Luigj Shkrela në krye të Parlamentit të Ulqinit

December 15, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ulqin, 15 dhjetor – Këshilli Komunal i Partisë Demokratike të Socialistëve në Ulqin ka vendosur që kryetari tij, Luigj Shkrela, deputet i PDS dhe anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Malit të Zi, të marrë edhe kreun e Parlamentit të Ulqinit.
Shkrela këtë vendim e ka konfirmuar të mërkurën për KosovaLive, duke shtuar se për të qenë valid ky vendim, duhet pritur atë ta miratojë kryesia e PDS në Podgoricë. Zaten, pa u kryer këtë procedurë, nuk do të thirret as seanca e Kuvendit të Ulqinit.
Posti i kryetarit të Kuvendit të Ulqinit, prodhoi edhe zgjedhjet e përseritura vendore më 17 tetor, meqë pas atyre të 23 majit socialdemokratët pranuan të braktisin koalicionin me PDS edhe nuk hoqën dorë nga kreu i parlamentit vendor.
Koalicioni i liderit të Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), Ferhat Dinosha dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD) me PDS, krijuan mundësinë e shefit të PDS, Luigj Shkrela të ngritet në fronin e parlamentit të Ulqinit. Veç kësaj, ai bindi Ferhat Dinoshën që pushtetin ta ndajnë 50 me 50, ndonëse PDS ka 7, ndërsa koalicioni UDSH-PPD 10 këshilltarë.
Luigj Shkrela me partinë e tij arriti të marrë edhe dikasterin më të përfolur, atë të buxhetit dhe financave, duke përforcuar pozitën e tij më shumë se kryetari i Komunës, Gëzim Hajdinaga.
Njohësit e rrethanave politike në Ulqin dhe të interesave të Podgoricës zyratare, me ardhjen e Shkrelit në krye të Parlamentit vendor të Ulqinit, në të ardhmen do të rihapen tenderët për marrjen me qira në periudha afatgjate të ishullit Ada, Plazhit të madh, Valdanosit. Për këto resurse natyrore, jetësore për Ulqinin dhe banorët e tij, më herët kanë dështuar disa tendere.
Partitë opozitare shqiptare, Lidhja Demokratike dhe Forca e Re Demokratike këtë “valorizim” të pasurive natyrore të Ulqinit e shohin si cënim dhe “kolonizim të viseve etnike mijëvjeçare shqiptare në këtë mjedis”.

Koha Net
YouTube Preview Image

9