Bertina e “Big Brother”: Do të largohem nga Shqipëria

December 11, 2010   | Lajmet / Vijesti

Vetëm 64 ditë të jetuara mes kamerave mjaftuan që Bertina Mehmeti e “Big Brother 3” t’i provonte të gjitha, çfarë një njeriu i rastis në jetën e tij; dashurinë pasionante, xhelozitë e të tjerëve, bërrylat dhe mbi të gjitha të njihte vetveten. I është kthyer jetës normale, larg trysnisë psikologjike që ushtron aventuara e një “reality show”, ku shpesh konkurrentët etikohen si “kavie” eksperimentale. Në këtë intervistë Bertina tregon gjithë përjetimet e saj dhe planin për të vënë në provë dashurinë me Erion Zeqiraj. Një master në Gjermani do të jetë arsyeja për t’u larguar për pak kohë nga Shqipëria,dhe për ta jetuar lidhen e saj në largësi: Bertina, çfarë rrjedhe ka marrë jeta jote tani që nuk shfaqesh mënë sytë e publikut?

Ah, më në fund jam kthyer në ritmin e të përditshmes, pra në jetën normale që bëja para se të hyja në “Big Brother”. Aktulisht jam shefe e marketingut në një kompani sigurimesh, në rolin e menaxheres.Zgjohem herët, shkoj në punë me orar të zgjatur dhe çfarë mund të mbetet të bëj pas punës është pak kohë e lirë, që e kaloj duke shijuar një kafe me shoqërinë, dhe me raste, me Erionin. Them me raste me Erionin pasi përgjithësisht dalim fundjavave ku frekuentojmë jetën e natës, e vetmja mundësi për ne të dy kur mund të bëjmë diçka ndryshe nga ditët e tjera.

Në daljet e tua tek e “E diell” u duk sikur do fokusoheshe tek bota e televizionit. Çfarë po ndodh tani me këtë pasion?

Unë në të vërtetë nuk e kam menduar spektaklin si ambicie timen në jetë dhe as sot nuk e mendoj si pjesë e jetës sime në vazhdim. Por prapë, nëse do kisha oferta interesante, nuk do t’i refuzoja. Për t’u treguar e sinqertë nuk e kisha menduar veten time më parë në televizion, madje as më kishte shkuar ndonjëherë në mendje të isha pjesë e tij, edhe pse ashtu si padashur u bëra pjesë e atij “reality show”. Deri tani kam investuar në profesionin tim. Pas 5 vjet studimesh në një fakultet të vështirë si Inxhinieria e Mjedisit, aty do të vazhdoj të investoj më tej. Botën e spektaklit do ta shihja si opsion të dytë, edhe për faktin se më pëlqen të provoj në drejtime të ndryshme, pasi jam gjithmonë kurioze të eksploroj në jetë.

Pasi dole nga “Big Brother”, more ndonjë ofertë televizive ?


Jo, nuk mora oferta dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse u shkëputa nga televizioni. Gjithsesi, jam e mendimit kurrë mos thuaj kurrë, ashtu si padashur mund të jem diku nuk e përjashtoj mundësinë. Edhe puna që bëj momentalisht nuk është pjesë e profesionit tim, por më pëlqen dhe do të doja të vazhdoja, pasi më pëlqen të zbuloj gjëra interesante rreth biznesit, pikërisht tani kur biznesi është çelësi i suksesit të ditëve të sotme.

Përmende Erionin në fillim të kësaj interviste, si vazhdon lidhja juaj?

Lidhja jonë vazhdon në normalitetin që u ndodh të jetojnë shumë çifte në lidhjet e tyre. Takohemi, jetojmë bashkë, shpesh shumë gjëra qofshin të mira apo të këqija tashmë i ndajmë mes nesh. Në këto momente e kemi mbështetje njëri-tjetrin dhe mendoj që tashmë është një lidhje e fortë, e cila ka hedhur vërtet hapa të rëndësishme në ecurinë e saj.

