Materniteti i Ulqinit në 6-vjetorin e tij

February 14, 2011   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Gani Kramanaga krenarë për rezultatet
Në komunën e Ulqinit lindin mesatarisht rreth 250-260 fëmijë në vit. Rreth 60 për qind e tyre lindin në maternitetin e Ulqinit. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, prim. Dr. Gani Karamanaga thotë se ky është numri optimal i lindjeve që mund të kryhet në maternitetin e Ulqinit duke pasur parasysh faktin se ai nuk disponon sallën kirurgjikale. Për gjashtë vjet në këtë maternitet kanë lindur 910 fëmijë, prej të cilëve 460 djem dhe 450 vajza.

Materniteti i Ulqinit ka mbushur më 5 shkurt gjashtë vjet që nga hapja e tij. Deri tani në këtë maternitet kanë lindur 910 fëmijë, prej të cilëve 460 djem dhe 450 vajza. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, prim. Dr. Gani Karamanaga, thotë se ky maternitet e ka arsyetuar ekzistencën e tij. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është se deri tani nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes së fëmijëve apo nënave gjatë lindjes. Karamanaga ia dedikon këtë sukses punës së stafit mjekësor. “Falë punës së tyre shumë profesionale, vullnetit dhe diturisë, ne kemi këto rezultate me të cilat unë jam krenar si njeri në krye të shëndetësisë së Ulqinit”, thotë ai.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit kujton disa nga ngjarjet që kanë shënuar historinë gjashtëvjeçare të maternitetit të Ulqinit. “Lindja e parë na ka mbetur në mend, gëzimi i të gjithë stafit mjekësor, por edhe i personaliteteve të larta. Në maternitet kemi pasur dy herë lindjen e binjakëve dhe tri ditë kur kanë lindur nga tre fëmijë brenda ditës”, thotë Karamanaga.

Materniteti i Ulqinit është njëri ndër më të vegjlit në Mal të Zi, por sa i përket pajisjes me aparatura bashkëkohore mjekësore, me siguri radhitet ndër vendet e para në Mal të Zi. Ai është i pajisur me incubator transportabil, i cili ofron kushte optimal për transportimin e foshnjes deri në qendrën neonatologjike. Megjithatë ai nuk ka sallë për kryerjen e operacioneve. Karamanaga thotë se vetëm kur të ndërtohet salla e operacionit, materniteti i Ulqinit do të konsiderohet i përfunduar.

“Pavarësisht se politika aktuale e Ministrisë së Shëndetësisë së Malit të Zi nuk parashikon hapjen e sallës kirurgjikale në Maternitetin e Ulqinit, unë mendoj se materniteti i Ulqinit do të jetë i kryer definitivisht kur të lejohet dhe të ndërtohet salla e përmendur”, thotë ai.

Sipas Karamanagës, hapi i parë në këtë drejtim është dhënia e lejes për hapjen e stacionit për transfuzion në maternitet, për ç’gjë ai disponon një pjesë të madhe të aparaturave mjekësore.

Në komunën e Ulqinit lindin mesatarisht 250-260 fëmijë në vit. Rreth 60 për qind e tyre lindin në aternitetin e Ulqinit. Karamanaga thotë se ky është numri optimal I lindjeve që mund të kryhet në maternitetin e Ulqinit duke pasur parasysh faktin se ai nuk disponon me sallën e operimit. “ Çdo lindje që parashikohet se është e vështirë ose kërkon operim, dërgohet në qendra të tjera, si në Tivar, Podgoricë etj.”, thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, prim. Dr. Gani Karamanaga.

i.k.
Koha Javore