Katërkolla, në mëshirën e fatit

February 28, 2011   | Opinione

Katërkolla është qendra e Anës së Malit, zonë ku gravitojnë rreth 14 fshatra, me një popullsi prej rreth shtatë mijë banorësh. Ajo është qendra e parë me të cilët takohen kalimtarët dhe turistët që vijnë nga Shqipëria apo nëpërmjet saj, për të vijuar më pas për Ulqin apo Tivar. Punimet për rregullimin e qendrës së Katërkollës kanë filluar në vitin 2006, por janë ndërprerë, siç thuhet zyrtarisht, për shkak të moszgjidhjes së problemeve pronësore. Edhe pse gati çdo vit parashikohet me buxhetin e Komunës së Ulqinit, nga ajo kohë nuk është kryer asnjë investim. Sot askush nga zyrtarët komunalë nuk mund të japë përgjigje se kur do të vazhdojnë punimet e ndërprera.

Çdokush që kalon nëpër Katërkollë mbetet i çuditur me gjendjen e infrastrukturës në këtë vendbanim. Qendra e Katërkollës është shndërruar në një kaos për banorët e saj dhe të Anës së Malit, por edhe për kalimtarët e tjerë dhe turistët që kalojnë nëpër këtë pjesë sepse pushteti nuk ka vënë dorë për rregullimin e saj. Sheshi “Skenderbeu”, në qendër të Katërkollës, në gjendjen e tij të tanishme nuk e meriton emrin e heroit tonë kombëtar. Në asnjërën anë të rrugës nuk ka trotuare, ndriçimi publik, edhe pse në të është investuar disa herë, i takon kohës së shkuar etj.

Jo rrallë herë ndodh që rruga të bllokohet për shkak të parkimit të automjeteve në të dy anët e saj. Gjendja sidomos rëndohet edhe më tepër ditëve të enjte, e cila është ditë tregu, kur në rrugë zhvillohet edhe tregtia.

Qarkullimi në këtë pjesë është rritur pas hapjes së pikës kufitare Sukubinë – Muriqan, sidomos gjatë sezonit të verës. Rruga që kalon nëpër qendrën e Katërkollës është bërë akoma më e frekuentuar pas hapjes së rrugës Durrës – Kukës, gjë që ka bërë që atë ta shfrytëzojnë edhe një pjesë e qytetarëve të Kosovës të cilët e përdorin këtë rrugë për të udhëtuar në vende të ndryshme evropiane.

Të gjitha këto bëjnë që të ndërhyhet në mënyrë sa më të shpejtë për rregullimin e kësaj qendre. Punët për rregullimin e saj kanë filluar para disa vitesh. Në vitin 2006 është bërë zgjerimi dhe asfaltimi i një pjese të rrugës kryesore. Por që prej asaj kohe punimet janë ndërprerë për shkak të, siç është thënë nga zyrtarët komunalë, mosrregullimit të problemeve pronësore. Deri tani ka pasur shumë premtime për rregullimin e qendrës së Katërkollës, sidomos para zgjedhjeve. Megjithatë, me kalimin e zgjedhjeve, premtimet janë harruar. Në fakt, rregullimi i qendrës së Katërkollës parashikohet çdo vit në buxhetin e Komunës së Ulqinit. Kështu në buxhetin e vitit të kaluar për këtë çështje ishin parashikuar 300 mijë euro. Por edhe vitin e kaluar nuk është kryer asnjë investim. “Rregullimi i qendrës së Katërkollës është parashikuar, por nuk është realizuar për shkaqe të ndryshme: pronësia nuk është definuar akoma dhe nuk është hartuar një projekt rregullimi”, thotë Gjergj Daboviq, sekretar për Veprimtari Komunale dhe Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor në Komunëne Ulqinit.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Lokale të Katërkollës, Safet Taipi, thotë se arsyeja pse nuk është rregulluar qendra e Katërkollës janë mundësitë e kufizuara financiare dhe problemet pronësore që kanë hasur gjatë realizimit të asaj pjese.

Për Katërkollën ekziston një plan detaj që daton nga vitet ’80, i cili sipas sekretarit për Urbanizëm dhe Rregullim Hapësinor, Nazif Hoxhiq, nuk është më në fuqi. Por për vazhdimin e punimeve parakusht është hartimi i projektit të rregullimit të qendrës. “Ekziston projekti vetëm për një pjesë, i cili është projektuar nga UPIN-i. Vetëm rrugët janë kryer, por jo edhe sheshi dhe trotuaret”, thotë Safet Taipi, kryetar i Bashkësisë Lokale Katërkollë.

