Geti: Hip-hopi po cilësohet si muzikë për fëmijë

January 2, 2011   | Lajmet / Vijesti

Anëtari i grupit “Tingulli 3nt”, Getoar Selimi, gjatë një prononcimi për Telegrafi.com ka thënë se disa artistë ‘jo të vërtetë’ të hip-hopit kanë bërë që ky zhanër muzikor të cilësohet si muzikë për fëmijë. Dhe pikërisht si tentim për t’u treguar atyre se kush janë ‘artistë të vërtetë’, “Tingulli 3nt” ka realizuar edhe këngën “Ma I Madhi N’Ven”, të cilin titull e mban edhe albumi i fundit i grupit, dhe e cila përmes metaforave kritikon reperët shqiptarë.

“Tekstet e këngëve tona janë të përjetuara nëse jo nga afër atëherë nga lart. Unë gjithmonë e shkruaj atë që më rrethon në momente dhe kohë të caktuar. Këngën ‘Ma I Madhi N’Ven’ e kam shkruar në makinë rrugës për në Tiranë ku unë kohëve të fundit kam parë gjithçka çka nuk është dashur ta shoh, të paktën jo në një ‘artist’. Më mundon fakti që hip-hopi po cilësohet si muzikë për fëmijë dhe të njëjtën kohë më pëlqen që publiku jonë, tashmë shumica janë të rritur”, ka thënë Getoari.

“Dua të them që [kënga] nuk i dedikohet dikujt në veçanti. Secili e gjen vetën në atë këngë edhe ata që janë vërtet artistë që meritojnë e edhe ata që i prek fakti qe nuk janë të vërtetë. Por gjithmonë ekziston edhe fakti që kemi të bëjmë me njerëz që as nuk e dinë kush janë, pse janë, sa janë. Prandaj ‘nëse ti gabon ose mendon të më shfrytëzosh mua për interesa të ndryshme, e unë jam ai që ta kam hapur rrugën t’i kam thyer shumë barriera shumë vjet përpara, atëherë të tregoj unë kush është ma i madhi n’ven’”, ka pohuar Getoari.

Telegrafi
YouTube Preview Image