Kosovarët turistët më besnik të Ulqinit

April 10, 2011   | Shoqëria / Društvo

Oferta turistike e Ulqinit, është njëra ndër më të mirat për qytetarët e Kosovës. Nuk ka nevojë shumë këtu për marketing të turistëve, por më shumë për falënderime. Mbi 70 për qind e turistëve që vizitojnë plazhet e Ulqinit janë nga Kosova e cila është rekorde, tha Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit.

Ai shtoi se nuk ka nevojë për shumë fjalë, por dihet fakti që reklama dhe propaganda luajnë rol të rëndësishëm në rrjedhat turistike dhe është dashur të vijnë në panair. “Qytetarët e Kosovës cilësohen si vizitorët më të mëdhenj të Ulqinit dhe i falënderojmë që zgjedhin Ulqinin për pushime”, tha Gëzim Hajdinagaj.

Ai i fton përsëri turistët më besnik të këtij vendi që edhe gjatë kësaj vere  turistike të pushojnë në bregdetin e Ulqinit në numër sa më të madh. Infrastruktura është përmirësuar  dukshëm, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë të arsyeshme dhe konkurrente me vendet e  rajonit. Kryetari i Komunës, tha se Ulqini, vazhdon të jetë destinacion tërheqës, dhe kanë bërë investime për përmirësimin e infrastrukturës në tërë qytetin.

Oferta turistike e këtij qyteti është shumë e pasur. “Jemi optimist se do të kenë rezultate të mira gjatë sezonit turistik, pavarësisht krizës ekonomike që kaploi rruzullin. Tash pala kosovare ka ftesën për turizëm në Ulqin dhe tani kanë mundësi që të shohin se çfarë ka bërë pushteti lokal për këtë vit”, tha Gëzim Hajdinaga.

Ai tregoi se kanë investuar në pastërti në ndriçim, në infrastrukturë, gjë që do të vërehet po sa të mbërrini në Ulqin. Sipas tij, qeveria dhe qytetarët e Malit të Zi, janë të vetëdijshëm, ku kosovarët janë një ndër çështjet prioritare për t’u ofruar komoditet. I pari i komunës  tregoi se Ulqini si komunë me vetëm 25 mijë banorë, gjatë 70 ditëve të sezonit arrin deri në 130 mijë banorë turistë. Sipas tij kjo flet për një rritje prej 100 mijë banorëve në Ulqin gjatë 70 ditëve.

Kryetari tregoi se sezona turistike e vitit të kaluar ka qenë një ndër më të suksesshmet  në disa dekada. “Na gëzon të gjithëve është numri gjithnjë e në rritje i turistëve të huaj të cilët preferojnë për pushime në këtë kohë të krizës universale Ulqinin si destinacion të tyrin”, tha Gëzim Hajdinaga.

Autostrada Morinë-Milot ishte në favorin e Ulqinit ashtu siç edhe kishte paralajmëruar kur është ndërtuar. Kosova tashmë është shumë më afër Ulqinit. Kryetari tregoi se pos turistëve kosovar, numri më i madh i turistëve të interesuar është edhe nga Bosnja dhe kanë arritur ti kthejnë mysafirët e vjetër nga Gjermani, Polonia, Qekia, Sllovakia, Hungaria, Italia dhe ka edhe nga Rusia. I pari i komunës tha se tashmë kanë nisur përgatitjet për sezonin 2011 2012 dhe i falënderojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që po vizitojë Ulqinin dhe kërkojnë që Ulqinin mos ta lënë pas dore, por ta kenë prioritet.

Ndërsa Ali Rexha, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit, tha se bregdetin që kanë bërë prezantime të shumta nëpër vendet perëndimore, ku kanë arritur të nxisin turistë të shumtë. “Ne e kemi ruajtur tregun e Kosovës, ku e konsiderojmë si lokomotivë e turizmit Ulqinak”, ka shtuar ai. Por sipas drejtorit të Organizatës së Turizmit, struktura e mysafirëve tregon se është ruajtur tregu tradicional nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria të cilët përbëjnë 71.4 për qind të mysafirëve.

“Njëkohësisht po kthejmë mysafirë nga rajonet e afërta – Bosnja, nga Evropa Lindore e Qendrore – Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, Rumania, Rusia. Shihet edhe rritja e numrit të mysafirëve dikur shumë prezentë e të mirëseardhur nga Gjermania dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore me një përqindje prej 16.6 për qind.

Ndërsa Luigj Shkreli, kryetar i Asambles Komunale të Ulqinit dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, tha se kosovarët do që zgjedhin për turizëm ku duan nuk do të jenë gabim. “Ulqini sivjet ka përgatitur shumë më shumë hapësira për të kuptuar më shumë rreth këtij vendi, ku do të mbeteni kureshtarë edhe për vitin e ardhshëm që të vizitoni dhe të kuptoni diçka më shumë”, tha Luigj Shkreli.

 

Besim TOSKA
Kosova Info

YouTube Preview Image