Çiljeta Xhilaga, bën operacion plastik në vithe

February 17, 2011   | Lajmet / Vijesti

Kanë munguar tullumbacet, torta, miqtë e shumtë dhe i dashuri, Aleksi, në 26-vjetorin e këngëtares, Çiljeta Xhilaga. Ndryshe nga një vit më parë, ku përvjetori i saj mori përmasat e një show mediatik, 5 shkurti i këtij viti nuk ka qenë aspak i tillë. Çili e ka pritur ditëlindjen e saj në punë e sipër, ndërsa ishte e ftuar në Miss Universi Shqiptar, në Zyrih.

Dhurata e vetme për të atë natë, ka qenë një tufë me lule nga organizatori i spektaklit, Ardi Plaku, më tej urimet nga kolegët e saj dhe sigurisht, telefoni nuk u ndal gjatë gjithë ditës. Mes urimeve, edhe një telefonatë nga nëna e saj, e cila e lajmëronte për një lajm që kishte të bënte me të dhe të dashurin, Aleksin. “Kanë shkruar që kemi qenë në një lokal me Aleksin, dhe pse nuk kemi qenë bashkë. Por unë isha me mikeshat e mia dhe ai me miqtë e tij. Ne jemi një çift i emancipuar, që secili ka jetën e vet, nuk është e thënë që duhet të jemi gjithë kohën bashkë”, më sqaron Çili, e cila tashmë pohon se i është regjur lëkura nga shkrimet në gazeta dhe nuk i bëjnë përshtypje ato që thuhen. E në fakt ka të drejtë, ashtu si edhe asaj, edhe lexuesve tashmë nuk u bëjnë të njëjtin efekt lajmet e jetës personale të Çilit, sikurse disa vite më parë. Kjo sepse nëse më parë kishte një lloj kurioziteti, tashmë nuk ndodh ashtu. Çili (ashtu sikurse edhe kolegët e saj) është e pranishme në çdo ambient të jetës së natës në Tiranë, del në televizor dhe tregon vetë për jetën personale, është e pranishme në qytetet shqiptare dhe nuk është e vështirë për ta takuar, apo edhe bërë foto me të… Madje çdo gjë tashmë është kaq mediatike, sa kurioziteti është shuar prej kohësh. Megjithatë, rasti i ditëlindjes së Çilit është për t’u komentuar, aq më tepër që ajo e festoi (në fakt nuk pati festë, pasi atë do ta bënte kur të kthehej në Tiranë me të dashurin e saj) larg shtëpisë!

Por le të kthehemi te dashuria e Çilit. Këtë herë ajo tregon se ka rënë në dashuri dhe “Aleksi është njeriu i jetës së saj”. Madje me të planet shkojnë shumë larg, por ajo është superticioze dhe nuk dëshiron t’i thotë ato. Është mjaft e lumtur për lidhjen që ka, madje duken si të pandarë, pasi edhe në distancë, Çili është gjithë kohës duke folur me të në telefon, apo duke shkëmbyer mesazhe. “Nuk rrimë dot pa folur shpesh, kur jemi larg. Edhe kur nuk e marr unë, nëse kalojnë dy orë e nuk kemi folur, ai më telefonon”. Por në fakt ditën e ditëlindjes (dhe me të drejtë) ata kanë folur shumë në telefon. Pasi ka mbërritur në Tiranë, Aleksandri dhe Çiljeta kanë festuar së bashku. “Dolëm drekuam dhe Aleksi më dhuroi një varëse”. Aktualisht, Aleksi ka ikur në Londër e me siguri të dy do të jenë sërish duke folur në telefon…

Pas ndërhyrjes së barkut, Çiljeta do rrisë të pasmet

Kush tha se Çili është e kënaqur me trupin e saj…?! Pasi tërhoqi barkun në një klinikë në Zvicër, verën që shkoi, Çiljeta ka bërë edhe një tjetër ndërhyrje estetike në trupin e saj. Bëhet fjalë pikërisht për vithet e saj. Vithet ‘alla-braziliane’ kanë qenë ëndrra e saj e verës që shkoi. Dhe më në fund, ajo e ka bërë realitet atë. Operacioni thuhet se është kryer në Turqi, nga një mjek i specializuar për ndërhyrjet plastike. Dëshira për të pasur një trup perfekt, nuk ka të sosur te Çili. Ajo e ka pohuar publikisht atë që ka ëndërruar prej kohësh. Por pas vitheve, për Çilin vazhdon të jetë shqetësues gjoksi i madh. Por atë do ta lërë në një moment të mëvonshëm, pasi të bëhet nënë!

Ora News
YouTube Preview Image