Vërshim mbeturinash në Plazhin a Madh të Ulqinit

December 11, 2010   | Turizmi / Turizam

Ulqin, 11 dhjetor – Plazhi i Madh i Ulqinit, me një gjatësi prej 12 kilometrash, është vërshuar nga plehrat që i ka sjellë rritja e shtratit të lumit ndërkufitar të Bunës. Te banorët gravitues në Shtoj është rritur paniku nga përhapja e sëmundjeve ngjitëse.
Gjykuar sipas etiketave të shisheve të plastikës, ambalazhit, mbetjeve mjekësore dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, jo zyrtarisht thuhet se këto mbeturina e kanë origjinën nga Shqipëria dhe bregdeti i Malit të Zi.
Veprimtari i njohur i mjedisit, ulqinaku Xhelal Hoxhiq, kryetar i organizatës joqeveritare “Hapi i gjelbër”, tha për KosovaLive se ndotje të tilla kanë qenë dukuri e rregullt, por sivjet është rritur si rezultat i rritjes së nivelit të Bunës.
“Buna, pas rritjes së nivelit të saj, rrëmben të gjitha mbetjet buzë lumit dhe i derdh ato në Adriatik, të cilat pastaj valët e detit i shtrijnë në plazhe”, tha Xhelali.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit dhe anëtar i Shtabit të emergjencës në Ulqin, d.Gani Karamanaga tha se aktualisht nuk ekziston ndonjë gjendje alarmante, por ai porosit qytetarët që të mos i prekin plehrat përgjatë Plazhit të Madh.
Ndërmarrja e të mirave të detit, me seli në Budva, ditën e premte u ka dërguar urdhëresë qiramarrësve të plazheve në bregdetin e Ulqinit që menjëherë t’i pastrojnë ato, sepse ky obligim është i përcaktuar me kontratën e qiramarrjes së plazheve. Ata pas sezonit turistik nuk i pastrojnë më ato, dhe këtij ambienti i japin një imazh shumë të shëmtuar.
Qiramarrësit nuk janë vetëm nga Ulqini, por edhe nga Kosova, Shqipëria, madje edhe nga Rusia.

KOHA NET
http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/NDOTJAMALZI.flv