Intervistë me Musa Palin, deputetin komunal ne Vevey të Zviceres

February 18, 2011   | Intervista / Intervju

Lajme Nga Ulqini : Ju lutem na thoni disa fjalë për prezantimin
tuaj ?

Musa Pali:Quhem Musa Pali i lindur në fshatin Millë komuna e Ulqinit.
Pasi që kreva Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, grupi gjuhë dhe letërsi, u punësova në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjë të Sijarinës ku punova tre vjet.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak u largova nga vendlindja dhe u vendosa në Zvicër në vitin 1980.

Lajme nga Ulqini: Përveç punës suaj profesionale cilat janë aktivitet tuaja me vendosjen tuaj në Zvicër?

Musa Pali: Po, për fillim kam qenë gjithmonë i interesuar që të hapi shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Kah viti 1987 provova të hap një klasë këtu në Vevey, ku jetoj prej vendosjes sime në Zvicër. Mirëpo në atë kohë ishte vështirë të punosh për interesat e shqiptarëve sepse Jugosllavia kishte njerëz çdo kund ku jetonin shqiptarët në mërgim dhe që ata bënin të pamundshëm një aktivitet të mirëfilltë, sidomos kur ishte çështja e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe.

Lajme nga Ulqini: Në cilin vit u hapen shkollat e para në Vevey me rrethinë?

Musa Pali: Po siç thash edhe më parë puna në çështjen kombëtare ishte e vështirë nga pengesat që bënin agjentët jugosllav. Në vitin 1991 u zgjodha kryetar i LDK për regjionin e Veveyt e pak më vonë Sekretar i LDK për kantonin Vaud ku nunëri i anëtarëve të kësaj partie ishte mbi njëmijë.
Kjo gjë më mundësoi që me ndihmën e anëtarësisë së gjerë të hapim shkollat e pavarura në tërë Kantonin VAUD.
Edhe sot e kësaj dite gati të gjitha ato shkolla që u hapen rreth viteve 1991 dhe 1992 funksionojnë pa ndërprerje
.
Lajme nga Ulqini: Përveç angazhimit tuaj në mësimin plotësues në gjuhën shqipe ju jeni dhe deputet në Kuvendin komunal të Veveyt. Në cilin vit u zgjodhët për herë të parë si deputet komunal?

Musa Pali: Përvoja që fitova në hierarkinë më të lartë të LDK NË Zvicër më shërbeu tani ta aplikoj në politikën zvicerane. Në vitin 2004 bashkiaku i komunës së Veveyt më kërkoi që të bëhen anëtarë i PS të Veveyt dhe pas një kohe të shkurtër u paraqita si kandidat në zgjedhjet komunale dhe u zgjodha si deputet komunal. Këtë vit po bëhen shtatë vite me radhë që rrijë në bankat e kuvendit komunal të Veveyt.

Lajme nga Ulqini: Ju lutem na thoni cilat janë arsyet që ju e zgjodhët pikërisht këtë parti të majtë që ta zhvilloni aktivitetin e juaj politik në Zvicër?

Musa Pali: Po arsyet janë shumë të thjeshta. Paria Socialiste Zvicerane ka bërë shumë për komunitetin e të huajve që jetojnë në Zvicër. Një ndër më të rëndësishmet është se kjo parti ka mbrojtur çdoherë të huajt nga sulmet që bënin partitë e djathta. Mjeti kryesor që ka përdorur PS e Zvicrës është shpallja e referendumeve të ndryshme për të aprovuar ligje që mbrojnë dhe u japin të drejta të huajve. Një ndër këto ligje është dhe e drejta e votës së të huajve në komunat e Kantonit VAUD.

Lajme nga Ulqini: Po për shqiptarët çfarë ka bërë kjo parti.

Musa Pali: Micheline Calmy-Rey, që është sot kryetare e Konfederatës Zvicerane, ka përkrahur Z. Ibrahim Rugova dhe të cilin e ka vizituar disa herë sa ishte gjallë. Në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, Micheline Calmy-Rey Kërkoi nga Këshilli Konfederatës Zvicerane që ta njoh menjëherë dhe pa kushte pavarësinë e Kosovës, gjë qe edhe u bë.

Lajme nga Ulqini: Mësuam që ishit paraqitur përsëri në zgjedhjet komunale që do të mbahen në muajin mars. A keni gjasa që të fitoni përsëri në këto zgjedhje?

Musa Pali: Është një gjë e mirë që këtu në komunën ku jetoj unë qytetarët e kësaj komune njerëzit i vlerësojnë në bazë të punës së tyre që kanë kryer e jo sipas racës apo prejardhjes nacionale. Gjatë këtyre viteve kam kryer shumë aktivitete si deputet. Në vitin 2007 isha edhe anëtar i byrosë së kuvendit komunal për një vit. Pastaj në vitin 2009 u zgjodha kryetar i grupit parlamentar në kuvendin regjional SIGE. Përveç kësaj për tre vite kam qenë edhe anëtar i komisionit të përhershëm të financave. Kam qenë shumë herë anëtarë i komisioneve të përkohshme. Pra në bazë të këtij bilanci të pasur të punë sime si deputet shpresoj se do të kaloj në turnin e parë.

Lajme nga Ulqini: Zoti deputet ju urojmë punë të suksesshme në aktivitetin tuaj politik zviceran dhe njëkohësisht edhe punë të mbarë në shkollën e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Musa Pali: Faleminderit në intervistën tuaj dhe mirupafshim herave tjera.Me këtë rast përshëndes të gjithë bashkatdhetarë kudo që janë dhe Gëzuar tre vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Lajme nga Ulqini

10