Shqiptarët jo unikë as për Kodin zgjedhor as për kishën në Rumi

May 10, 2011   | Bota

Podgoricë, 10 maj – Ligjvenësit e partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, nuk janë duke treguar unitet mes veti rreth disa çështje shumë të rëndësishme, jo për subjektet partiake parlamentare, por mbi pozitën e kësaj popullate në Malin e Zi.

Shembulli më i mirë i mosunitetit të tyre është Kodi i ri zgjedhor , i cili tash sa kohë sillet vërdallë nëpër seancat e Kolegjiumit të kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi.

Klubi i deputetëve shqiptarë është deklaruar që më kohë se drafti ligjor është i papranushëm, meqë shqiptarëve u bën të pamundur realizimin e të drejtave të arritura, njësinë e posaçme zgjedhore dhe pesë përfaqësues autentikë në Parlamentin shtetëror të Malit të Zi.

“Këto janë norma kushtetutare edhe “nuk janë kontestuar tash 12- 13 vjet, as në referendum mbi shpalljen e shtetit të pavarur të Malit të Zi në vitin 2006”,- është shprehur më herët për Kosovalive Genci Nimanbegu, deputet i Forcës së Re Demokratike, duke shtuar se koalicioni qeverisë dëshiron të lë shqiptarët vetëm me dy deputetë. Kjo për ne është e papranueshme.

Edhe shefi aktual i Klubit të deputetëve të partive opozitare shqiptare, Amir Hollaj , si dhe kolegu i tij nga Lidhja Demokratike, Mehmet Bardhi, propozimet që ka ofruar Kolegjiumi i kryeparlamentarit, për ne kuvendarët shqiptarë janë të papranueshme.

Në këtë fazë të përshpejtimit të arritjes së formësimit të Ligjit zgjedhor, edhe miratimit të tij eventual në Parlament më 31 maj, nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, si pjesë e bashkërenditjes qeverisëse, nuk ka pasur asnjë prononcim.

Se shqiptarët nuk janë unikë, dëshmon edhe objekti ilegal që ka ngritur Kisha Ortodokse Serbe, me qëllim të “përvehtësimit” të trojeve shqiptare, rrënimin e saj e kërkon vetëm Lidhja Demokratike.

Analoge me këtë, Partia Socialdemokratike, pjesë e koalicionit me socialistët e Gjukanoviqit, ministrat e saj braktisen qeverinë edhe ishin unikë: nuk kthehemi derisa të skajohet kisha ilegale në Shën Stefan. Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, kisha serbe u rrënua.

Partitë shqiptare, ata në opozitë, apo Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Qeveri, nuk tregojnë këmbëngulje për të hequr kishën serbe nga maja e malit të Rumisë, as nga ujdhesat e liqenit të Shkodrës.

Koha Net