Shqiptarët në Mal të Zi nuk mund të krahasohen me malazezët në Kosovë

June 16, 2011   | Opinione

Reagim ndaj një deklarate  tendencioze e ministrit të punëve të jashtme të Malit të Zi

Para pak kohësh, në Prishtinë u zhvillua takimi i ministrit të Jashtëm dhe Integrimeve Europiane të Malit të Zi, Millan Roqen  me ministin e punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Siç raporton e përjavshmja në gjuhën shqipe në Mal të Zi, “Koha Javore” ( e datës 2 qershor 2011) , në mes tjerash,temë e bisedimeve të tyre ishte edhe “rregullimi i statusit të bashkësisë nacionale malazeze në Kosovë”. Me këtë rast ministri Roqen deklaroj:

“ Në të vertetë do të dëshironim që pjesëtarët e bashkësisë malazeze të kenë atë respektim dhe mbrojtje çfarë e kanë shqiptarët në Mal të Zi dhe që pjesëtarët e bashkësisë malazeze t’a përjetojnë Kosovën si shtet të vetin , siç veprojnë shqiptarët në Mal të Zi”.

Kjo deklaratë ministrit malazez mund të kuptohet si tentim që  të krahasohen  shqiptarët në Mal të Zi me pakicën malazeze në Kosovë,dhe si e tillë është e pavend,e gabuar dhe e papranueshme , për disa arsy:

1. Shqiptarët në Mal të Zi janë popull autokton dhe të cilët me shekuj kanë jetuar dhe jetojnë në trojet e veta etnike stërgjyshore, kurse dihet mire që malazezët,ashtu si edhe serbët u vendosën në Kosovë si rezultat i kolonizimeve gjatë periudhave të ndryshme të shekullit të kaluar, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës;

2. Numri i shqiptarëve në Mal të Zi është shumë më i madh se sa numri i malazezëve në Kosovë.Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth 7% të popullsisë, kurse malazezët,sipas parashikimeve të përfaqësuesve politikë të vet këtij komuniteti në Kosovë, përbëjnë pothuajse një përqindje të papërfillshme,  rreth 0.03% të popullsisë së përgjithshme të Kosovës;

3. Shqiptarët në Mal të Zi kontribuan dhe ndihmuan drejtëpërsëdrejti në themelimin e shtetit të Malit të Zi duke përkrahur pavarësinë e këtij shteti ,me votën e tyre në referendumin e vitit 2006 ,kurse malazezët në Kosovë,jo vetëm që nuk e ndihmuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,por përkundrazi,shumica e tyre u angazhuan dhe përkrahën politikën agresore të Serbisë.

Përpjekja e ministrit Roqen ,që të tërheq paralelizma në mes  bashkësisë etnike malazeze në Kosovë dhe shqiptarëve në Mal të Zi, është si  rrezultat i mosnjohjes së rrethanave  shoqëroro-historike të shqiptarëve  apo bëhet me qëllime të caktuara politike?!

Gjithashtu,ministri në fjalë kërkon që “pjesëtarët e bashkësisë malazeze (në Kosovë) të kenë atë respektim dhe mbrojtje,çfarë e kanë shqiptarët në Mal të Zi”.

Shqiptarët në Mal të Zi, jo vetëm që nuk respektohen apo mbrohen , por përkundrazi,ata shpesh herë keqtrajtohen nga shteti,qytetarë të të cilit janë. Mjafton që t’i rikujtojmë ministrit Roqen, aksionin famëkeq policor “Fluturimi i Shqiponjës”, të vitit 2006, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi,me ç’rast u arrestuan, maltretuan dhe u torturuan 18 shqiptarë nga Malësia. Shumica e tyre,gjithnjë po vazhdojnë të vuajnë në burgjet malazeze, vetëm për arsyen se janë shqiptarë.A kështu i “mbron” pushteti i Malit të Zi,shqiptarët ?! E të mos flasim për mos respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në fushat e ndryshme të jetës shoqërore. Po përmendim vetëm disa: mos zgjidhja e problemeve në fushën arsimimit  dhe plan-programet shkollore në gjuhën shqipe, mospërfaqësimi i shqiptarëve në Këshillin Nacional të Arsimit, mospërfaqësimi adekuat dhe i barabartë i shqiptarëve në organet dhe institucionet shtetërore,  Ligji Zgjedhor dhe mohimi i përfaqësimit autentik të shqiptarëve, cungimi i të drejtave të vetëqeverisjes lokale,mos kthimin e pronave private të shqiptarëve aprovimi i ligjeve të tjera diskriminuese ndaj shqiptarëve e kështu me rradhë.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e pushtetit të Malit të Zi, mundohen të krijojnë njëfarë “çështjeje të pakicës malazeze” në Kosovë.Në fund të vitit të kaluar, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq,deklaroj se “pranimi i ambasadorit të Kosovës,kushtëzohet me njohjen e pakicës malazeze në Kosovë…”. Deri më sot, ende muk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike,në nivel ambasadash,në mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Në vend që të angazhohet në përmirësimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre legjitime, qeveria e Malit të Zi mundohet që të tërheq vëmendjen gjetiu, tek kinëse “çështja” e pakicës malazeze në Kosovë.

Çështja e shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka asgjë të përbashkët me zgjidhjen e statusit të komunitetit malazez në Kosovë. Por nëse Prishtina dhe Podgorica dëshirojnë të aprovojnë parimin e reciproritetit,atëherë shqiptarët në Mal të Zi do duhej të gëzonin status shumë më të avancuar se sa malazezët në Kosovë.

Kërkesa e  komunitetit malazez në Kosovë është që atyre t’u njihet statusi i pakicës kombëtare apo i minoritetit.Nëse i bëhet presion qeverisë në Prishtinë nga ana e qeverisë së Podgoricës lidhur me njohjen e këtij statusi, komunitetit malazez në Kosovë, atëherë  të njëjtën gjë do të duhej të bëjnë edhe qeveritarët e Kosovës ndaj Malit të Zi, pra të kërkojnë avancimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse komunitetit malazez i njihet statusi i pakicës kombëtare në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, atëherë do të ishte e arsyeshme dhe e logjikshme që shqiptarëve në Mal të Zi  t’u njihet satusi i popullit shtet-formues. Vetëm ky lloj  parimi i reciproritetit, ka kuptim dhe mund të shërbejë marrëdhënieve  fqinjësore në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Qershor,2011

Xheladin Zeneli
Ish-deputet në Parlamentin e Malit të Zi
YouTube Preview Image

1