Asociacioni Ulqini: Libra me vlerë shkencore

April 11, 2011   | Kulturë / Kultura

Asociacioni “Ulqini” promovoi librat “Glosar – fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit” dhe “Flota shekullore detaro-tregtare e Ulqinit”
Ulqin – Asociacioni “Ulqini” promovoi të mërkurën në Bibliotekën e Qytetit librin e autorit Hajro Ulqinaku “Glosar – fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit” dhe librin e dr. Maksut Haxhibrahimit “Flota shekullore detaro-tregtare e Ulqinit”. Kryetari i këtij asociacioni, Gazmend Çitaku, tha se po fillojnë vitin 2011 me një edicion të ri. Ai tha se që nga themelimi i tij në vitin 2006, Asociacioni “Ulqini” ka botuar rreth 30 publikime. Libri “Glosar – fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit” është ribotim i plotësuar dhe është botuar në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Autori i tij, Hajro Ulqinaku, tha se për botimin e këtij fjalorthi ka qenë e nevojshme një punë shumëvjeçare, e cila ka filluar që kur ai ishte student. “Glosar”-i është botuar për të parën herë në vitin 2003, por për shkak se “nëpër fletore, nëpër libra, kishin mbetur fletë të fjalëve, shprehjeve të pabotuara”, ai ka vendosur ta plotësojë dhe ta ribotojë atë. Sipas Ulqinakut, “Glosar“-i nuk është libër leximi, por libër shkencor që u intereson njerëzve që merren me gjuhë. “Është po ashtu libër që do të duhej ta kishin nëpër shtëpitë e veta njerëzit e Ulqinit, sidomos detarët e moçëm, kapidanët etj.”, tha ai. Dr. Maksut Haxhibrahimi duke folur për rëndësinë e librit të Hajro Ulqinakut, tha se po ta kishte pasur në dorë Eqrem Çabej këtë libër, do ta kishte shumë më lehtë t’i përgjigjej Vajgandit.
Sipas tij, edhe përkthyesi i “Iliadës” do të na jepte më saktë në shqip këtë vepër të madhe të antikitetit grek sikur të kishte pasur në dorë fjalorin e Hajro Ulqinakut. Një vlerë tjetër e këtij libri, sipas Haxhibrahimit, qëndron në faktin se ai përbën “një ndihmesë të vyer edhe për dialektologjinë historike e veçanërisht për kuptimet e reja të fjalëve deri tani të panjohura ndër fjalorët e shqipes”.

Për librin “Flota shekullore detaro-tregtare e Ulqinit” të dr. Maksut Haxhibrahimit foli Hyrije Hoxha, profesoreshë e historisë. “Ky libër është hartuar me qëllim që lexuesit të cilët interesohen për detin, kusarinë, piraterinë dhe flotën tregtare ulqinake të njihen me historikun e lundrimeve detare dhe rrugën që ka ndjekur zhvillimi i anijeve detare si dhe veprimtarinë e rëndësishme tregtare që zhvilluan ulqin akët”, tha ajo. Hoxha tha më tej se në faqet e këtij libri “duke u mbështetur në materiale të botuar herë pas here, si dhe në të dhënat e arkivave të ndryshme, janë dhënë edhe disa nga ngjarjet kryesore të historisë së zhvillimit të flotës detare ulqinake dhe të heroizmave të detarëve tonë ulqinakë”. Librat “Glosar – fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit” dhe “Flota shekullore detaro-tregtare e Ulqinit” janë botuar me mbështetjen Ministrisë së Financave, nëpërmjet konkursit të lojërave të fatit. Përurimi i tyre u bë në kuadër të veprimtarive kushtuar Ditës së Ulqinit.

i.k.
Koha javore

1