Pesë shkrimtarë shqiptarë përkthehen në gjuhën malazeze

June 14, 2011   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 13 qershor – Në kuadër të manifestimit tradicional “Kalimerja poetike 2011”, njëri ndër takimet më elitiste që kultivon kulturën, artin dhe letërsinë shqiptare në Mal të Zi, u përurua edhe përzgjedhja “Pesë shkrimtarët shqiptarë në Malin e Zi”, të përkthyer në gjuhën malazeze.

Ky është prezantimi më serioz i krijimtarisë letrare të shqiptarëve në Malin e Zi para auditoriumit malazias.

“Ky akt ndodh pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Malit të Zi, ku shqiptarët kanë dhënë një kontribut vendimtar,”- u shpreh njeri ndër shkrimtarët më të talentuar të letërsisë malazeze, Andrej Nikolaidis, i cili ka bërë edhe një parathënie të thuktë të librit.

Ai tha se më në fund ka ardhur koha që të përmirësohet një padrejtësi e madhe ndaj shkrimtarëve shqiptarë, të cilët jetojnë e krijojnë në Malin e Zi.

“Letërsia shqiptare në Mal të Zi një kohë të gjatë ka qenë e fshehur nga opinioni. Shkaqet për këtë përherë kanë ardhur nga politika dhe ideologjia. Përzgjedhja, ku janë përfshirë shkrimtarët, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Haxhi Shabani dhe Anton Gojçaj, hap mundësinë e lexuesve për ta njohur “këtë bukuri të fshehur”, sepse mosnjohja e saj, në radhë të parë është humbje për ne”,- thotë ky intelektual i formatit të lartë të letërsisë bashkëkohore malazeze, i përkthyer në gjuhën shqipe, në Ulqin edhe në Tiranë.

Drejtori i Qendrës për ruajtjen e zhvillimin e kulturës së pakicave, Mirsad Muliq paralajmëroi se përzgjedhja e shkrimtarëve shqiptarë e përkthyer në gjuhën malazeze, do të promovohet në qytetet kryesore të Malit të Zi, “për ta përmirësuar një padrejtësi që u është bërë atyre.”

Ndërkaq, Mr. Anton Gojçaj, njëri prej përkthyesve letrarë tha se dalja në dritë e këtij libri i ka dy çështje të rëndësishme, opinioni kulturor malazias mund ta ketë një informacion mbi letërsinë shqipe në Mal të Zi, por edhe ta vlerësojnë nivelin e saj, meqë deri më tash ne kemi lavdëruar njeri tjetrin.

KOHA NET

YouTube Preview Image