Autori Muzafer Çaushi përuroi librin e tij të dytë – Svako mora imati nekoga

June 8, 2011   | Kulturë / Kultura

Kronikë rrëfimtare për qytetin e lindjes

Autori Muzafer Çaushi i prezantohet publikut me librin e tij të dytë “Svako mora imati nekog” (Çdokush duhet të ketë dikë), përurimi i të cilit u bë të hënën në mbrëmje në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.
Libri është përmbledhje në të cilin janë përfshirë 12 tregime. Shkrimtari dhe publicisti Andrej Nikolaidis, duke folur për librin e Çaushit, tha se në të vërehet një përparim i pakontestueshëm në krahasim me librin e tij të parë.
“Libri i ri i Muzafer Çaushit është një përmbledhje serioze dhe libër i shkruar me shkathtësi.
Që në librin e tij të mëparshëm debutues, Çaushi në vete ka tërhequr vëmendjen e adhuruesve të letërsisë. Libri i tij debutues ka qenë i mbushur me melankoli dhe kujtime për një të kaluar më të mirë. Libri i dytë ruan tonin themelor të kaltërt, por i shton valerët e errët”, theksoi ai.

Duke e konsideruar librin si “një hap të ri dhe të madh përpara drejt letërsisë së vërtetë”, Nikolaidis u shpreh se “letërsia malazeze dhe letërsia e shqiptarëve në Mal të Zi me Çaushin kanë fituar një autor me vlerë”.
Kritiku Qazim Muja tha se tregimet e Çaushit dëshmojnë për hulumtimin e një rrëfimtari tanimë të shkathtë dhe të pjekur i cili përpiqet dhe arrin që në pasqyrat rrëfimtare në mënyrë ciklike, të shfaqë dilemat dhe ankthin e kohës në të cilën jeton.
“Edhe pse tërësisht të pavarur, tregimet e tij njëkohësisht bëhen pjesë e një gjerdani që artikulohet si kronikë rrëfimtare për qytetin e tij të lindjes, të njerëzve të tij, qoftë të atyre që jetojnë aty, qoftë të atyre që jetojnë në vende të ndryshme të botës”, theksoi ai.
Folësja tjetër Lenka Toshiq tha se të gjithë që e kanë lexuar librin, e kanë përjetuar atë në mënyra të ndryshme. Ajo theksoi se është e entuziazmuar sidomos me tregimin e parë “Çdokush duhet të ketë dikë”, sipas të cilit e ka marrë titullin edhe libri. “Autori nuk përpiqet të na tregojë kurrfarë të vërtete. Ai nuk ofron kurrfarë përgjigjeje. Ai vetëm na e tregon jetën dhe pastaj na sygjeron të bëjmë me të atë që dimë. Personazhet e tregimeve të tij kanë bërë pikërisht atë që kanë ditur”, u shpreh Toshiq.
Autori i librit Muzafer Çaushi tregoi për motivin që e ka shtyrë për të shkruar librin, për t’iu futur siç tha ai, kësaj pune të vështirë, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të shkruajë edhe librin e tretë.
Për pjesëmarrësit ai lexoi një fragment nga tregimi “Dark waltz”. Përmbledhja e tregimeve “Svako mora imati nekog” është botuar nga Asociacioni “Plima”, ndërsa përurimi i këtij libri u organizua nga Biblioteka e Qytetit në Ulqin.

i.k.
Koha javore
YouTube Preview Image

4