Prishtinë-Podgoricë, gati për shkëmbimin e ambasadorëve

May 1, 2011   | Shtypi / Mediji

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i MAPL-së, Slobodan Petrovic, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Malin e Zi. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe shkëmbimi i informatave për çështjet që lidhin fushat me interes për dy vendet u diskutuan mes ministrit Petrovic dhe ministrave të Malit të Zi, atij për të Drejtat e Pakicave, Ferhat Dinosha, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ivan Brajoviq.

Vizita e Petrovic-it realizohet vetëm pak ditë pasi që Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë vendimin e saj për të pranuar komunitetin pakicë malazez dhe atë kroat në Kosovë, që pritet të përfshihet në kuadër të procesit për ndryshimet kushtetuese, për të cilat tashmë ekziston akordim i plotë.

Ky vendim është vlerësuar lartë në të gjitha takimet që ministri kosovar ka zhvilluar në Podogoricë. Me këtë rast është nënvizuar gatishmëria e Malit të Zi që, në një periudhë optimale, të realizohet edhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy vendeve, njofton Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

Ndër temat e diskutimit kanë qenë edhe refugjatët kosovarë, të cilët përkohësisht jetojnë në Mal të Zi. Në takime u diskutua edhe mundësia e sensibilizimit të mëtutjeshëm të procesit të binjakëzimit midis komunave të dy vendeve.

Telegrafi