Letërsia shqiptare në Mal të Zi – Thesar i pasur kulturor

March 22, 2011   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Natyrisht se letërsia shqiptare, gjatë zhvillimit të vet pesëshekullor, krijoi identitetin e vet artistik, duke përforcuar vlerat e veta konstante dhe të gjitha transformimet e veta shumëdimensionale. Me kalimin e kohës, karakteristikat e saj strukturore u ndryshuan, pothuajse sikur në të gjitha letërsitë europiane, qoftë si ndodhi të brendshme letrare, qoftë në raportme kontekstet joletrare.

Në Malin e Zi, në viset ku jetojnë shqiptarët, u lindën krijues të një rëndësie të madhe në letërsinë dhe kulturën e gjithëmbarshme shqiptare. Disa nga këta emra janë figura prominente të skenës intelektuale shqiptare, autoritete letrare, poetë, prozatorë, dramaturgë, përkthyes dhe teoricientë të letërsisë. Ndoshta mund të ketë ndodhur që fati e deshi që libri i parë, me të cilin fillon letërsia shqiptare, “Meshari”, një përkthim i Shkrimit të Shenjtë, të përkthehej dhe të botohej në vitin 1555 nga një klerik pikërisht nga këto anë, Gjon Buzuku, për të cilin supozohet se kishte lindur diku midis Ulqinit – Shasit – Shestanit – Tivarit. Mbase në bashkëjetesë eternale me Oktoihun malazez. Nuk është e rastit që edhe përkthimi i parë komplet i Biblës në gjuhën shqipe do të kurorëzohet pikërisht në vendin ku Buzuku e filloi para 5 shekujsh. Monsinjori Filipaj nga Kllezna e Ulqinit e përktheu mjeshtërisht, po me një talent të madh dhe e botoi në gjuhën shqipe Librin e Shenjtë integral. Kësaj tradite të shkrimit apo të përkthimit mund t’i shtohet edhe njëri nga përkthyesit e parë të Mevludit në vitin 1873, gjithashtu nga këto treva, Hafiz Ali Ulqinaku.

Më duhet të theksoj se në njëfarë dore pasqyra globale mbi letërsinë shqiptare në përgjithësi, madje edhe të asaj pjese të letërsisë shqiptare nga Mali i Zi, varej edhe nga rrethanat jashtëletrare, përkatësisht nga atmosfera e përgjithshme politiko-shoqërore dhe shoqëroro-kulturore dhe nga shkalla e zhvillimit të ndërlidhjeve kulturore reciproke midis dy popujve – gjatë shekullit të kaluar. Kjo letërsi ka qenë e panjohur për publikun lexues malazez. E krijuar në heshtje, në margjinë, një letërsi e bukur dhe e vlefshme priti me durim lexuesit e vet në gjuhën malazeze. Dhe ndodhi …, ndodhi pavarësia e Malit të Zi, pavarësimit të të cilit i dhanë kontribut edhe shqiptarët. Më në fund u hap edhe ajo arka e thesarit, çelësi i së cilës iu dha në duar të gjithë lexuesve të këtij libri, në mënyrë që ta kuptonin se ne nuk na lidh vetëm vendlindja, por edhe bota e universit, fati dhe sfida dhe se pavarësisht nga dallimet tona, ne jetojmë së bashku në të njëjtën botë dhe me të njëjtat hyjni. Përmbledhja e punimeve letrare e cila përbëhet nga 12 autorë shqiptarë nga Mali I Zi (Esad Mekuli, Nol Berisha, Rexhep Qosja, Idriz Ulaj, Zuvdija Hoxhiq, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Haxhi Shabani, Anton Berishaj, Anton Gojçaj) është një përzgjedhje nga opusi I gjerë i krijimtarisë së autorëve të përfaqësuar këtu në këtë edicion, me një kriter unik – vendlindjen. Jemi të vetëdishëm se vendlindja nuk duhet të jetë medoemos kategori e cila i lidh aq shumë në aspektin estetik autorët e ndryshëm dhe individët e disa gjeneratave, por gjithashtu, nga jetëshkrimi I autorëve më eminentë të traditave të mëdha letrare kuptojmë se vendlindja është ai guri që ka domethënien më të madhe për ta, të cilin e mbajnë gjatë tërë jetës, në mënyrë të vetëdishme apo të pavetëdishme, gjë që vërehet pashmangshmërisht në atmosferën estetike të veprave të tyre letrare.

Foto nga Tahir Tahiri

Ky material letrar, në poezi dhe prozë, është përzgjedhur nga këta autorë, jo për të krijuar ndonjë kategorizim të ri dhe të ndarë të letërsisë, por përkundrazi, që në këtë mënyrë, në formë të edicionit të tipit monografik, të afirmohet pikërisht vendlindja e tyre, e cila, nëpërmjet vlerave dhe realizimeve të llojllojshme, të kontribuojë në panteonin e çmuar dhe të padyshimtë letrar dhe shpirtëror të popullit shqiptar. Një pjesë e mirë e emrave të përfaqësuar në këtë edicion janë personalitete të njohura dhe autoritete të jashtëzakonshme në kulturën shqiptare.

