Mali i Zi mund të lobojë për Kosovën – Video

May 26, 2011   | Rajoni / Region

Prishtinë, 26 maj – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Malit të Zi, Milan Roçen, me të cilin diskutoi për një varg çështjesh rreth marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona dhe zhvillimet e përgjithshme në rajon.
Presidentja Jahjaga shprehu në takim kënaqësinë për marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, duke theksuar se dy marrëveshjet e nënshkruara sot, janë në funksion të thellimit të bashkëpunimit dhe të gjetjes së zgjidhjeve për pasojat që ka lënë lufta.
Ajo shprehu falënderimin për faktin se Mali i Zi është nga shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, gjë që ka simbolikën e saj, sepse të dyja vendet paraqesin përfundimin e  shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës i japin përkrahje të plotë nismës për përkufizimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, si dhe nismës që të hapet pika kufitare në Çakor dhe që të dy pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Mali të Zi të jenë pika kufitare të përbashkëta.
“Rruga e përbashkët e vendeve tona është rruga e integrimeve euroatlantike, anëtarësimi në BE dhe në NATO. Në këtë rrugë duhet të bashkëpunojmë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse e ardhmja e gjithë rajonit është në Evropë”, tha presidentja Jahjaga.
“Presim, si deri më tash, që Mali i Zi të angazhohet dhe të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizatat rajonale si dhe që Mali i Zi të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës tek vendet mike të saj dhe sidomos tek vendet e painkuadruara”, vijoi ajo.
Presidentja Jahjaga gjithashtu theksoi se është në interesin e të dyja vendeve që të intensifikojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, edhe ekonomike edhe kulturore, sepse kjo e ndihmon prosperitetin e të dyja vendeve.
Ministri Roçen, pasi uroi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e saj, tha se zgjedhja e saj paraqet zhvillim me rëndësi jo vetëm për Kosovën dhe Ballkanin, por edhe më gjerë.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi janë shumë të mira dhe këto marrëdhënie do të zhvillohen dhe konkretizohen edhe më tej. Gjithashtu, ai u shpreh se do të vazhdohet tradita e mirë e miqësisë mes të dy vendeve. Në këtë plan, ai theksoi se pjesëtarët e pakicave janë urë e mirë lidhëse mes popujve.
Ministri Roçen gjithashtu theksoi se vendi i tij do t’i ndajë me Kosovën përvojat e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

KOHA NET


http://video.kosovapress.com/repository/videos/260511_vizita_ministrit_jashtem_malit_zi.flv