Deri para pak muajsh nuk ishe prezantuar ende me prindërit e Erionit. Je takuar me ta këto kohë?

Ende jo, për arsye se kam parë se ndoshta edhe familjet tona janë të ndrojtura, kanë atë natyrën më shumë serioze se ç’duhet. Megjithatë s’e shoh si një gjë që mund të më shqetësojë, pasi duke kuptuar natyrat e njerëzve, unë i respektoj ata. Ndërsa Erioni dhe nëna ime janë takuar disa herë në Tiranë, por kanë qenë takime të rastësishme.

Po ti e ke kërkuar një takim me familjen e Erionit, do e kishe dëshiruar?

As unë nuk e kam kërkuar, pasi nuk mendoj se ka qenë e nevojshme dhe s’është se do ndryshonte ndonjë gjë në lidhjen time me Erionin. Nuk më shqetëson kjo gjë për momentin.

Meqënëse thua që lidhja me Erionin është konsoliduar, të paktën ju të dy keni bërë ndonjë plan për fejesë të afërt?

Mënyra sesi jetojmë është pak a shumë e njëjta gjë si të ishim të fejuar. Vetëm ideja që nuk kemi marrë vendimin të quhemi “të fejuar” dhe të jetojmë në të njëjtën shtëpi 24 orë ndryshon. Ndoshta tani është momenti të fokusohemi në profesionet dhe karrierën tonë. Erioni ende s’është konsoliduar në profesionin e tij në botën e televizionit, ndërsa unë kam plane të tjera për veten. Do doja të bëja realitet dëshirën për të ndjekur studimet master në degën e inxhinierisë, në një universitet jashtë shtetit, shpresoj në Gjermani.

Është dakord Erioni për këtë vendim, që ti të zhvendosesh jashtë shtetit?

Po, pse jo…

Nuk trembeni se largësia mund ta zbehë lidhjen tuaj, beson se mund të funksionojë në largësi?

Nuk e di. Është diçka që duket shumë e vështirë, por është prova më e fortë që mund të kalojë një lidhje dhe që do tregojë nëse është dashuri e vërtetë apo jo.

Mendon se lidhja juaj pas kaq muajsh ka nevojë për këtë lloj prove?

S’e besoj. Thjesht është një hap që unë duhet ta hedh në jetë dhe duhet të jemi të dy të fortë për ta kaluar.

Kur je me një njeri, e supozon si njeriun e jetës, apo thjesht i gëzohesh momentit?

Unë nga natyra ime nuk kam qenë, nuk jam dhe nuk do të jem femra që krijoj lidhje të momentit, pra të të mendoj që tani po jetoj momentin dhe kjo është e gjitha. Gjithmonë mendoj që në lidhje të jap dhe lidhja të më japë mua.

Lidhjen me Erionin sa jetëgjatë e sheh, mund të jetë ai bashkëshorti yt një ditë?

S’i dihet, edhe mund të jetë, edhe s’mund të jetë bashkëshorti im. Unë mendoj se jetës nuk i dihet në asnjë moment. Për momentin kemi një lidhje të konsoliduar, me të mirat, të këqijat, zënkat, mëritë, dashurinë.. Se çfarë mund të ndodhë, asnjëri s’mund ta parashikojë se ç’mund të ndodhë, jo vetëm në një lidhje, por dhe në jetë. Për momentin ne pretendojmë se jemi mirë dhe e konsiderojmë njëri-tjetrin pjesë të rëndësishme të jetëve tona. Tani është ende shumë herët për të menduar për martesën.

Më 26 shtator festove 25 vjetorin, ditëlindjen e parë me Erionin. Çfarë suprize të bëri ai?

Në fakt kaluam bukur nga një lokal në tjetrin dhe përfunduam në një emision të vonë televiziv, në “Ora news”. Dhurata e Erionit ishte një mace persiane Blanche, e cila më është bërë tashmë pjesë e rëndësishme, si fëmijë. Fillimisht nuk është se e dëshirova shumë se gjithë kohën në punë dhe s’do kujdesesha dot. Më duket sikur po bëj praktikën për t’u kujdesur për fëmijën tim në të ardhmen dhe mbase Erioni ma ka bërë me qëllim.

