Kryebashkiaku Vangjush Dako i jep titullin “Qytetar Nderi” kreut të komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga

November 27, 2010   | Shoqëria / Društvo

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim një delegacion nga komuna e Ulqinit i kryesuar nga kryetari i kësaj komune Gëzim Hajdinaga. Në takimin e zhvilluar midis kryebashkiakut Dako dhe kryetarit të komunës Ulqin Hajdinaga merrnin pjesë edhe drejtuesit e shoqatës Ulqini në Durrës. Tashmë të dy palët kanë shkëmbyer disa vizita që i kanë shërbyer fillimit intensiv të bashkëpunimit midis dy qytetteve në disa fusha si kulturore, administrative etj. Kryebashkiaku Dako ka përmendur edhe lidhjet e forta midis dy qyteteve madje edhe faktin që në Durrës shumë prej ulqinakëve të vendosur në qytet janë të njohur në sajë të kontributit që kanë dhënë në fusha të ndryshme. Nga ana tjetër kryebashkiaku Dako e ka vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë në disa fusha mes këtyre dy qyteteve Durrësit dhe Ulqinit të cilat kanë si prioritet kryesor zhvillimin e turizmit. Kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga foli për lidhjet e forta që ekzistojnë mes dy qyteteve ku turizmi është fusha që i bashkon më ngushtë por edhe bashkëpunimet në fusha të tjera që do ti bashkojnë më shumë këto dy qytete. Më tej kryebashkiaku Dako ka përshëndetur edhe ansamblin artistik Ulqini që ishte pjesë e delegacionit të këtij qyteti. Në orët e pasdites ka qenë pikërisht ansambli Ulqini që ka dhënë një koncert në pallatin e kulturës Aleksandër Moisiu ku merrnin pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako e ai i Ulqinit Gëzim Hajdinaga. Ky aktivitet është ndjekur me interes nga të pranishmit që mbushnin sallën të cilët ishin qytetarë të Durrësit me prejardhje ulqinake. Në këtë aktivitet kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka dhënë kryetarit të komunës Ulqin Gëzim Hajdinaga titullin “qytetar nderi” i Durrësit me motivacionin “për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit për zhvillimin dhe përparimin e qytetit të Durrësit edhe nëpërmjet integrimit të qytetarëve durrsakë me origjinë nga qyteti i Ulqinit”. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako ka evidentuar pikërisht lidhjet e forta midis dy qyteteve dhe kontributin e ulqinakëve në Durrës ndërkohë që Hajdinaga pasi ka falenderuar kryebashkiakun Dako për këtë titull u shpreh se ky është një nderim mjaft i vecantë jo vetë për atë si kryetar komune por për të gjithë qytetin e Ulqinit gjë që dëshmon lidhjet e forta vllazërore midis dy qyteteve. Pak kohë më parë midis kryebashkiakut Dako dhe atij të Ulqinit Hajdinaga është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjelltë si dhe të shkëmbimit të përvojave të përbashkëta në dobi të dy qyteteve Durrës dhe Ulqin bazuar në Konventat Ndërkombëtare dhe Kartën e Autonomisë Lokale. Kjo marrëveshje shtrihet në fushën e administrimit publik, shkëmbimeve tregtare dhe biznesit, turizmit, arsimit, kulturës dhe trashëgimisë historike, sportit dhe rekreacionit.

Bashkia e Durrësit

1