Hana Cakuli: Së shpejti me një krijim të Pirro Çakos

March 19, 2011   | Intervista / Intervju

Vajza nga Ulqini që ka bërë për vete shumë shqiptarë është e angazhuar në shumë mbrëmje muzikore, që nuk i japin hapësirë për krijime të reja. Jeton në Prishtinë me motrat e saj dhe studion në vit të tretë në Universitetin Amerikan të Kosovës. Është ndoshta ndër të paktat këngëtare që deklaron hapur se është e kënaqur nga pagesat për koncertet, edhe përkundër krizës financiare që mbretëron në botë dhe që ka kapluar edhe estradën shqiptare. Momentalisht nuk është e lidhur me askënd dhe thotë se është pa ndjenja!!! Për më tepër, flet vetë këngëtarja Hana Cakuli…

Nga Blerand Rexhepi

Sa e angazhuar jeni nëpër mbrëmje muzikore, dhe sa e kënaqur ndiheni me pagesat?

Jam jashtëzakonisht e angazhuar kohëve të fundit. Përveçse po këndoj në Prishtinë, ku edhe po jetoj, kam mbrëmje muzikore edhe nëpër vende të tjera të Kosoves, si: Pejë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, etj. Përkundër krizës financiare, unë për vete jam e kënaqur me pagesat dhe fitimet.

Mendon se jeni adaptuar në Prishtinë dhe me kë jetoni atje?

Kam qenë e adaptuar në Prishtinë prej kohësh, pasi mamin e kam nga Prishtina dhe kam ardhur gjithmonë këtu e kam krijuar rrethin tim. Jetoj me motrat e mia.

Si i kaloni ditët në Prishtinë, jashtë muzikës?

I kaloj me punë, ligjërata, mësime, dhe pjesa më e mirë dhe relaksuese është kur dal ose me të familjes ose me shoqëri dhe kërcejmë, flasim, qeshim…

Ju jeni e lindur në Ulqin, na thuaj pse keni vendosur të lini vendlindjen dhe të jetoni në Kosovë?

Vendosa të vij këtu për studime, pasi më tërhoqi Universiteti Amerikan në Kosovë. Jam studente e vitit të tretë për Menaxhim dhe Politika Publike.

Pse nuk jeni shumë aktive me realizime muzikore (këngë, albume e videoklipe)?

Jam më shumë e koncentruar në studime dhe punë, prandaj nuk më del kohë për prodhimtari muzikore, të cilën kam dëshirë ta bëj me shumë kujdes.

Deri ku ka arritur bashkëpunimi në këngën e re me Pirro Çakon. Na thuaj diçka më shumë rreth këngës?

Nuk do të flisja me detaje, pasi nuk kam qejf të flas shumë, por të veproj. Kështu që, kur të dali, do ta shihni patjetër , ajo do të sillet nëpër media.

Mendoni t’i realizoni ndonjë klip kësaj kënge?

Po. Mendoj që videoklipi tashmë është mënyra më e mirë e promovimit të një kënge.

Me kë shoqëroheni më shumë nga estrada?

Janë emra me të cilët kam kënduar, si: Linda Halimi, Humus, Zanzi Band, Kthjellu, Andos e të tjerë me të cilët takohem shpesh dhe kalojmë shumë mirë bashkë.

Është e dashuruar Hana?

Jo, për momentin jam pa ndjenja.

Yllpress
YouTube Preview Image