Për hartimin e planit rregullues dhe të projektit për qendrën e Katërkollës duhet të urdhërojë kryetari i Komunës së Ulqinit, por në dy sekretariatet përkatëse thonë se deri tani nuk ekziston ndonjë urdhër për këtë.

Megjithatë Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor e ka përfshirë edhe sivjet rregullimin e qendrës së Katërkollës në programin e tij të punës, për ç’gjë ka parashikuar 400 mijë euro. Por ky program nuk e ka marrë akoma dritën jeshile sepse Kuvendi i Komunës së Ulqinit nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2011.

Kryetari i Bashkësisë Lokale Katërkollë, Safet Taipi, thotë se qytetarët e kuptojnë që rregullimi i qendrës së Katërkollës është kafshatë e madhe financiare për buxhetine komunës, por që pjesë-pjesë mund të realizohet. Ndërtimi i dy pikave të karburantit, në hyrje dhe në dalje të Katërkollës, përpos që anë ndryshuar pamjen e saj, kanë zgjeruar dhe imponuar nevojën e urbanizimit të tërë pjesës ndërmjet këtyre dy pikave.

“Kërkesa e qytetarëve të Katërkollës është që qendra – pjesa e rrugës kryesore të kryhet, sidomos tani që janë ndërtuar dy pika të karburantit, të cilat ta imponojnë që duhet të urbanizohet deri në fund pjesa ndërmjet dy pikave të karburantit”, thotë Taipi.

Por askush nga zyrtarët komunalë nuk mund të japë përgjigje se kur do të vazhdojnë punimet për rregullimin e qendrës së Katërkollës. Deri atëherë, kjo do të vazhdojë të jetë në mëshirën e fatit dhe kohës.

Katërkolla është qendra e Anës së Malit, zonë ku gravitojnë rreth 14 fshatra, me një popullsi prej rreth shtatë mijë banorësh. Ajo është qendra e parë me të cilët takohen kalimtarët dhe turistët që vijnë nga Shqipëria apo nëpërmjet saj, për të vijuar më pas për Ulqin apo Tivar. Prandaj ajo ka nevojë që sa më shpejt të shndërrohet në një qendër urbane tërheqëse.

Shtëpia e pensionistëve si prioritet

Me përjashtim të ndërhyrjeve në rrjetin e ndriçimit publik dhe investimit në shtrimin e ndonjë pjese të rrugës, i vetmi investim publik që është bërë vitin e kaluar në qendër të Katërkollës është ndërtimi i Shtëpisë së Pensionistëve që i ka shërbyer më tepër rritjes së kaosit urbanistik. Ky investim është realizuar si pjesë e premtimeve parazgjedhore në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Ndërtimi i shtëpisë së pensionistëve është kryer me paratë e fondit të Shoqatës së Pensionistëve, ndërsa Komuna e Ulqinit ka kontribuar me sigurimin e truallit, dhënien e lejes së ndërtimit, lirimin nga pagesa e taksave komunale si dhe ka investuar për rregullimin e hapësirës publike përpara godinës së shtëpisë së pensionistëve.

Por sa ka qenë prioritet realizimi i këtij projekti në krahasim me rregullimin e qendrës së Katërkollës apo edhe me investimet e tjera në këtë zonë?

Sekretari për Veprimtari Komunale dhe Ruajtjen e Mjedisit Jetësor, Gjergj Daboviq, pranon se ky investim nuk ka qenë prioritet, por ka qenë një premtim që i është dhënë Këshillit të Pensionistëve. Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale Katërkollë, Safet Taipi, thotë se ndërtimi i shtëpisë së pensionistëve nuk ka qenë prioritet për të gjithë qytetarët e Anës së Malit, por ka qenë prioritet për pensionistët. Por edhe pse është hapur vetëm disa muaj më parë, ajo qëndron e mbyllur.

I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image
Amull, Bojkë, Brajshe, Braticë, Colchinium, Crna Gora, Darzë, Dragaj, Dulcigno, Dulcinea, Fraskanjell, Kalimani, Katerkollë, Klezna e epërme, Klezna e poshtme, Kodër, Kolonza, Kosiq, Kravari, Krythë, Leskovac , Lisna bore, Mal i bardhë, Mali i brisë, Mali i Zi, Megjureç, Millë, Montenegro, Mozhurë, Njoftim, Olcinium, Ostros, Kraja,Pistull, Qurkaj, Rastish, Reç, Salç, Shas, Shëngjergj, Shtodhër, Shtoji i epërm, Shtoji i poshtëm, Sukobinë, Sutjell, Tivar, Ulcinj, Ulkinon, Ulqin, Ulqini, Zogaj,

1