Esad Mekuli, të cilin e quajtën patriark të letërsisë dhe të kulturës së Kosovës, mbasepër nga retorika njëri nga pasuesit e dalluar të Kërlezhës, prej atëherë kur filloi rrëfimin poetik, u shqetësua thellë dhe prandaj nuk flet për vdekjen e ngjyrave në natyrë, as për bukurinë e ndryshimeve dhe nuancave të tyre, por për jetën dhe vdekjen, për luftën dhe lirinë, për impulset dhe synimet qenësore të jetëve tona. Për jetën e cila i kundërshton edhe njeriut i cili dëshiron të jetë i lirë dhe gjithëherë dëshiron të jetojë aq sa edhe vetë shkëmbi. Ai padyshim është edhe poet social, por edhe poet në veprën e të cilit nuancat kanë kuptim dhe peshë të caktuar. Gjithësesi, Esadi i trajton problemet dhe fenomenet jetësore në mënyrën e vet origjinale dhe karakteristike, duke u mbështetur fuqimisht në vetëdijen klasore dhe njohjen e raporteve sociale, mirëpo ai në radhë të parë është edhe poet I senzibilitetit të theksuar, i mirësisë dhe ndjeshmërisë së njeriut i cili të gjitha plagët që i mban dhe nga të cilat vuan populli i tij i ndjen dhe i përjeton në trupin e vet dhe në shpirtin e vet. Do të thoja, është një sintezë midis Verlenit , Rembosë dhe Bodlerit.

Rexhep Qosja, themelues i prozës bashkëkohore shqiptare dhe i estetikës letrare, është padyshim njëri nga figurat poliedrike duke filluar nga letërsia e deri te filozofia, njëri nga kritikët dhe teoricientët më të mëdhenj të letërsisë në literaturën e gjithëmbarshme shqiptare. Kontributi i tij në shkencën e letërsisë lirisht mund të matet me arritjet e vetë institucioneve, kurse krijimtaria e tij letrare e imagjinuar, me metodologjinë dhe përmbajtjen e vet, ndikoi në vënien e bazave të të kuptuarit mordenist të traditës letrare.

Zuvdija Hoxhiq, vepra letrare e të cilit tejkalon kufijtë e cultures nacionale, njeri i cili bredh pas yllit të vet, klasicist i letërsisë malazezoboshnjako- shqiptare, i cili gjithmonë lufton kundër kufijve, madje edhe atyre imagjinarë midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, imagjinatës dhe asaj që ndodh në realitet, fiksionit dhe fakticitetit, të së vëretetës paradigmatike dhe përsëritjes ciklike të lumturisë.” Tema ballkanike e Zuvdija Hoxhiqit fillon të çmitizohet qyshse në tregimet e tij në përmbledhjen ‘Dimri’, monumentalizohet edhe në kontekstin e ngjarjeve ndërkombëtare në romanin “Vitet e Gucisë”, për t’u personalizuar edhe si lumturi edhe si dramë me të gjitha variacionet, duke u ngritur deri në shkallë universal përmes arketipit të simboleve si fat, si përvojë, si filozofi, si ajo pikë në të cilën pasqyrohet bota, në romanin Ylli i Davidit”, shënoi prof. dr. Basri Çapriqi.

Mehmet Kraja, përfaqësues i modernës dhe postmodernës shqiptare, është prozator i ndryshimeve të mëdha stilistike në prozën shqiptare, duke e përsosur mjeshtërisht strategjinë narrator komplekse në të cilën gërshetohen aventurat, ëndrrat, magjia, bota transcedentale, ndërrimet alkemike, vetëtransformimi, mashtrimi, vetëmashtrimi, pasqyra magjike etj. Ai bëri hapa të mëdhenj perms personazheve të tij edhe në konceptin e moralit shqiptar i cili në anakronizmin e vet është përjashtimisht konservator, patriarkal dhe i robotizuar, ka dije dhe kurajo që në planin ideor të përballet me bindjet e përgjithshme të cilat e konservojnë një shoqëri, me konceptet e rrënjosura mbi moralin, të cilat ngulfasin letërsinë dhe jetën e një bashkësie. Personazhet e Krajës pothuajse çdoherë nisen nga i njëjti ambient epik, ai I shpie diku larg, u vë kurtha të llojllojshme dhe i mahnit me pasione gudulisëse, në mënyrë që në fund, ndonëse nganjëherë me identitet të humbur, t’I kthejë nga atje për ku ishin nisur, ku edhe më në fund vdesin.

