Gjuha gjermane në shkollat e Ulqinit që nga klasa e parë

May 9, 2011   | Kulturë / Kultura

Në gjashtë vitet e fundit, në shkollat e Ulqinit, lëndën e gjuhës gjermane e ligjerojnë dhe profesorë nga Gjermania. Ky projekt i Qeverisë Gjermane ka zgjuar interesim të madh tek nxënësit dhe prindërit.

Gjuha është diçka më shumë se sa vetëm një mjet komunikimi. Gjuha është çelësi për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, mjet i cili të ofron shoqëri dhe mundësi të reja. Mësimi i gjuhës dhe njohja e kulturës gjermane kanë vite e dekada që janë institucionalizuar në sistemin edukativo – arsimor në Mal të Zi , por duke filluar nga shtatori i këtij viti në shkollën më të madhe të Ulqinit do të jetësohet ideja e ambasadorit të Gjermanisë në Podgoricë Peter Platte, që fëmijët të mësojnë gjuhën gjermane që nga klasa e parë.

Interesimi i madh për gjuhën gjermane

Lidhur me këtë, drejtori i shkollës Martin Zadrima në mikrofonin tonë thotë se interesimi është shumë i madh .

“Ende presim që prindërit të regjistrojnë fëmijët dhe normalisht si gjuhë fakultative e huaj do të jetë edhe gjuha gjermane”, thotë Zadrima . Ndryshe me përkrahjen e qeverisë Gjermane ka gjashtë vite që në shkollat fillore dhe të mesme në Ulqin ligjërojnë mësimdhënës nga Gjermania.
“Është ky një sukses mjaft i madh dhe normalisht që nxënësit tonë vazhdojnë edhe shkollimin e mesëm dhe në gjimnazin tonë vazhdojnë të mësojnë gjuhën gjermane. Kjo ka një përparësi që ata marrin diplomë dhe mundësi të vazhdojnë shkollimin e lartë edhe në fakultetet në Gjermani, Zvicër apo Austri”, pohon Martin Zadrima.

Përvojat e profesorit gjerman Në orën e mësimit të profesor Bernt Vogel nxënësit janë aktiv. Ai shprehet i kënaqur me arritjet e tyre. ” Nxënësit e mi janë shumë të interesuar për mësimin e gjuhës gjermane. Disa nga ta arrijnë që në gjimnaz të pajisen me diplomën të ashtuquajtur të vogël, e kjo është një arritje e mirë për ta. Ndërkaq më të mirët arrijnë të marrin diplomën e madhe, e cila më vonë u mundëson që të vazhdojnë studimet në Gjermani”, shpjegon ai.Gjermanisht me dashuri…Gjermanisht me dashuri…

Profesor Vogel, duke përshëndetur nismën që fëmijët që në klasën e parë të fillojnë të mësojne gjuhën gjermane, thotë se nxënësit të cilët janë dalluar në mësimin e gjuhës gjermane, tani me sukses po studiojnë në universitete të Gjermanisë dhe Austrisë.

“Momentalisht janë duke studiuar 7 studentë në Gjermani e dy në Austri. Disa nga ta marrin nga 750 euro bursë studentore nga shteti gjerman dhe disa të tjerë edhe nga 1000 euro. Kjo nuk do të thotë se ata nëse i mbarojnë studimet e larta në Gjermani do të mbeten atje. Ata mund të kthehen dhe të japin kontributin e tyre në Mal të Zi”, shpjegon Vogel.

Të gjithë të kënaqur

Nismën që gjuha gjermane të fillojë menjëherë që në klasë të parë e përshëndesin të gjithë. Profesor Ismet Karamanaga i cili vite të tëra ka punuar në arsim dhe turizëm, në mikrofonin e Deutsche Welle-s thotë: “Gjuha e huaj duhet të fillohet që nga fëmijërija. Fëmijët tanë gjithmonë e kanë folur gjuhën gjermane, e unë mund të deklarohem publikisht se 66% e popullatës së Ulqinit e ka folur gjuhën gjermane deri ne vitet e nëntëdhjeta.”

Globalizimi dhe lëvizja e lirë e qytetarëve zgjojnë desëhira dhe ambicje të shumta. Gjermania sot është një nga vendet lider në kontinent dhe në botë nga drejtohen sytë e shumë njerëzve nga vende tjera. Falë projektit që po realizohet viteve te fundit, edhe të rinjtë e këtij qyteti të vogël bregdetar në Mal të Zi ëndërrat e tyre po i bëjnë realitet.

Vera Katana
DW
YouTube Preview Image