Brenda lojës në BB dukej sikur mes jush kishte më shumë zënka. Po tani çfarë dashurie është, ajo pasionante apo me logjikë?

Mendoj se në “Big Brother” ka dalë ana jonë e gabuar, sepse ne kemi kaluar shumë momente të bukura aty. Përsa i përket dashurisë, ndoshta pasionantja ka ndodhur në fillim. E kujtoj shumë mirë atë momentin e parë kur unë hyra e fundit në “BB” dhe kur Erioni më shoqëroi brenda në shtëpi. Ishte ai momenti që ai ndjeu diçka, e dallova nga sytë dhe sjellja me mua. Ndërsa nga ana ime ka qenë më shumë telepati. E ndieja që dicka do ndodhte me Erionin, diçka do më lidhte, do ishte një pjesë interesante marrëdhënia ime me të dhe ashtu ndodhi. Pasioni ka kaluar besoj. Tani jemi mes logjikës dhe realitetit, i mendojmë më thellë gjërat dhe përsëri ka hapësirë për të njohur njëri-tjetrin, si dhe anë të tjera të tipit dhe sjelljes.

Më sipër the që është herët për martesë, pse?

Është herët, sepse ne kemi ende hapa për të hedhur për të konsoliduar në jetën tonë profesionale. Jemi në të njëjtën moshë, të dy 25 vjeç dhe ndoshta për mashkullin është shumë herët. Për mua mund të jetë mosha e duhur, por e thashë që kam plane të miat për të ndjekur masterin.

Shumë çifte kur janë dhe të vëzhguar vuajnë xhelozinë e njëri-tjterit. Ju?

Jo, deri tani. Mund të jemi dhe natyra xheloze, po jo xhelozë pa arsye. Gjëja më e keqe është kur xhelozia kthehet në sëmundje, duke mos qenë tregues i dashurisë. Të jesh xheloz është diçka interesante se dëshmon dashuri, por deri tani s’i kemi dhënë shkas njëri-tjterit.

Je shprehur gjatë spektaklit se Erioni ka sjellje fëminore. Mendon të njëjtën gjë tani?

Mendoj që në përgjithësi ai është natyrë e tillë. I pëlqen të bëjë shaka. Megjithatë, tani që po njihemi mirë kam njohur dhe seriozin tek ai. Unë dhe ai jemi tipa të ndryshëm. Erioni është më i qetë, i mer gjërat më lehtë, ndërsa unë jam më e thellë në trajtimin problemeve që na dalin dhe dua të jem e prerë. Por kontrasti krijon atë pjesën e rëndësishme të tërheqjes mes nesh dhe ndaj jemi bashkë.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde pas daljes nga “Big Brother 3”? Ruan miqësi me ish-banorët?

Në jetën time ka ndryshuar thjesht ideja që të gjithë më njohin dhe është bukur. Në brendinë time si Bertinë, asgjë s’ka ndryshuar. Besoj dhe për miqtë tanë Jetmirin dhe Kikën, metë cilët vazhdojmë miqësinë e krijuar brenda shtëpisë.

Për disa ditë nis “Big Brother 4”, kishe ndonjë këshillë për konkurrentët e rinj?

Po, do u thoja që shpeshherë është e rëndësishme t’ia kalosh mirë, bukur, e të krijosh gjëra të bukura e të reja. Do u thoja që brenda shtëpisë provon një stres të madh psikologjik, ndaj duhet fuqi psikologjike për ta përballuar. Mendoj se çdokush duhet të ketë ide të qarta dhe një strategji. Mungesa e një strategjie është pengu im, megjithatë është një eksperiencë e rrallë, që edhe nëse do të më jepej mundësia sërish prapë do ta provoja.

5