Adën e Ulqinit po e hanë ndërtimet

May 10, 2011   | Rajoni / Region

Ulqin, 10 maj – Njëra ndër pushimoret më atraktive në Detin Adriatik, plazhi nudistik me renome ndërkombëtare në grykën e lumit Buna, është duke u “fundosur” dhe kjo humbje në det ka filluar në dy dekadat e fundit si rezultat i pakujdesisë njerëzore dhe shtetërore.

Mali i Zi, edhe pse në fillim të këtij shekulli është shpallur shtet ekologjik, në breg të pushimores së njohur nudistike Ada dhe në Grykën e lumit Buna ka lejuar  ndërtimin ilegal të mbi 500 vilave dhe restoranteve, që kanë degraduar këto dy ambiente më atraktive, jo vetëm në bregdetin e Ulqinit, por edhe atë të Adriatikut, njofton KosovaLive.
“Vetëm në gjashtë vitet e fundit, janë zhdukur mbi 15 metra të plazhit të pushimores Ada. Ky proces ka përfshirë edhe Plazhin e madh fqinj edhe pse më pak bie në sy kjo për shkak të gjatësisë së saj”,- shprehet Xhelal Hoxha, kryetar i organizatës së mirënjohur ekonlogjike ndërkombëtare me seli në Ulqin , “Hapi i gjelbër”.

Ai shton se shteti sikur nuk e vëren fenomenin e humbjeve të plazheve më të bukura, të cilat janë resurset kryesore të zhvillimit ekonomik të këtij vendi, turizmit.

Publicisti dhe turizmologu, Mustafa Canka nënvizon se gjerësia aktuale e Adës arrin deri në 10 m, 5 herë më e vogël se sa ishte më parë. Sipas tij, ky është rezultat i pagatishmërisë së shtetit për të investuar mjete financiare, të cilat, vërtetë, Malit të Zi i mungojnë.

Ndërmarrja publike që menaxhon bregdetin,”Të mirat detare” me seli në Budvë, merret vetëm me monitorimin e kësaj riviere. Pakujdesia shoqërore po i “fundos” dy plazhet më të bukura në rajon, pretenduese të qendrës evropiane të turizmit të qëndrueshëm ekologjik.

Koha Net
YouTube Preview Image