Bardhi: LIRIA ishte, është dhe mbetet mbi të gjitha – Video

April 12, 2011   | Shtypi / Mediji

Fjala përshëndetëse e Mehmet BARDHIT, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, në manifestimin e koktejin, që e organizoi LD në MZ, në Tuz, më 04.04.2011, me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë

 

Të nderuar anëtarë të Lidhjes Demokratike, anëtarë të Kryesisë së LD në MZ-së,kryetarë të degëve LD në MZ-së,

Të nderuar mysafirë nga Shqipëria, Kosova e diaspora,

Të nderuar të pranishëm,

 

Ju përshëndes ngrohtësisht dhe ju uroj mirëseardhje në këtë pritje, koktej,  me rastin  e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë

 

Ju, që në hapje, në fillim, e dëgjuat fjalën e kryetarit të Degës së Malësisë, të LD në MZ, zotëri Nikollë Camaj, madje anëtarët e Lidhjes Demokratike e dinë, po edhe të tjerët që kanë përcjellë aktivitetet e shumta politike, atdhetare, kombëtare, kulturore e arsimore të LD në MZ-së, se LD-ja  që nga themelimi, në programin e vet ka parapa, që gjithherë, varësisht prej mundësive, kryesisht atyre financiare, të shënojë e përkujtojë në mënyrë të organizuar  datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Njëra ndër këto është edhe përkujtimi i Kryengritjes së Malësisë , respektivisht 6 Prilli.

Këtë ngjarje të rëndësishme  kombëtare, kur shqiptarët edhe në fundin e sundimit  të Perandorisë Otomane, vazhduan me të njëjtën energji e vendosmëri të luftojnë për LIRI, PËR KOMB E PËR SHQYPNI, si kundër sundimit pesëshekullor po edhe sulmeve zaptuese të ushtrive malazeze të knjazit e krajlit të Cetinjës.

 

Shpallja e kushtrimit për luftën çlirimtare jehoi fort në Malësi, si edhe në viset e tjera. Por në Malësi gatishmëria ishte edhe më e fortë, pasi duhej luftuar edhe për të çliruar dhe për të mbrojtur vendin  nga zaptuesit e rinj, të Cetinjes. Pra, njanin duhej me e dëbua, kurse tjetrin mbrenda mos me e lëshua. Për këtë arsye edhe Kryengritja e Malësisë, me gjithë përfundimin (e njohur), ajo shënon e dëshmon vendosmërinë e luftës së drejtë të shqiptarëve për liri.

 

Burri i Maleve e trimi Dedë Gjon Luli, i cili u dëshmua që në luftën bashkë me Oso Kukën (në Vraninë), diti të prijë pa u ndalë në luftat për liri, deri në fundin e jetës së tij, kur e vranë në pabesi “…ata që e vrasin kombin shqiptar tash një mijë e treqind vjet…”.  Ngritja e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Bratilë. Pastaj Memorandumi i Greçës, (23 qershor 1911 afër Trieshit) kur Ismail Qemali së bashku me Luigj Gurakuqin përgatiten  Memorandumin drejtuar Portës …janë data që do të përkujtohen me respekt e falënderim.

 

Organizimi Kryengritjes së Malësisë u ndihmua nga brenda dhe nga jashtë vendit nga atdhetarët, si: Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë bashkëkombas patriotë…

Të nderuar të pranishëm.

Unë këtu nuk bana histori. Por besoj se historia na tregon qartë, drejt e pa gabime, nga e cila duhet me mençuri të mësojmë edhe ne sot.

Tradhtia ishte atëherë, por fatkeqësisht edhe sot. Shitja te i huaji  për favore  postesh e shpërblime materiale edhe sot të një numër politikanesh shqiptarë, fatkeqësisht me tepër se kurrë  ka zënë vend dhe po ia zë frymën  angazhimeve për liri, demokraci, dinjitet kombëtar e mirëqenie për të gjithë.

Prandaj porosia e të gjitha porosive  dhe mësimi nga historia është se  LIRIA ishte, është dhe mbetet mbi të gjitha.

 

 

Lavdi trimave që dhanë jetën për  vendin, kombin e Shqipërinë.

YouTube Preview Image