Politizimi i regjistrimit të popullsisë dhe ligji zgjedhor

February 10, 2011   | Opinione

Siç është njoftuar opinioni i gjerë nga data 1-15 prill të këtij viti në Mal të Zi do të organizohet regjistrimi i popullsisë, që është i pari në shtetin e pavarur. Por, ende pa filluar përgatitjet për ketë proces të rëndësishëm shoqëror, ka filluar politizimi i tij. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi sepse në mënyrë identike është vepruar edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë që është mbajtur në vitin 2003. Në ketë politizim janë kyçur edhe subjektet politike të cilat regjistrimin e trajtojnë si çështje politike e jo statistike. Në ketë aspekt më të zëshëm janë subjektet politike serbe, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se pushteti mund të manipuloj me numrin e serbeve duke tentuar në zvoglimin e tyre.

Çështja e regjistrimit të popullsisë dhe deklarimit të përkatësisë nacionale, gjuhësore dhe fetare është çështje individuale e qytetarëve dhe nuk duhet të kemi paragjykime si më parë në kohën e monizmit. Madje edhe regjistrimi i vitit 2003, ka dëshmuar në mënyrë praktike së Mali i Zi është mjedis tipik multinacional, multigjuhësor dhe multikonfesional, si asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore.

Por, në kohën kur do të realizohet regjistrimi i popullsisë, komisioni parlamentar duhet të përfundoj variantin e punës të projekt ligjit zgjedhor për këshilltar dhe deputet. Pasi deri më tash nuk ka ekzistuar konsenzuesi në mes subjekteve politike parlamentare në lidhje mbi ketë çështje ka gjasa që të shtyhet përseri sepse siç duket duhet pritur rezultatin definitiv të regjistrimit të popullsisë sipas struktures nacionale. Sepse ka gjasa që pjesëmarrja e pjesëtarëve të popujve të ndryshëm që ka të bëj kryesisht me popujt pakicë të pësoj ndryshime në kuadër të strukturës së përgjithshme të popullsisë. Pikërisht këto të dhëna numerike do të jenë vendimtare për hartimin e ligjit zgjedhor për këshilltar dhe deputet, e sidomos për përfaqësimin autentik të popujve pakicë në parlamentin e Malit të Zi.

Është obligim profesional i Monstatit që të regjistrohet edhe diaspora, e këtu konkretisht mendojmë për diasporën shqiptare, sepse sipas të dhënave statistikore çdo i treti shqiptarë është në botën e jashtme. Pasi një numër i konsideruar i tyre ende është në listat zgjedhore, ata duhet të kenë tretman të barabartë si qytetarët e tjerë. Sepse nuk duhet harruar kontributin e tyre në pavarësimin e Malit të Zi në maj të vitit 2006. Andaj ata e meritojnë te evidentohen sepse janë pjesë e pandarë e popullit tonë, dhe se vetëm ne ketë mënyrë do te kemi të dhëna te sakta ne lidhje mbi numrin, vitin e emigrimit, statusin dhe vendqendrimin e tyre, si kudo ne botën e qytetëruar.

Burimi : Forca.me