Greta Koçi: Akoma nuk i kam thënë të gjitha

February 19, 2011   | Lajmet / Vijesti

Flet këngëtarja e mijëra fansave: “Më shumë komplimentet m’i bëjnë për sytë dhe zërin tim”

…Ndonëse  ajo është shumë e re në moshë, aktualisht është bërë këngëtarja më e njohur dhe më e adhuruar nga publiku shqiptar. Kërkesave të shumta të publikut dhe menaxherëve të shumtë që merren me koncerte dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ajo nuk mund t’u përgjigjet, pasi është shumë e zënë  me punë dhe klipe interesante që ka ndërmend të nxjerr së shpejti.

Kur u takuam për herë të parë për një intervistë më 6 nëntor të vitit 2005, ajo ishte një këngëtare pak e njohur nga dueti me këngëtarin Erion Korini, ndërsa sot, ajo është një ndër këngëtaret më të njohura dhe më të adhuruar nga publiku shqiptar. Prezenca e saj në shumë koncerte dhe festivale të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, tregon që Greta Koçi nuk është më ajo këngëtarja pak e njohur që këndonte çdo natë në diskot e të tjerëve që pasuroheshin nga zëri brilant i saj, por një këngëtare profesioniste që aktualisht di si ta menaxhojë vetë zërin sugjestionues që i ka falur natyra, pasi tashmë ka në arkivin e saj shumë koncerte dhe shumë çmime në festivale të lakmuara nga të gjithë këngëtarët profesionistë. Nisur nga të gjitha këto, ajo tashmë është këngëtarja që ka më shumë fansa në Shqipëri dhe në diasporë, si dhe këngëtarja më e lakmuar për momentin. Ka kënduar që kur ishte 5 vjeç dhe ka dhënë shumë koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë përkrah emrave më të njohur të muzikës shqiptare.

Znj. Koçi. Tashmë ju jeni një këngëtare e njohur në publik. Ku dhe kur keni konkurruar për herë të parë në një festival të rëndësishëm për karrierën tuaj artistike?

Prezenca ime e parë në një festival të rëndësishëm kombëtar ishte Festivali i Këngës Magjike, një festival i madh, ku merrnin pjesë këngëtarët më të njohur nga Shqipëria dhe diaspora. Konkurrova në nëntor të vitit 2005 dhe unë isha këngëtarja më e re në këtë festival, merrja pjesë për të parën herë në një eveniment të tillë artistik.

Me çfarë kënge konkurruat?

Konkurrova me këngën “Mall”. Teksti ishte bërë nga Turjan Hyskja, ndërsa muzika dhe orkestracioni nga Florian Mumajezi. Ishte një këngë që i këndonte dashurisë, por që nuk kishin asnjë lidhje  me mua. Kjo këngë u shoqërua me një koreografi të Gjergj Bajramit, ku kërcenin dy çuna dhe dy vajza të talentuara.

Krahas këngës ç’mund të na thoni më shumë për veten tuaj?

Jam 1.75 centimetra e gjatë, i përkas shenjës së gaforres, peshoj 57 kilogramë, kam sy kafe, jam brune dhe kam studiuar në shkollën e Gjuhëve të Huaja për frëngjisht dhe anglisht.

Cila ka qenë kënga që ju njohu për herë të parë në publik?

Ka qenë dueti me këngëtarin e mirënjohur, Erion Korini. Me të u njoha në “House of the art”. Këtu kam punuar më shumë se shtatë muaj. Nisur nga vokali im ai më ftoi për të bërë të dy një duet së bashku. Unë pranova me kënaqësi. Pasi u bë klipi dhe më pas u bë dhe videoklip dhe u shfaq në publik, të dy u ndjemë të respektuar. Klipi pati një sukses të jashtëzakonshëm. Nuk e menduam që ky bashkëpunim do të kishte kaq shumë sukses. Që në javën e parë ky duet bëri një bujë të madhe dhe më njohu mua si një këngëtare të pëlqyer nga publiku. Ka qenë pikërisht kjo këngë dhe ky bashkëpunim që më njohu në publik dhe që më pas nxiti kompozitorët e mirënjohur drejt meje për të bashkëpunuar me mua.

Ndërkohë që veçoni duetin dhe këngën që ju bëri të njohur, nga kompozitorët e parë të tu, kë keni më për zemër?

Ndër kompozitorët e mi të parë më pëlqen Genti Lako, Adrian Hila dhe disa të tjerë. Familja më ka ndihmuar shumë, sidomos mamaja ime, e cila ka qenë shtysa ime  vetme.

Çfarë natyre është këngëtarja Greta Koçi?

Si natyrë jam shumë e qetë, nevrikosem shumë rrallë, ndërsa si publikun më të zjarrtë veçoj publikun e Shkodrës, të Fierit dhe të Durrësit. Nga komplimentet që marr më shumë janë për zërin dhe vokalin tim. Sa për kujdesin për paraqitjen e jashtme, më shumë tregoj kujdes kur dal në skenë se sa në jetën time të përditshme.

Njeriun e zemrës e dëshironi patjetër nga fusha juaj, apo nga fusha të tjera?

Patjetër nga fusha ime, por dhe nga fushat e tjera, mjafton të jetë, i komunikueshëm, shpirt mirë dhe i dashur me mua.

Tani që keni shumë fansa, shumë çmime dhe merrni shumë ftesa për koncerte dhe festivale, si ndiheni?

Ndihem shumë mirë. Tashmë më njohin shumë njerëz, ndërkohë që, përpara njihesha shumë pak. Shumë njerëz më ndalojnë në rrugë dhe më përshëndesin. Marr dhe shumë ftesa për koncerte.

Si ndiheni nga mbështetja dhe respekti i fansave?

Ndihem shumë mirë, pasi ata më mbështesin dhe më japin forca për të ecur përpara dhe për të bërë këngë akoma më të bukura. Respekti i tyre ndaj meje është detyrim dhe përkushtim për mua për t’u sjellë atyre këngë  më cilësore.

Mentor Hoxha
YouTube Preview Image