Aurela Gaçe: Publiku nuk manipulohet, ai ma dha ‘OK

January 2, 2011   | Lajmet / Vijesti

Pas zhurmës që është bërë këto ditë në media nga kantautori Alban Skënderaj në lidhje me çmimin e parë të Festivalit të RTSH-së (gjithashtu pjesëmarrës në këtë edicion), përgjigjet sot për herë të parë nga Amerika, këngëtarja fituese Aurela Gaçe. Ndonëse është e rëndë për të si artiste të dëgjojë a lexojë deklarata të tilla nga kolegë, Gaçe është e lumtur që përpos jurisë edhe publiku i dha “OK” këngës së saj. Madje veç tyre, edhe kompozitorët e këngëtarët pjesëmarrës sapo kanë dëgjuar këngën e saj, e kanë uruar Aurelën për këngën pjesëmarrëse, duke dalë kështu krah gjykimit të jurisë… Kontratat e nënshkruara kohë përpara festivalit, kanë bërë që ajo të udhëtojë drejt Amerikës si pasojë e angazhimeve muzikore, ama këtë herë me një kënaqësi të lënë përgjysmë, por që është më e madhe se çdo gjë tjetër… Po çfarë na rrëfen sot artistja e njohur? E zbulojmë bashkë përmes këtij rrëfimi ekskluziv…

Aurela, sapo morët çmimin e parë në Festivalin në RTSH u larguat për në SHBA, përse gjithë ky nxitim?

Normalisht do të kisha dashur të qëndroja në Shqipëri pas gëzimit të festivalit, por unë kisha parashikuar muaj më parë që netët e Vitit të Ri do të këndoja në disa qytete. Dhe festivali, siç edhe e kam thënë ishte diçka që unë nuk e kisha planifikuar në axhendën e këtij viti. Sigurisht që ende jam e emocionuar nga festivali, nga çmimi, por edhe nga kënga e bukur që krijoi kompozitori Shpëtim Saraçi dhe teksti aq i vërtetë për mua i Sokol Marsit. Nga ana tjetër përveç emocionit kam edhe një lloj ankthi që besoj do të vazhdojë gjatë gjithë këtyre pesë muajve deri sa të vijë koha e Festivalit Evropian.

E prisnit vendin e parë në festival?

Arsyeja e parë që unë mora pjesë në festival është muzika e bukur që krijoi Shpëtimi. Në mëdyshjen time për të marrë apo jo pjesë në festival fitoi melodia e krijuar nga Shpëtimi, i cili këmbënguli fort që unë të merrja pjesë në festival. Unë nuk mund ta lija atë këngë të bukur të më ikte nga duart dhe më pas sigurisht që e dëshiroja vendin e parë, më ngacmonte dëshira për të provuar edhe veten mes të tjerë këngëtarëve nga Evropa në skenën e Eurovizionit. Nuk mund të them se nuk e pretendoja vendin e parë.

Alban Skënderaj, në intervistën e tij më të fundit për një media kosovare ka pohuar se festivali ishte i manipuluar…Cili është reagimi juaj në lidhje me këtë, Aurela?

Po ju them diçka para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kur kam marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e RTSH, me këngën “Pegaso”, isha e panjohur për të gjithë dhe kisha një ndjesi se do të hyja në finale. Kur lexohen emrat e finalistëve, del që në finale nuk isha dhe brenda pak çastesh kompjuteri nxjerr në ekran pikët dhe unë sipas llogarive korrekte isha në finale. Një tjetër rast ka qenë kur kam fituar vendin e parë të festivalit me këngën “S’jam tribu”, në fillim u tha që unë isha në vend të dytë, Zoti çoi Mevlan Shanajn të rishihte pikët dhe doli që unë isha në vend të parë. I tregova këto dy ngjarje për të thënë se unë i besoj shumë asaj intuitës sime. Para se Shpëtimi të më ofronte idenë për të bashkëpunuar, në një tavolinë mes miqsh dëgjoj që festivali do të fitohet nga Alban Skënderaj. As nuk ua vura veshin, sepse jo vetëm nuk ishte në interesin tim, por së dyti gjithmonë kur hyn në garë një këngëtar i mirë që ka marrë çmime, ai paragjykohet. Në momentin që hyra në garë, shumë njerëz më thoshin, “kot merr pjesë, çmimin do ta marrë Albani”, madje mesa di, kishin shkruar edhe gazetat për këtë gjë. E kam thënë para festivalit publikisht, që unë besoj që gjithsecili ka të veçantën e vet, sjell atë që sjell në skenë, atë emocion që ka Albani ose dikush tjetër unë nuk e kam, por edhe dikush tjetër nuk ka atë që unë kam. Kështu që në garë futemi gjithsecili me ato që i ka falur Zoti dhe nuk më tremb konkurrenca dhe i jap dorën fituesit gjithmonë nëse e meriton. Gjatë ditëve të provave kolegët por edhe kompozitorë, para se të dëgjonin këngën time, më thoshin të njëjtin thashethem për Albanin, kur dëgjuan këngën time të gjithë më takonin dhe më thoshin “ti do të fitosh”, madje kishte nga ata që më thoshin “urime në Eurovizion tani”. Unë nuk doja të ushqeja veten sepse emocionohem dhe kjo nuk të bën mirë kur je në garë e sidomos në skenë, por ama kisha një ndjesi shumë të mirë për këtë këngë, pasi impaktin e parë e kisha marrë dhe brenda vetes ndihesha mirë.

Por përveç asaj çfarë Albani ka thënë, dy ditë para finales së festivalit u tha në emisionin ‘Fiks Fare’ se ju do të ishit fituesja e festivalit…

Unë tani po e dëgjoj këtë, por nuk kanë pasur faj që e kanë thënë. Ditët e festivalit të gjithë ata që kishin dëgjuar këngën time më uronin mua dhe Shpëtimin dhe më thoshin se ti do të shkosh në Eurovizion. Reagimin pozitiv përveç atyre miqve që ua kisha treguar këngën, unë e mora para festivalit pikërisht prej kolegëve. Por pavarësisht gjithçkaje që mund të thonë e pretendojnë, unë jam shumë e lumtur për emocionin që kam marrë nga publiku. Kur dola në skenë në natën finale pati duartrokitje që ishin për mua dhe jo për këngën. Kur kam mbaruar interpretimin publiku ka duartrokitur në mënyrë masive, dhe mund të hyni në ‘Youtube’ dhe të shihni që kanë qenë duartrokitjet më të gjata. Kur anëtarët e jurisë jepnin publikisht pikët për këngëtarët, në momentin që jepnin maksimumin për mua salla duartrokiste. Kur unë kam interpretuar këngën si fituese salla ka duartrokitur gjatë kohës që unë këndoja dhe ka ndenjur deri në fund dhe vazhdonte të duartrokiste. Kjo ka qenë një lumturi më e madhe se çmimi. Duartrokitjet nuk kërkohen, jepen kur i ndjejnë! Dhe ajo që më bën mua të jem shumë e lumtur është se publiku e miratoi vendimin e jurisë.

Duke ju uruar me gjithë zemër sa më shumë suksese në Eurovizion, ju falenderoj shumë për intervistën…

Faleminderit, unë do të doja të uroja gjithë shqiptarët në këtë fundvit dhe ju premtoj se do të bëj të pamundurën që t’ju përfaqësoj denjësisht në Eurovizion!

(d.b/GSH/BalkanWeb)
YouTube Preview Image