Basri Çapriqi, përfaqësues i modernës dhe postmodernës shqiptare, në poezinë e të cilit vie në shprehje ironia shumështresore, sidomos ajo paradoksale. Më së shpeshti – ironia ndaj tabuve dhe dogmave politike, idoleve dhe hyjnive, pritjeve të kota, besimit dhe mirëbesimeve të deridjeshme. Pjesa më e madhe e poezisë së tij përfshin përjetimet e njeriut të atij mjedisi, ku mungesa e lirisë dhe dhuna i ndrydhë të gjitha me murin e heshtjes, të vetëmbrojtjes me frikën dhe tmerrin. Së këndejmi poezia e tij mund të karakterizohet si poezi e pasojave traumatike, e frikës personale dhe etnike nga rreziku për ekzistencë, që është e rrallë por edhe e panjohur në poezinë modern europiane në gjuhë të tjera.

Këtu bëjnë pjesë edhe autorë të tjerë si Nol Berisha, Asllan Bisha, Idriz Ulaj, Anton Gojçaj… Ata hynë në letërsinë shqiptare pikërisht në saje të interpretimit të nuancur idiliko-letrar të mjedisit nga I cili vijnë, nga shkrepat e Malësisë, nga Krojet e Ali Pashës, nga Ulqini… gjithëherë duke u mbështetur në pasurimin e letërsisë me tema, personazhe, ngjarje pikërisht nga ai mjedis. Te shumica e tyre rikonstruksioni letrar i së kaluarës së vendlindjes është municioz, sepse veprat e tyre janë muze e vërtetë në tekstin pa të cilin njohuritë tona mbi të kaluarën e vendlindjes së tyre do të ishin shumë më modeste.

Foto nga Tahir Tahiri

Në poezinë e Ibrahim Berjashit, përdorimi i guximshëm i ngjyrave të thërret në përkujtimin e strategjisë poetike të Traklit (duart janë nga beronja, velat e anijes – të verdhë, piramida qiellore – e kaltër, muzat e liqenit – të bardha, dielli që lind – i verdhë)… derisa Haxhi Shabani demonstron shkathtësinë në det që pak a shumë është disciplinë e cila nënkupton kontrollin asketik të gjuhës dhe ekonomizimin e rreptë të vargut. Kurse poezia e Anton Berishës në letërsinë shqiptare shfaqet si model krejtësisht i ri, model që synon drejt trendeve pozitive të letërsive perëndimore. Është fakt se pjesa më e madhe e këtyre autorëve nuk jeton kaherë në këto vise, por në qendra të mëdha intelektuale, kulturore, arsimore dhe universitare, në të cilat sikurse edhe në mjedisin nga i cili janë, në Mal të Zi, janë jashtëzakonisht të çmuar dhe të respektuar. Ndër ata janë katër akademikë: Mekuli, Qosja, Hoxhiq dhe Kraja, vepra e të cilëve i tejkalon larg kufijtë e gjuhës dhe kulturës së tyre.

Tentativa që këta emra të përmblidhen Brenda këtij edicioni nuk i ndan as për një çast nga trungu i tyre letrar nacional dhe as veprat e tyre nuk i ndan nga jeta që ata jetojnë brendapërbrenda ligjshmërisë së tyre letrare dhe kulturore. Vendi dhe autoriteti i tyre në kulturën nacionale rriten tek ne ndjenjën e krenarisë që janë “pjesë e trungut tonë” dhe në mënyrën më të mirë të mundshme afirmojnë vlerat artistike, kulturore por edhe etike dhe etnike të Malit të Zi, të traditës dhe të bashkëjetesës. Edhe ky projekt i Qendrës së Mërgimtarëve të Malit të Zi dhe i Bashkësisë Nacionale të Malazezëve të Kroacisë e tregon dhe dëshmon këtë. Në emër të të gjithë atyre dhe në emrin tim, Ju faleminderit shumë…

Koha Javore

YouTube Preview Image

Amull, ana malit, Aruçij, Bardhij, Berjashij, Blaca, Bojkë, Bolejt, Brajshe, braticë, Brisku nelt, Brisku pasht, Çobaj, Cukaj, Curajt nelt, Curij pasht, Darzë, Demirijt, Dodaj, Dragaj, Dragoviq, Durakij, Fraskanjell, Gjecbritij, Gjenashej, Gjenciq, Gjyrjani, Hajdarijt, Hardajt, Hutij, Kacaj, Kaleci, Kalimani, Kanaqi, katerkollë, Klezna, Kodër, Kolonza, Kosiq, Kovaçej, Krajë, Kravari, Krythë, Lekperij, Leskovac, Liarja, Lihari, Likaj, Lisna Bore, Lubanijt, Madgueshi, Mali i Zi, Markashij, Maxhurej, Megjureç, Millajt, Millë, Montenegro, Mozhurë, ostros, peraj, Perashij, Pistull, Priftij, Qurkaj, Ramushje, Rastish, Reç, Runji, Salç, Shas, Shëngjergj, Shtodhër, Shtoji, Sjerci, Subashij, Sukobinë, Sutjell, Syrliq, Tafajt, ulqin, ulqini, Veliqi, Vuçkij, Zogaj,