Vazhdojnë sukseset e Klubit të karatesë Ulqini

December 2, 2010   | Sporti / Sport

Medalje e artë për Dardan Cekën në turneun mbarëkombëtar

Të shtunën, më 27 nëntor 2010, në Prishtinë u mbajt Turneu Mbarëkombëtar i Karatesë kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar.

Në këtë turne morën pjesë rreth 80 garues nga klube të karatesë nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Kosova dhe nga Mali i Zi – Ulqini.

Klubi i karatesë “Ulqini”, i cili në këtë Turne Mbarëkombëtar ishte përfaqësues i shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, u paraqit me dy garues, Kreshnik Tahirin dhe Dardan Cekën, të cilët dëshmuan nivelin e lartë të karatesë dhe cilësinë e tyre si garues të mirë. Kreshnik Tahiri në disiplinën e luftërave tregoi mjeshtri profesionale në arenë, por fatkeqësisht kësaj radhe nuk u kurorëzua me medalje. Dardan Ceka në disiplinën e katave pati një paraqitje të shkëlqyer, e cila edhe u shpërblye me medaljen e artë.

Po ashtu, të dielën, me 28 nëntor, në Podgoricë u mbajtën Kampionati i i Karatesë së Malit të Zi për kadetë dhe juniorë dhe Kupa e karatesë së Malit të Zi për seniorë të rinj, në të cilat morën pjesë 26 klube me 189 garues.

Në këtë garë Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 11 garues, të cilët patën një paraqitje të denjë e për t’u lavdëruar.

Antigona Rama u shpall nënkampione e Malit të Zi në disiplinën e katave, duke u kurorëzuar me medaljen e argjendtë, ndërsa ekipi i vajzave po ashtu në disiplinën e katave i përbërë nga Gentiana Kuqi, Antigona Rama dhe Xhemale Elezi u rendit ndër tre të parët, duke marrë medaljen e bronztë.

Sa i përket luftërave nënkampione e Malit të Zi u shpall Hantie Ibroçi, ndërsa të sukseshëm ishin edhe Radica Dashiq dhe Petar Barloviq të cilët u kurorëzuan me medalje të bronzta.

Trajnerët e Klubit të Karatesë “Ulqini” Kujtim Sukaliqi dhe Naim Duraku, si dhe drejtori i marketingut  Skender Tahiri thanë se janë të kënaqur me cilësitë që treguan garuesit e tyre në këto gara. “Uikendi i kaluar ishte mjaft i sukseshëm për garuesiit tanë. Nuk ka qenë e lehtë të organizojmë pjesëmarrjen në këto gara, sepse mundësitë financiare na kufizojnë mjaft. Urojmë që të vijnë ditë më të mira për karatenë dhe sportin në përgjithësi, sepse të rinjtë tanë e dëshmojnë çdo ditë që meritojnë një përkrahje më të madhe. Falënderojmë ata që e kuptojnë këtë dhe po na ndihmojnë e përkrahin vazhdimisht.”

Shërbimi për marrëdhënie me publikun i Klubit të Karatesë “Ulqini”