Hana Cakuli duet me Pirro Çakon

January 9, 2011   | Intervista / Intervju

Këngëtarja Hana Cakuli shumë shpejt do të sjellë një këngë të re. Kësaj radhe ajo ka zgjedhur që të bashkëpunojë me kantautorin Pirro Çakon. Sipas saj, kënga është pop- ritmike ndërsa pritet të shfaqet në muajt e ardhshëm.

“Nuk mund të përcaktoj kohë të saktë, sepse nuk varet e gjitha nga unë. Melodia dhe teksti janë duke u punuar nga Pirro Çako, kurse orkestrimin do t’ia realizoj te Darko Dimitrov në Maqedoni. Pastaj do t’ia punojmë edhe videoklipin dhe sapo të jetë e gatshme do ta lansojmë”, theksoi Hana Cakuli për “Zërin” duke shtuar se fabula e këngës do të jetë liria e zgjedhjes individuale.

Vitin që e lamë pas, Hana e vlerëson si të suksesshëm, kurse atë që e veçon më së shumti është të kënduarit “live” çdo javë në “Maroon pub” në Prishtinë. “Për mua është kënaqësia me e madhe, sepse të kënduarit “live” më bën të shprehem më së miri dhe të ndihem shumë mirë shpirtërisht.

Akoma më të lumtur më bën fakti kur vijnë numër i madh i njerëzve që argëtohen më hitet më të reja botërore, të cilat mundohem që t’i këndoj gjatë këtyre mbrëmjeve”, shprehet këngëtarja Cakuli, e cila njëkohësisht është studente e vitit të tretë në Universitetin Amerikan në Kosovë. “Studimet po më ecin shumë mirë. Tani është koha kur jemi të preokupuar me provimet, mirëpo fatmirësisht po ia dalim mbarë. Ditë më parë kisha një provim në të cilin e kalova me sukses”, tregon ajo.

Hanën jemi mësuar ta shohim shpesh duke marrë pjesë nëpër festivale, mirëpo kështu nuk ndodhi vitin e kaluar, e si duket nuk do ta shohim as këtë vit. Ajo thekson se gjatë këtij viti më shumë do të shfaqet me këngë dhe videoklipe të reja. “Mendoj se nëpër festivale kam marr pjesë mjaft dhe nuk besoj se as këtë vit do të jam pjesë e ndonjë festivali.

Këtë vit do të jam më shumë prezente me këngë dhe videoklipe si dhe do të punoj vazhdimisht për të përgatitur albumin tim të parë, i cili do të këtë disa nga këngët e mia të kënduara dhe disa këngë të reja”, pohon ajo duke thënë se albumi do të jetë i gatshëm deri kah fundi i këtij viti.

Jam beqare

Gjatë vitit 2010 jeta personale e Hanës është diskutuar shumë duke u komentuar për lidhje të ndryshme, mirëpo ajo edhe kësaj here i mohon të gjitha shkrimet dhe tregon se në jetën e saj nuk qëndron asnjë mashkull.

“E di që është diskutuar shumë, mirëpo nuk më bëjnë përshtypje shumë shkrimet e pavërteta që shkruhen, sepse unë jam beqare dhe ndihem rehat me jetën time personale”, shton ajo. Këngëtarja ulqinake, e cila tash e disa vite jeton në Prishtinë, thotë se jeta këtu e bën atë aktive me punë, muzikë dhe studime.

Për Hanën Prishtina është qytet më i madh se Ulqini dhe i ofron asaj më shumë fushë veprimi për të treguar talentet e saja në të gjitha sferat e jetës.

Shqipmedia


YouTube Preview Image

2