Garuesit e Albulenës shënuan rezultate të mira në kik boks, ju-jitsu dhe karate – Video

March 22, 2011   | Intervista / Intervju, Sporti / Sport

Fillimi i muajit mars ka qenë i suksesshëm për Klubin “Albulena”, garuesit e të cilit kanë arritur rezultate të mira në kik boks, ju-jitsu dhe karate. Dy garues të klubit të kik boksit morën pjesë në “Mbrëmjen e Kampionit” në Tivar, një garues i tij fitoi medaljen e argjendtë në turneun “Robi Rajh Open” në ju-jitsu, ndërsa karateistët e tij të moshave të reja fituan 19 medalje në turneun Trofeu “Info Trans”. Kollari debutoi me fitore Kik boksieri i Klubit “Albulena”, Allmir Kollari, ka debutuar me fitore në meçin e tij të parë profesionist, në kategorinë -86 kg, disiplina low kick. Ai ka triumfuar në mënyrë spektakolare ndaj kundërshtarit të tij nga Klubi “Univerzum” nga Rozhaja, në parameçin e “Mbrëmjes së Kampionit”, që u mbajt më 5 mars në Tivar. Kollari është një garues me shumë perspektivë. Ai është kampion i dyfishtë i Malit të Zi dhe pretendent për reprezentues shtetëror në kategorinë e tij. Kik boksieri tjetër i “Albulenës”, Lubo Jankoviq, i cili po ashtu ka debutuar në një meç profesionist, ka qenë më pak i suksesshëm, pasi që ka humbur ndaj kundërshtarit nga Serbia.

Prodanoviq, i dyti në Maribor Garuesi i Klubit të Ju-jitsu-së “Albulena”, Nikolla Prodanoviq, ka fituar medaljen e argjendtë në Turneun tradicional ndërkombëtar “Robi Rajh Open 2011”, i cili u mbajt të shtunën në Maribor. Prodanoviq ka fituar ndaj garuesve nga Republika Serbe, Sllovenia dhe Kroacia, ndërsa në finale ka humbur nga garuesi nga Austria. 19 medalje në Trofeun “Info Trans” Karateistët e rinj të “Albulenës” kanë fituar 19 medalje, prej të cilave dy të arta, katër të argjendta dhe 13 të bronzta, në turneun Trofeu “Info Trans”, që u mbajt të shtunën në Podgoricë. Me medalje të arta u kurorëzuan Lejla Lihari dhe Anel Elezoviq, medalje të argjendta fituan Basro Sadikoviq, Gojko Popoviq, Nikolla Radinoviq dhe Marko Malishev, kurse të gjithë garuesit e tjerë pjesëmarrës të këtij klubi fituan medalje të bronzta. Sipas drejtuesve të KK “Albulena”, ky rezultat ka dëshmuar edhe njëherë kualitetin e madh të këtij klubi, sepse të 17 garuesit që morën pjesë në turne kanë fituar medalje.

i.k.
Koha javore


Jasmin Hot, trajner i Përfaqësueses së Malit të Zi

Federata e Karatesë së Malit të Zi ka zgjedhur trajnerin e Klubit të Karatesë “Albulena”, Jasmin Hot, trajner të Përfaqësueses së Malit të Zi për pionierë të vjetër dhe shpresa. Zgjedhja e tij është bërë falë rezultateve të mira, të arritura me KK “Albulena”. Jasmin Hot e ka filluar karrierën e tij si trajner në KK “Albulena” pesë vjet më parë pas një karriere të shkëlqyer si karateist. Në këtë klub ai ka bërë hapat e tij të parë në karate, për të kaluar më vonë me “Dinamo”-n nga Pançeva. Tri vjet ka mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Serbisë, me të cilën ka zënë vendin e pestë në botë dhe është shpallur nënkampion i Ballkanit në karate. Dy vjet ka qenë anëtar i KK “Buduqnost” dhe anëtar i Përfaqësueses së Malit të Zi, periudhë gjatë së cilës është shpallur kampion i Malit të Zi dhe ka zënë vendin e shtatë në Evropë. Si anëtar i Klubit të Ju-jitsu “Albulena” dhe anëtar i Përxfaqësueses së SMZ-së në Ju-jitsu ka qenë kampion i Ballkanit, ka zënë vendin e tretë në Evropë dhe vendin e shtatë në botë. Në vitin 2005 është shpallur sportisti më i mirë i Ulqinit.

YouTube Preview Image