Calimera mbledh në Ulqin emra të shquar të letërsisë – Video

June 7, 2011   | Kulturë / Kultura

Ulqin, 7 qershor – Të organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, manifestimi tradicional “Calimera” /Ish-Kalimerja poetike/, sjell në Ulqin këtë fundjavë emra të mirënjohur jo vetëm të letërsisë shqipe.
Kryetari i kësaj shoqate të mirënjohur të zhvillimit dhe promovimit të kulturës shqiptare në Mal të Zi, Mr. Haxhi Shabani tha ditën e martë për KosovaLive se edicioni i sivjetmë i këtij manifestimi letrar, këtë javë Ulqinit do t’i sjellë personalitete të shquara të letërsisë bashkëkohore shqipe. Kështu, shkrimtarit Agron Tufa nga Shqipëria i kushtohet ditën e premte një mbrëmje autoriale mbi veprimtarinë e së cilit do të flasë studiuesi nga Qendra e Studimeve Albanalogjike të Tiranës.
Po ashtu nga Tirana në edicionin e sivjetëm të “Calimerës” me një mbrëmje autoriale promovohet edhe krijimtaria letrare e poeteshës, Mimoza Ahmeti. Mbi opusin e saj krijues letrar flet studiuesi nga Prishtina, Dr.Kujtim Rrahmani.
Ndërkaq, nga letërsia botërore para auditoriumit ulqinak prezantohet shkrimtari Gilbert Beers. Mbi veprimtarinë e tij letrare do të flasin Mr. Anton Gojçaj, ligjërues i Letërsisë për fëmijë në Universitetin e Podgoricës dhe Diana Rexha, përkthyese nga Ulqini.
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me këtë rast promovon edhe përzgjedhjen e pesë autorëve shqiptarë në Malin e Zi. Kjo është dalja më e kompletuar edhe më serioze e themeluesve të letërsisë shqipe në Malin e Zi, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Haxhi Shabani dhe Anton Gojçaj. Mbi këtë përzgjedhje do të flasin Andrej Nikollaidis, njëri ndër kritikët më të spikatur të letërsisë moderne malazeze, studiuesi nga Shkodra, Dr.Arben Prendi dhe Mirsad Muliq, drejtor i Qendrës për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave.

KOHA NET
Foto: Sabina Osmanovic Facebook


YouTube Preview Image