Beatrix Ramosaj: Kënga lindi bashkë me mua

December 15, 2010   | Lajmet / Vijesti

Eshtë e re, e bukur, e talentuar dhe më se e gatshme për të përballuar me sukses skenën. Beatrix Ramosaj, mbesa tjetër e këngëtares Albërie Hadërgjonaj, tregon sot në këtë intervistë për “Bluetooth” emocionet që e kanë ndjekur në këtë dalje të parë në një kompeticion të rëndësishëm muzikor, siç është “Kënga Magjike”…Çfarë na rrëfen tjetër? E zbulojmë bashkë përmes kësaj interviste…

Beatrix, përshëndetje Mirëseerdhe në “Bluetooth”!

Përshëndetje Eraldo dhe faleminderit që më ftuat!

Pyetja e parë lidhet me udhëtimin tënd në botën e muzikës. Si nisi ai?

Kam përshtypjen se ai ka nisur bashkë me jetën time, prindërit më kanë thënë që kam kënduar që bebe. Udhëtimin po e vazhdoj tani me shkollën që po ndjek, jam nxënëse në Liceun Artistik, për kanto.

Na the që aktualisht studion për kanto në “Liceun artistik”. Sa ka ndikuar tezja jote në këtë zgjedhje tënden, duke qenë se ajo është një këngëtare shumë e njohur?

Tezja ime është frymëzim shpirtëror për mua, por zgjedhja e Liceut ka qenë ndikimi i nënës sime, Antigonës dhe i imi.

Të kemi parë së fundmi si konkurrente në festivalin “Kënga Magjike”. Si ndihesh në këtë dalje tënden të parë në një kompeticion?

Shumë e lumtur dhe e emocionuar njëkohësisht. Këtë dalje ia dedikoj familjes sime, veçanërisht mamit Antigonës, që më përkrah në çdo hap dhe vëllait tim, Albanit që e dua shumë!

Cilat kanë qenë komentet e njerëzve për këngën?

Komentet kanë qenë shumë pozitive dhe ka qenë një lloj testimi dhe një surprizë e bukur që më ka inkurajuar për të vazhduar më tej…

Cilat prej këngëve konkurruese të pëlqen më shumë? Ti vetë, kë do të votoje me pikët maksimale?

Më pëlqejnë disa këngë, por më shumë nga të gjitha më pëlqen kënga e Argjentinës, e cila më duket shumë e kompletuar si nga ana e muzikës, tekstit dhe sigurisht edhe interpretimi i ngrohtë i saj.

Argjentina është gjithashtu konkurrente në këtë festival, e ndjen ndopak si rivale?

Shpresoj që të jetë gjithmonë kështu rivaliteti.

Planet e tua më të afërta në muzikë cilat janë? Ke në plan ndonjë klip së shpejti?

Mund t’ju them që gjatë kësaj periudhe po punoj shumë dhe kam disa bashkëpunime, gjithashtu edhe klipi do të dalë së shpejti, por nuk po ju them më shumë, le ta lëmë surprizë.

Si i ke marrëdhëniet me këngëtarët e tjerë? Me kë ke më shumë kontakte?

Kam krijuar kontakte me shumicën prej tyre dhe më pëlqejnë, por siç mund ta kuptoni, jam shumë e ngarkuar me shkollën dhe muzikën dhe pak kohë më mbetet, kështu qe vetëm me Argjentinën dhe Anxhelinën kam kontaktet më të afërta.

Veç muzikës kemi vënë re një pasion të madh tëndin për fotografinë, po ky si ka lindur?

Fotografia është një hobi i imi, për momentin ka vetëm foto të mijat, por në të ardhmen dua të pasqyroj të bukurën në fotot e mija dhe t’ua tregoj të tjerëve, ndoshta mund të vazhdoj edhe një kurs profesional fotografie.

Në mbyllje dua t‘ju them që “Bluetooth”-in e lexoj dhe më pëlqen shumë, suksese dhe mirupafshim.

Suksese edhe ty!

YouTube Preview Image