Alban Skenderaj tregon arsyet e humbjes

December 28, 2010   | Lajmet / Vijesti

Aurela Gaçe mori çmimin e parë në edicionin e 49-të të Festivalit të Këngës në RTSH, duke fituar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovizion”. Orakulli për Alban Skënderaj dhe Miriam Canin nuk doli i saktë. Gjithçka që u përfol para festivalit se ky duet do të ishte fituesi i tij, ra poshtë.

Një ditë pas finales së konkursit të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, këngëtari i njohur, Skënderaj duket jo pak i zhgënjyer nga vlerësimi i jurisë për të. I pyetur nga Gazeta Shqiptare, nëse një ndër arsyet pse ai nuk u shpall fitues dhe humbi shansin për të qenë përfaqësues i Shqipërisë në “Eurosong” ishte pikërisht paragjykimi që iu bë nga këngëtarja kosovare, Linda Halimi, ai përgjigjet: “Nuk është vetëm kjo arsyeja. Megjithatë, tani jam gjaknxehtë dhe kur të flas për arsyet, dua të jem i matur dhe profesionist. Sepse ne në fakt jemi profesionistë, pavarësisht se ky term këtu në Shqipëri nuk njihet. Rëndësi ka që publiku na ka suportuar jashtë mase shumë si në festival, ashtu edhe jashtë tij, në internet e në rrugë. Kjo është fitore e madhe për ne”.

Por, përveç asaj që deklaroi dje për Gazetën, në mbrëmjen finale të festivalit, në momentin kur u shpall fitues i çmimit të dytë, duke dashur t’i përgjigjet nga ajo skenë “mjegullnajës së thashethemeve”, Alban Skënderaj deklaroi: “Për ato gojët e liga, ja që ne nuk e fituam”. Situata e krijuar në skenë ishte disi e nderë, sepse në ato momente Aurela Gaçe po merrte kupën e çmimit të parë. Një ndër zërat më potentë të skenës shqiptare që do na përfaqësojë në kompeticionin europian, “ngushëlloi” kolegun e saj me fjalët: “Alban, flamurin e ngritëm në Vlorë, sido që të jetë”. Gaçe e tha këtë duke pasur parasysh faktin që si ajo e si Skënderaj janë vlonjatë, e veç kësaj, njëkohësisht janë ndër artistët më të spikatur të këngës shqiptare. E në fakt, Aurela Gaçe e tregoi sërish talentin e saj me zërin potent dhe interpretimin shpërthyes, siç di ta bëjë vetëm ajo.

Nëse shpesh kemi thënë se në “Eurosong” duhet të shkojë një këngëtar i njohur, profesionist dhe dinjitoz, këtë vit ne mund të themi se e kemi një të tillë. Gaçe u rikthye në festivalin tradicional pas 9 vitesh me “Kënga ime”, realizuar nga kompozitori i njohur, Shpëtim Saraçi, ndërkohë që teksti është shkruar nga Sokol Marsi. E kontaktuar nga Gazeta pasi u shpall fituese, ajo dukej tejet e emocionuar: “Jam e emocionuar. Detyra ime tani është që, përveçse të përfaqësoj denjësisht veten, të përfaqësoj denjësisht edhe Shqipërinë në Eurosong”. Gaçe u votua pothuajse nga të gjithë anëtarët e jurisë me pikët maksimale. Kur mori kupën, ajo u shpreh: “Unë besoj në Zot. Kur m’u ofrua kjo këngë, iu binda një ndjesie të brendshme, një fuqie më të madhe se ajo e njerëzve”. Siç u tha më lart, me çmimin e dytë u vlerësua dueti i Alban Skënderajt dhe Miriam Camit, me këngën “Ende ka shpresë”, shkruar dhe kompozuar nga vetë ata, ndërsa me çmimin e tretë u vlerësua këngëtari Saimir Braho, me këngën “Shtegtar i jetës sime”. Pas Anjeza Shahinit, Ledina Çelos, Luiz Ejllit, Frederik Ndocit, Olta Bokës, Kejsi Tolës dhe Juliana Pashës, Aurela Gaçe bëhet këngëtarja e tetë që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurovizion”. Pak ditë më parë, Esctoday.com, uebsajti më i madh i konkursit “Eurosong”, e shihte Aurelën si pretendente. Ndër të tjera, Esctoday.com shkruante se “ajo është jo vetëm një nga pjesëmarrëset më të shquara të këtij viti, por edhe një nga këngëtaret më të suksesshme në Shqipëri”.

Skënderaj

Deri pak ditë më parë, si një ndër pretendentët kryesorë për të marrë çmimin e më të mirit ishin dueti, Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. E para që foli publikisht duke akuzuar se çmimi është shitur, ishte Kosova Linda Halimi, që më tej u përjashtua nga festivali. Asokohe, Skënderaj tha për Gazetën se “gjithmonë sulmohen artistët favoritë… Ne kemi bërë vërtet një këngë të mirë, madje mendoj se kjo është kënga më e mirë që kam bërë gjatë karrierës sime, por pas këtyre deklaratave boshe kam frikë se edhe sikur të kemi këngë më të mirë, do të penalizohemi nga juria dhe publiku për këtë fakt…”. I pyetur dje për festivalin, Skënderaj tha: “Festivali është ai që është, është ai që shohim prej shumë vitesh, nuk ka risi të mëdha, nuk ka prurje të mëdha. Ne kemi qenë vjet prezantues dhe tashmë e kemi përjetuar këtë festival në të gjitha elementet e veta, si në skenë, si në prapaskenë, me të mirat e të këqijat e veta. Çdo gjë që është imazh, në këtë vend nuk është rastësisht. Tregon që ç’popull jemi si në art, si në politikë edhe në çdo gjë tjetër. Njerëzit janë të aftë t’i bëjnë vetë vlerësimet”.

Festivali

Është një ndër evenimentet më të rëndësishme të këngës në vend, jo vetëm për shkak të traditës, por edhe për arsyen se fituesi bashkë me çmimin e parë merr edhe një “biletë” drejt “Eurosong”-ut. Kjo e bën atë edhe më të lakmuar prej këngëtarëve që marrin pjesë në të duke interpretuar live. Si çdo festival, mbase në ditët në vijim do ketë debate të tjera, por ajo çfarë duhet thënë, parë nga sytë e një spektatori të thjeshtë, jo muzikant, jo skenograf, domethënë, jo artist, është se prezantimi la shumë për të dëshiruar. Ku çaloi…? Kjo u pa nga të gjithë ata që e ndoqën, pavarësisht se kush ka guximin ta thotë atë.

SHIKO FOTO GALERIN E Alban Skenderaj & Miriam Cani

YouTube Preview Image
3