Adelina Emini vjen me një këngë të re

January 14, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ndërsa vitin që lamë pas këngëtarja Adelina Emini ia ka dedikuar më shumë studimeve të saj, këtë vit thotë se do të jetë më shumë aktive në këngë e muzikë. Fakt për këtë gjë ishte edhe kënga e saj e fundit, të cilën këngëtarja e realizoi për fundvit, duke ‘hapur’ dyert për angazhime të radhës.

“Vitin që lamë pas më shumë ia pata dedikuar studimeve, kështu që nuk isha shumë aktive sa u përket të rejave në muzikë. Por, për fundvitin 2010 realizova një këngë me të cilën edhe u prezantova nëpër incizimet festive”, kështu thekson për “Infopress” këngëtarja Adelina Emini, ndërsa fuqishëm deklaron se ky vit do të ketë më shumë këngë të reja nga ajo.

Shumë shpejt edhe me një këngë tjetër

“Këngës që realizova për fundvit nuk jam e sigurt nëse do t’i realizoj edhe kripin, pasi po më duket se vetë prezantimi nëpër programet festive ka një promovim të mirë. Sa kam dëgjuar edhe nëpër radio, po dëgjohet mjaft shumë e po kërkohet nga dëgjuesit. Tani kam në plan të realizoj një këngë tjetër, të cilës mendoj patjetër t’ia realizoj edhe klipin. Do të jetë një këngë që mendoj ta lansoj gjatë pranverës ose më së largu gjatë sezonit veror”, tregon ajo.

Tekstin për këngën e saj të fundit e ka shkruar këngëtarja Linda Halimi, ndërsa muzikën dhe orkestrimin e ka bërë Florent Boshnjaku. “Ka dalë një këngë shumë e mirë. Është pëlqyer shumë, ndonëse është vetëm në fillimet e saj. Përveç programeve, kënga ka filluar të dëgjohet mjaft shumë edhe nëpër radio dhe kjo po më bën të jem e kënaqur me këtë krijim. Titullohet “S’më bind dot”,

E kur jemi te kënga e radhës, Adelina thotë se ende nuk ka vendosur për bashkëpunëtorët me të cilët do të punojë në krijimin e radhës. “Nuk e di me saktësi se me kënd do të bashkëpunoj, por gjithashtu nuk mund të them me saktësi se a do të vij me ritëm apo baladë. Por, mund të them se nëse këngën do ta lansoj gjatë pranverës, mund të jetë baladë, ndërsa vera patjetër që do ritmin, dhe ashtu do të jetë edhe kënga ime”.

Shoqëri, të cilën s’e ndërroj për asgjë në botë

E përveç angazhimeve muzikore, këngëtarja bën me dije se për këtë vit ka dhe një mision të dytë, të cilin do ta realizoj shumë shpejt. “Është tema e magjistraturës, që do ta mbroj dhe sigurisht që krahas kësaj do të vazhdoj edhe me angazhimet muzikore”.
Përveç angazhimeve në punë, studime e këngë, Adelina bën me dije se ka edhe jetën private dhe argëtimin për vete. Zakonisht del në shoqërinë e motrës Njomzës dhe të tjerave apo edhe me nënën e saj, shoqëri këto që nuk i ndërron me asgjë në botë. “Sigurisht që dal ndonjëherë. Zakonisht dal me motrën Njomzën, apo edhe me motrat tjera. Por, gjithashtu dal edhe me nënën time. Në shoqërinë e tyre gjithnjë kaloj momentet më të bukura”, shton për fund Adelina.

Info Press
YouTube Preview Image