Veprat e Gjekë Gjonaj janë me vlera kombëtare dhe shkencore

December 6, 2010   | Opinione

Gazetari, publicisti dhe studiuesi, Gjekë Gjonaj deri tani ka botuar katër vepra voluminoze me mbi  një mijë faqe me vlera kombëtare dhe shkencore: Prekë cali , piramidë e kufijve të Shqipërisë, Njëmendësi shqiptare, Gjurmëve të kohës” dhe Shqipet e Maleve.  Autori i këtyre veprave, krahas  kërkimeve në fushën e medias, është përveshur edhe hulumtimeve studimore me peshë shkencore. Gjonaj tashmë nuk  është vetëm emër i njoihur në gazetarinë shqiptare, por, bazuar në vlerat e padiskutueshme të veprave  të tij, me të drejtë mund të them se është një intelektual i mirëfilltë, i cili hap shtigje të reja në fushën e historisë, gjeografisë, folklorit dhe etnografisë të shqiptarëve në Malin e Zi.  Temat  që i trajton në veprat e tij  me referenca të qëndrueshme  studimore , si: Xhubleta- mbretëreshë e veshjeve shqipotare, Veshja e Shestanit, Vitoja – sofër e madhe gjithshqiptare, Dom Simon Filipaj- njeriu që realizoi ëndrrën 2000 vjeçare të shqiptarëve, Dedë Gjo’ Luli, figure historike e Malësisë, Nëna Terezë-misionare e dashurisë, At Gjergj Fishta-figurë madhorr e kulturës shqiptare, Kulla e Curanajve-simbol i qëndresës shqiptare, Mali i Brisë-histori e dhimbshme e shqiptarëve, Në Shas ka gjurmë  parahistorike, Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë , dhe shumë studime të tjera, janë vlera që i tejkalojnë shkrimet gazetareske dhe u bashkangjiten  hulumtimeve të mirëfillta shkencore.

Gjekë Gjonaj të gjitha problemeve u qaset natyrshëm, me maturi objektive, duke mos anuar nga asnjëra pale. Ai  vazhdimisht ka shtruar realisht jetën e shqiptarëve në këto hapësira edhe në aspektin e së kaluarës së idhët historike në mënyrë të drfejtë dhe reale.  Me këtë ka dëshmuar qartë e bindshëm  se i njeh mirë rrjedhat historike të kësaj popullate. Gjonaj në shumë shkrimet e tij vë në dukje aspektin e mërgimit, kthimin e pronave, nevojën e investimeve, korrigjimin e pla-programeve shkollore,  punësimin , përfaqësimin e e shqiptarëve në isntiucionet shtetërore, kërcënimin që u bëhet shqiptarëve në  trojet e  etnike, uzurpimin e pronave nga ish-pushteti komunist, të cilat qeveria malazeze nuk po ua kthen shqiptarëve  të Ulqinit, Tuzit, etj. edhe pse   kjo është e paraparë me konventa ndërkombëtare. Gjeka, për këto padrejtësi që po u bëhen bashkëkombasve të tij, kërkon  pa frikë dhe me ngulm që  ato të eliminohen, por, siç dihet, ende nuk ka sinjale nga pushtetarët  se do të zgjidhen këto probleme jetike të shqiptëve  në këtë shtet. Është për tu çuditur  që për të tilla probleme të shqiptarëve nuk ngre zërin as Bashkësia Europiane dhe faktori ndërkombëtar, para syve të cilëve  shiten pasuritë legale të shqiptarëve dhe nuk dihet se ku shkojnë këto para.  Këto dhe probleme të tjera të shqiptarëve në Malin e Zi deri më tani askush tjetër nuk i ka trajtuar më mirë në mediat shqipe se sa Gjekë Gjonaj, i cili  nuk shkruan për tu hyrë në qejf pushtetarëve. Përkundrazi, ai me dinjitet, ndërgjegje të lartë kombëtare publikon shqetësimet, hallet dhe preokupimet e dhimshme   të shqiptarëve në Malin e Zi. Janë të pakët ata gazetarë që i pasqyrojnë kaq realisht problemet e shqiptarëve, në kohën kur  shumica e tyre janë bërë zëdhënës dhe servilë të pushtetarëve.

Gjekë Gjonaj përmes këtyre vlerave jep mesazhin që në  mesin e shqiptarëve   historikisht ka patur njerëz të ditur të cilët na kanë nderuar para botës, duke na radhitur ndër popujt më të civilizuar të Europës. Populli ynë me shekuj mbrojti identitetin, gjuhën, zakonet dhe ndërgjegjen e lartë kombëtare. Gjonaj në pjesën më të madhe të shkrimeve të tij reflekton  dinjitet dhe aftësi  intelektuale, të cilat guximshëm i vë në shërbim të preokupimeve dhe çështjes  shqiptare. Ky i ngreh problemet e popullatës së vet deri në instancat më të larta administrative shtetërore e ndërkombëtare, duke dëshmuar me argumente se në rajonet etnike shqiptare po thellohen padrejtësitë dhe dhuna, që janë  në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Gjeka guximshëm kërkon që këto probleme madhore të shqiptarëve në Malin e Zi të evitohen sipas standarteve europiane, që janë obliguese edhe për  pushtetin aktual në Malin e Zi.

Në veprat e Gjekë Gjonaj spikat ndër të tjera edhe  fati i dhimbshëm i shqiptarëve dhe  diskriminimi ekonomik i tyre. Ky realitet i hidhur në mënyrë të denjë pasqyrohet në të gjitha aspektet e jetës së kësaj popullate e cila nëpër shekuj i shpëtoi asimilimit.

Gjekë Gjonaj edhe në  fushën e intervistave shpreh njohuri të thellë  interpretuese  dhe aftësi kreative  e krahasuese. Këtë dhunti të talentit rrallëkush e posedon . Dëshmi për këtë janë edhe intervistat e tij cilësore  aq të kërkuara saqë   ka raste që ato të botohen përnjëherë në katër-pesë gazeta ditore në Malin e Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Nga materialet e botuara në katër veprat e deritashme të Gjekë Gjonaj mund të konkludoj se ato kanë vlera enciklopedike njohëse për shqiptarët në Malin e Zi.

Prof.dr. Bahri Brisku
Koha Javore