Noizy ha me dy lugë, edhe Çiljetën, edhe Eni Koçin

March 11, 2011   | Lajmet / Vijesti

Një nga reperët më të njohur dhe më të diskutuar në Shqipëri, Noizy, duket se i paska pikë të dobët bashkëpunimet dhe po i “shfrytëzon” shumë mirë njohjet në muzikë. Ai e ka kuptuar që vetëm me hip-hop vështirë të bësh për vete fansat e të gjitha gjinive, ndaj me duetet godet më mirë në shenjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për këngëtare seksi që tërheqin audiencën.

Strategjia e tij duket mjaft efikase… Ai e nisi mbarë me Rozana Radin, e cila në një farë mënyre e promovoi, më pas u tha për një këngë me Genta Ismajlin, ndërsa këto ditë ai është në përgatitje e sipër të një kënge të re me klip me Eni Koçin, motrën e vogël të Gretës, e cila e ka nisur mbarë karrierën muzikore. Vetë Eni ka thënë që kënga do të jetë shumë “hot”, së bashku me videon përkatëse. Ende pa mbaruar këtë këngë, ai po punon për një tjetër me këngëtaren seksi, Çiljeta, e cila këto kohë po ushtrohet për pjesëmarrjen e saj në show-n “Dancing with the stars”, ndërsa në pritje, të parashikuar në axhendën e saj, ka edhe një bashkëpunim me Besnikun e 2PO2. Nga sa është mësuar deri më tani, klipi i këngës së Çilit dhe Noizyt, do t’i ngjajë një aventure kriminelësh, të cilët bien në dashuri me njëri-tjetrin gjatë një prej “veprave” të tyre. Sipas Çiljetës, kënga do të shndërrohet shumë shpejt në hit. Le të presim e të shohim se cili nga dy bashkëpunimet do jetë më “hot”… Nga ana tjetër, rivali më i fortë i Noizy-t, të paktën brenda kufijve të Shqipërisë, Stresi, sapo ka marrë pjesë në Top Fest 8, në një bashkëpunim me Ronela Hajatin, e cila është gjithashtu një nga zërat e rinj që premton shumë. Edhe kjo këngë, sikurse në rastin e Noizy-Çiljeta, mban firmën e Flori Mumajesit.

Gazeta Standard
YouTube Preview Image