ana tjetër thuhet se një numër i konsiderushëm i femrave janë të frustruara dhe psiqikisht të ngarkuara për shkak të papunësisë dhe kushteve të rënda ekonomike.

Periudha e tranzicionit, e filluar nga vitet e ’90- ta, plot krizë sociale, ndikon negativisht në fitoret tashmë të arritura mbi barazinë gjinore.  Vendet në tranzicion i ndjejnë vështërsitë e shoqërisë dhe ndikimin e tyre në jetën e përditshme, të cilat në mënyrë direkte ndikojnë në pozitën e femrës në shoqëri. Meqë varshmëria ekonomike çon drejt varshmërisë shpirtërore dhe drejt robërisë, ajo ndikon drejtpërsëdrejti në regjenerimin e traditës sipas së cilës ‘mashkulli është kujdestari dhe themeli i familjes. Femra keqpërdoret në çdo mënyrë, degradohet personaliteti i saj sepse tani asaj i ofrohen profesione ku ajo më së shumti shërben si dekor i jashtëm e jo si individ me aftësi intelektuale.  Koha e tranzicionit gjithashtu është periudhë kur zhvillohen beteja për t’u plotësuar standardet evropiane në raportet ndërnjerëzore dhe ndëretnike. Në përpjekjet e tejkalimit të traditave të ballkanizmit dhe instalimit të standardeve moderne evropiane duhet t’i jipet rëndësi e veçantë barazisë  gjinore.

Duke u gjindur në udhëkryqin e dy dimenzioneve kohore të pozites aktuale të gruas shqiptare, shtrohet pyetja se deri në cilën shkallë ajo identifikohet me këtë aktualitet, dhe deri në cilën shkallë ajo arrin ta tejkalojë pozitën të cilën asaj ia kanë imponuar paragjykimet. Rajonet e ndryshme tregojnë nivele të ndryshme të perparimit të pozitës së femrës së sotme shqiptare, forma dhe mënyra të ndryshme për t’iu kundërvëne normave të imponuara të traditës patriarkale. Dhe çdo hap në tejkalimin e traditës është hap drejt modernizimit, i cili tani, ne erën e telekomunikimit masiv ka mundësi të pakufizuar për të pasur ndikim në hapsira më të gjera gjeografike.  Çdo hap për të tejkaluar normat patriarkale është përpjekje për të ngritur lart vlerat dhe traditat e kombit për një bashëjetesë në etni dhe integrim në hapsirën evropiane. Çdo hap për të tejkaluar traditat e prapambetura është hap drejt modernizimit. E modernizimi tanimë përgjithmonë ka fshirë nga “Libri mbi gruan” fjalët  IDENTITETI I VJEDHUR.

Në mbyllje të fjalës time, duke shpresuar të kem përcjellë gjithë falenderimin tim për praninë tuaj në sallë, i uroj këtij Kuvend  punë të mbarë; folësve  të nderuara suksese; dhe të gjithëve së bashku një qëndrim të këndshëm në qytetin e bukur të Preshevës.

Autorja është në kryesi të degës së Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”

1