Forca – Kumtese: Organizata Turistike

March 24, 2011   | Politika

Se ku është nisur dhe deri ku ka mbërritur turizmi i Ulqinit, qartë mund të shihet nga Kuvendi themelues i Organizatës turistike të Komunës së Ulqinit i cili është mbajtur dje.

Themelimi i organizatës turistike lokale, prej vitit 2004 është obligim ligjor.

Pra, kanë kaluar gati 7 vite dhe veç tani bëhet themelimi i Kuvendit dhe emrimi i Këshillit drejtues, mirëpo sipas traditës, pa të drejtë të pjesmarrjes së opozitës.

Vendimi mbi themelimin e Organizatës turistike të Komunës së Ulqinit është miratuar në vitin 2007, kurse kryetari i komunës Hajdinaga, veç tani ka vendosur të “respektojë” ligjin.

Normalisht, e tërë kjo bëhet pa kurrfarë raporti të punës së deritashme të ushtruesit të detyrës së drejtorit të OT dhe të nëpunësve partiak, të cilët prej më se një viti po punojnë dhe po i shpenzojnë parat nga buxheti dhe taksat e banimit.

Ne Hajdinagës i bëjmë dy pyetje:

1. Si mund ta themeloni Kuvendin e Organizatës turistike pa përfaqësuesit e Forcës të cilët e përbëjnë një të tretën e Kuvendit komunal të Ulqinit, gjegjësisht themeluesit të kësaj organizate, kurse përfaqesuesit e saj nuk janë ftuar në mbledhje?

2. Kush do të jap llogari për mjetet nga të ardhurat e anëtarësimit të cilat është dashur të vilen së paku tri vite?

Themelimi i organizatës turistike ishte i paraparë para tri vitesh dhe për këtë arsye edhe dokumentacioni ishte i përgatitur, mirëpo ajo tani është aktualizuar me qëllim që të tërheqet vëmendja në tema të tjera dhe populli të mendojë se pushteti ekzekutiv në Ulqin, më në fund pas katër vitesh e gjysëm, ka filluar të punojë.

Shpresojmë se për të gjitha këto por edhe për çështje të tjera, shumë shpejt do të bëhen shqyrtimet në seancat e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.

 

 

Shërbimi informativ i Forcës
YouTube Preview Image