Podgorica hesht rreth kalimit kufitar me letërnjoftim

April 4, 2011   | Politika

Podgoricë, 4 prill – Janë bërë dy vjet e më shumë qysh se subjektet politike shqiptare autoriteteve malazeze dhe atyre shqiptare u kanë kërkuar kalimin kufitar vetëm me letërrnjoftim, por edhe sot e kësaj dite kjo ka mbetur e parealizuar.

Kohë më parë, nënkryetari dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, kishte deklaruar për KosovaLive se kjo parti parlamentare me këmbëngulje kërkon realizimin e iniciativës që qytetarët e zonave kufitare etnike shqiptare në Komunën e Ulqinit, Tivarit, Tuzi dhe Plavës, pikat kufitare t’i kalojnë me letërnjoftim.

“Kjo kërkesë e jona përsëritet tash disa vite dhe vazhdimisht është premtuar jetësimi i saj nga të dy qeveritë, Podgoricës dhe Tiranës, por shqiptarët e këtyre zonave vendkalimet kufitare duhet t’i kalojnë ende me pasaportë. Kroatët nga Boka e Kotorrit këtë mundësi për të hyrë në shtetin e tyre amë, Kroaci në pikën kufitare Debeli Brijeg e gëzojnë tash dy vjet”, shprehet Nimanbegu.

KosovaLive nga burimet e saj jozyrtare të Ambasadës shqiptare në Podgoricë, meson se Tirana tash dy javë i ka dorëzuar kërkesën Podgorices që shtetasit e të dy vendeve fqinje, jo vetem ata te zonave kufitare, pikat kufitare t i kalojnë me karta biometrike të identitetit.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, Podgorica zyrtare ende nuk i është përgjigjur Tiranës.

Shqiptarët e zonave kufitare të Ulqinit, Tivarit, Malësisë dhe Plavës, të cilët kanë komunikim të përditshëm ndërkufitar, sidomos studentët, apelojnë të të dy qeveritë që kjo kërkesë të jetësohet sa më parë.

 

KOHA NET
YouTube Preview Image