Ulqini shpreson në numër rekord të turistëve

June 17, 2011   | Lajmet / Vijesti

Nga Visar Duriqi

“Mirë se vini në vendin e shqiponjave”. Kjo është porosia e parë që merr në telefon rrugës për në Ulqin, nëse në këtë destinacion nisesh nëpërmjet “Rrugës së Kombit”.

Kësaj Rruge, në të cilën Kosova e Shqipëria kanë investuar miliarda euro, sipas kryetarit të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, tani për tani më së shumti hairin ia ka parë Ulqini, edhe pse nuk kanë shifra se për sa e ka rritur numrin e turistëve.

Komuna e Ulqinit nuk disponon shifra të sakta për sa i përket numrit të turistëve që vizitojnë këtë vend. Ali Rexha, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit, thotë se nuk disponojnë me shifra të tilla, pasi që regjistrimi i turistëve bëhet vetëm nëpër hotele, ndonëse jo nëpër të gjitha hotelet, kurse ata që vendosen nëpër shtëpi private veç mund të dihen kur kanë hyrë e dalë nga kufiri.

Megjithatë, udhëheqësit kësaj komune e cilësojnë sezonin e vitit të kaluar si më të mirin, kurse sivjet presin që të thyejnë rekord të ri. Tash, pos “Rrugës së Kombit”, hairin presin t’ua shohin edhe trazirave në vendet arabe, si Egjipti, Tunizia etj.

Ata presin që të marrin sivjet edhe turistët që shkonin më herët në Greqi. “Për fat të keq të të tjerëve, që nuk i gëzohemi, për fatin e mirë të Malit të Zi, këtu ka rritje të turistëve. Derisa shumë turistë nga shtete të ndryshme ishin më parë në Egjipt, Greqi dhe Tunizi, ku tash s’ka stabilitet e siguri, janë orientuar në Mal të Zi, konkretisht në Ulqin”, thotë i pari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Ulqinakët edhe këtë vit shpresën e mbajnë te kosovarët. Për ta, ulqinakët kanë përgatitur plazhe të reja, i kanë rinovuar objektet e atyre ekzistuese, si dhe janë bërë gati me shtëpite private.

Nuk duan as pronarët e shtëpive, as ata të hoteleve, madje as vetë zyrtarët komunalë të Ulqinit që të flasin për çmimet, por thonë se ato përafërsisht do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Megjithatë, këmbëngulin që çmimet nuk janë të shtrenjta.

E sa i përket pastërtisë, Ulqini mban 7 nga 17 flamujt e katërt që ka krejt Mali i Zi nëpër plazhe. Këta flamuj janë vlerësimi më i lartë për pastërti. Por, një flamur të tillë nuk e ka edhe vendi më i famshëm i kosovarëve për pushim, Plazhi e Vogël. Ai tash e disa vite mban me “krenari” flamurin e verdhë për pastërti.

Po ky plazh, sipas të parit të Ulqinit, do të jetë edhe vendi më i qetë për pushim. Edhe pse ka pasur shumë ankesa nga pronarët e lokaleve të natës, që puna e tyre të jetë në sezon deri në orët e hershme të mëngjesit, ai ka vendosur që ato do të punojnë veç deri në orën 24:00. “Në fushatën zgjedhore kisha premtuar që Plazhin e Vogël do ta bëj që të dëgjohen serenatat”, arsyeton vendimin e tij Hajdinaga.

Këtij plazhi, sipas pronarëve që ankoheshin për këtë vendim, por që për shkak të ikjes nga përplasja me institucionet duan të mbesin anonimë, sivjet do t’i mungojë edhe muzika “tallava”. Ata flasin për një frymë të re të muzikës që do të lëshohet këtë vit, që s’do ta dallojë këtë vend nga vendet evropiane.

Ngjit me këtë plazh është Kalaja e Ulqinit, simboli i qytetit. Edhe sivjet, sikurse vjet, pranë saj qëndron një vinç i madh, por që puna i është ndërprerë. Ndërtimet me blloqe të kuqe, që për banorët e kalasë janë shëmtim i saj, ani pse janë bërë me leje të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve të Malit ët Zi, janë stopuar, por jo përgjithmonë.

“Këto ndërtime s’ janë të lejuara nga Enti për Mbrojtjen Monumenteve. Ne si komunë i kemi stopuar veç pse e kanë tejkaluar lejen, derisa pronarët t’i kthejnë në gabaritin e lejuar”, sqaron i pari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Megjithatë, ai thotë se nuk ka vendim që ato blloqe të hiqen krejt.

Në krah të Hajdinagës, gjatë prononcimeve për gazetarët, rrinte Ali Rexha, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit. Rexha thotë se sivjet kanë rritur kapacitet pritëse, dhe kanë themeluar shtabin për këtë sezon, me çka turistëve iu garantojnë ujë e rrymë pa ndërprerë, dhe pastërti në nivel të lartë.

“Eurokoha” investon në plazhin “Copacabana”

Grupi i gazetarëve nga Kosova vizitoi shumë plazhe, ndër të cilat edhe plazhin “Copa Cabana” në Plazhin e Madh. Pos investitorit vendas, Prelë Shiroka, aty tash ka investuar edhe kompania “Eurokoha” nga Kosova.

Të dy pronarët e saj, Shiroka e Naim Ejupi deklarojnë se kanë punuar që kushtet për pushuesit të jenë dukshëm më të mira se vitin e kaluar, duke pasur parasysh që çmimet të jenë si të vitit të kaluar.

““Eurokoha” si investitor në këtë plazh ka edhe oferta speciale për pushuesit nga Kosova, të cilat përfshijnë edhe akomodimet, gjë që është shumë lehtësim për kosovarët. Këto investime i kemi bërë sivjet në Ulqin, por vitin e ardhëm do t’i bëjmë edhe në bregdetin shqiptar, me çka do të mundohemi të ofrojmë shërbime sa më të mira dhe më lehtë të arritshme për kosovarët”, thotë Naim Ejupi.

Zëri
YouTube Preview Image