Shqiptarët të diskriminuar në procesin e regjistrimit në Mal të Zi

March 29, 2011   | Rajoni / Region

Ulqin, 29 mars – Është e papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare që pyetësori dhe materialet e tjera për regjistrimin e popullsisë në Malin e Zi , për pjesëtarët e popullit shqiptar, të mos jenë në gjuhën shqipe, sikurse ka qenë në regjistrimet e mëparshme. Për ne shqiptarët një veprim i tillë diskriminues e antikushtetutes është i papranueshëm,- shprehet Këshilli Nacional i Shqiptarëve.

Kryetari i KNSH, Tahir Tahiri deklaroi ditën e martë për KosovaLive se “kërkojmë nga Monstat-i që të eliminojë sa më parë një akt të tillë, në të kundërtën ne nuk mund të jemi përgjegjës për pasojat eventuale.”

Tahiri thotë se problem të veçantë paraqet mospërfshirja, përkatësisht moslejimi i regjistrimit të diasporës sonë me elementet e identitetit, si: përkatësia nacionale, gjuha amtare dhe përkatësia konfesionale.

Me një veprim të tillë ne do të kemi diasporë të regjistruar, por pa identitet që është absurd i llojit të vet. Prandaj kërkojmë që Institucioni i MONSTAT-it, të menjanojë pengesën restriktive politike diskriminuese edhe të bëhet e mundshme regjistrimi i plotë i gjithë qytetarëve, pra edhe i bashkëkombësve tanë që përkohësisht gjendën në botën e jashtme.

Kryetari i KNSH nënvizon se shqetëson fakti së numri i regjistrueseve të popullsisë nuk është në harmoni me strukturën nacionale të popullsisë në komunat ku shqiptarët janë popullsi autoktone. Po ashtu shqetësues është fakti që zgjedhja e regjistruesve e instruktorëve u bë me kriteret politike pushtetare. Kështu p.sh. në Komisionin e Regjistrimit të Komunës së Tivarit, nga 7 anëtarë nuk ka asnjë anëtar shqiptar, megjithëse shqiptarët përbëjnë 12,5 % të popullatës!?

Veprimtari dhe kryetari i organizatës PAX nga Ulqini, Xhemal Mustafa- Perovic, që së bashku me KNSH në Ulqin kanë organizuar tryezë të rrumbullakët mbi regjistrimin e popullsisë, thotë se “Në Malin e Zi është duke u zhvilluar një fushatë selektive nga subjekte të ndryshme, ku janë kyçur edhe institucionet shtetërore, sidomos prin për njëanshmëri Televizioni publik i Malit të Zi.”

Xhemali thotë se ka dy djem në botën e jashtme edhe ata sipas këtyre kritetereve që imponon MONSTAT-i nuk mund të jenë më shqiptarë, por qytetarë të Malit të Zi. Në lidhje me këto çështje, njoftojmë opinionin, së do të bëjmë ankimime në adresat relevante vendore dhe ndërkombëtare.

 

KOHA NET

2