Së shpejti kalimi i kufirit me letërnjoftim

March 14, 2011   | Shtypi / Mediji

Përfaqësuesit e ministrive të Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe Shqipërisë diskutuan në Tiranë për lehtësimin e procedurës së qarkullimit të kufirit ndërmjet dy vendeve

Mbeten për t’u zgjidhur çështjet teknike për zyrtarizimin e kësaj nisme deri në fillim të sezonit turistik, meqë të dy shtetet turizmin e kanë degë prioritare të ekonomisë së tyre. Në këtë drejtim, pala shqiptare zyrtarisht do t’ia dorëzojë këtë iniciativë brenda dhjetë ditësh palës malazeze, e cila do t’ia drejtojë më pas Qeverisë së Malit të Zi për miratim.

Tiranë – Përfaqësuesit e drejtorive konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ntegrimeve Evropiane të Malit të Zi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë kanë diskutuar të premten për lehtësimin e procedurës së qarkullimit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Drejtorët e drejtorive konsullore, Zhelko Stamatoviq dhe Sajmir Bala, kanë rënë dakort që në të ardhmen e afërt kufiri ndërmjet dy vendeve të kalohet me letërnjoftim nga qytetarët e të dy vendeve, por pritet që qeveria e Malit të Zi ta miratojë këtë nismë.

Sipas këshilltarit të Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë, Mr. Met Gjoni, edhe pse pala malazeze kishte mandat të negocionte për kalimin e kufirit me letërnjoftim vetëm për banorët e brezit kufitar, ajo përkrahu idenë e palës shqiptare që këtë ta zgjerojnë duke përfshirë të gjithë qytetarët e të dy shteteve.

Ai thotë se mbeten për t’u zgjidhur çështjet teknike për zyrtarizimin e kësaj nisme deri në fillim të sezonit turistik, meqë të dy shtetet turizmin e kanë degë prioritare të ekonomisë së tyre. Në këtë drejtim, pala shqiptare zyrtarisht do t’ia përcjellë këtë iniciativë brenda dhjetë ditësh palës malazeze, e cila do t’ia drejtojë më pas Qeverisë së saj për miratim.

Qeveria e Malit të Zi dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan në vitin 2009 në Podgoricë Marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve, por në të nuk përfshihej lehtësimi i kalimit të kufirit për qytetarët e zonave kufitare. Përfaqësuesit e dy ministrive kanë diskutuar edhe mbi nismën për hapjen e pikave të reja kufitare në akset e reja rrugore, që priten të ndërtohen në mes dy shteteve. Fjala është për aksin rrugor Lezhë – Shëngjin – Velipojë – Ulqin, ku përfshihet edhe ndërtimi i urës së re mbi lumin Buna, dhe aksin tjetër Plavë – Guci – Gërnçar/Vërmosh – Tamarë – Dinoshë – Podgoricë, i cili kalon nëpërmjet territorit të Shqipërisë, për ç’gjë kanë rënë dakort kryeministrat Millo Gjukanoviq dhe Sali Berisha në takimin e tyre në Tiranë në vitin 2008. Këto akse janë tepër të rëndësishme sepse do të shkurtonin ndjeshëm distancën e nevojshme kohore ndërmjet Lezhës dhe Ulqinit, gjegjësisht Plavës dhe Podgoricës.

Pala shqiptare ka inicuar edhe hapjen e pikës kufitare për këmbësorë Vranesh – Qemer në Tropojë, gjatë sezonit të verës. Në takim është diskutuar edhe mbi përgatitjet e nevojshme për zgjerimin e veprimtarisë së pikës së përbashkët kufitare Sukubinë – Muriqan, meqë së shpejti pritet hapja e urës së re mbi lumin Buna. Siç dihet, sipas projektit të Bashkimit Evropian parashikohet që kjo pikë kufitare të shërbejë edhe për qarkullimin e mallrave.

Pika kufitare Sukubinë – Muriqan ka shënuar vitin e kaluar rritje prej 73 për qind sa i përket numrit të kalimtarëve në krahasim me vitin 2009. Për këtë arsye, pala malazeze ka marrë obligim që të zgjerojë aksin rrugor Sukubinë – Ulqin dhe Krythë – Tivar.

Pjesëmarrës të takimit kanë qenë edhe shefat e menaxhimit të kufirit të dy vendeve, Millan Paunoviq dhe Krenar Muço.

Kohapress
YouTube Preview Image

2