Ekspozitë e Agron Ujkashit në Kalanë e Shasit – Video

June 8, 2011   | Opinione

Art me vlera estetike universale

Interesimi i Agron Ujkashit për botën materiale, për natyrën dhe njëkohësisht për figurën njerëzore, si shfaqje tematike e një kërkimi vizual në artin e tij, është përshkuar nga përjetime suptile figurative të cilat, të modeluara në mënyrë stilistike të figurshme dhe me atritube lirike, nga njëra anë synojnë të bëhen temë kryesore e preokupimit të tij dhe nga anën tjetër lëndë e përjetimit artistik si frymëzim i përhershëm dhe i pashtershëm.

Rruga e tij drejt pikturës është në të vërtetë një proces arketipor i shndërrimit të imazheve në një harmoni të formës dhe dritës, në shfaqjet që, siç ndodhë zakonisht në fillin e krijimtarisë së çdo krijuesi, më tepër i nënshtrohen përshtypjeve të jashtme sesa përjetimit të brendshëm.

Pra, motivet në të cilat dominojnë pejsazhet apo portretet, që të dyja me pretendime asociative dhe saktësi modelimi, paraqesin burimin nga i cili piktori, me fuqinë e sensibilitetit krijues dhe shkathtësinë prej koloristi do të pasurojë veprat e tija artistike.

Dashuria ndaj natyrës dhe njerëzve nga ambienti i tij, ndjeshmëria ndaj hapësirës dhe atmosferës si syzhe i fisnikëruar, si dhe vënia e drejtpeshimit në mes plasticitetit dhe tingullit koloristik të ngjyrës, të dominuara nga bluja dhe okeri pastuoz, bëhen bazë shprehëse e lirizmit poetik të Ujkashit.

Ky ambient, këto njerëz, kjo hapësirë, me monumentalitetin e tyre, zënë vendin kryesor në ekspozitë, dhe njëkohësisht, ndonjëra prej këtyre veprave bëhen me vlerë edhe municioze, (siç është edhe vet ambienti ku po ekspozohen këto vepra) ngase në to ruhen vlerat nga e kaluara e këtij nënqielli (Kalaja e Ulqinit, Shasi i Vjetër, portretet, skulptura me veshje kombëtare, etj.), e që në ditët tona gjithnjë e më tepër po mbesin relikte muzeore.

Një sferë të veçantë të interesimit artistik  të Ujkashit paraqesin edhe portretet që në mënyrë konstante tek ai do të vijnë si një provokim specifik.

Përmes portretit ai do të zbulohet si një krijues i cili në mënyrë të suksesshme arrin të realizojë në pëlhurë gjithë ngrohtësinë e ndjenjave humane që ai vendos në transrelacion me personazhin e portretizuar dhe të cilën, me tërë karakterin dhe botën e tij të brendshme, fuqishëm e përcjell edhe tek shikuesi.

Këto janë të njohurit e autorit, ato personazhet e përditshmërisë që i takojmë në jetën tonë. Me fuqinë e artikulimit figurativ të shfaqjeve nga bota reale në forma artistike, Ujkashi na vërteton se një krijues serioz çdo motiv prozaik, me shprehjen individuale artistike, mund ta transponojë në vepër arti me vlera estetike universale.

Në tërë opusin e tij artistik në mënyrë konstante vërehet synimi i tij drejt këtij imperativi, drejt një sistemit të vet gjuhësor për të krijuar vlera autentike dhe në këtë mënyrë të nis rrugën e origjinalitetit individual.

Në fund, për artdashësit, dua të theksoj se në konceptimin e kësaj ekspozite për bazë janë marrë kryekëput punimet që për tematikë kanë realitetin e këtij ambienti, dhe duhet të shënojë edhe fundin e një kapitulli, sepse piktori Ujkashi tani më ka hyrë edhe në trajtimin e artit kontemporan, të pejsazhit abstrakt ekspresiv, të asaj shprehjes universale, që padyshim do të jetë edhe hapi i parë drejtë fazës së pjekurisë në artin e tij.

(Fjala me rastin e hapjes së ekspozitës së Agron Ujkashit në Kalanë e Shasit)

Qazim Muja
Koha javore
Foto: Fadil Kovaçi Facebook


YouTube Preview Image