Libër i dashurisë për Ulqinin

June 27, 2011   | Kulturë / Kultura

U përurua përzgjedhja me prozë “Ulqin, ti Kala”, e përgatitur nga shkrimtari Hajro Ulqinaku

Pas dy përmbledhjeve, “Ulqin, ti legjendë” (folklor për Ulqinin) dhe “Ulqin, ti det” (poezi për Ulqinin), shkrimtari Hajro Ulqinaku ka publikuar përzgjedhjen e tretë me prozë “Ulqin, ti Kala”, përurimi i të cilit u bë të hënën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin. Në këtë libër të botuar nga Asociacioni “Ulqini” janë përfshirë 53 autorë të vendit dhe të huaj, të cilët kanë shkruar për Ulqinin. “Mua më ka interesuar se si është ky fenomen, që me qindra shkrimtarë shkruajnë poezi, prozë me motive të Ulqinit”, ka thënë shkrimtari Ulqinaku në mbrëmjen përuruese. Ai ka treguar se përzgjedhja e autorëve, përkthimi i materialit ishte një punë shumë e mundimshme. “Mirëpo, nuk hoqa dorë. Meqë i bëra dy librat e parë, duhej ta bëja edhe librin me proza si pjesë e trilogjisë letrare sepse dashuria për Ulqinin ishte më e fuqishme se çdo gjë”, ka thënë Ulqinaku. Në ekspozitën e Çmimit “Kolor 2011” janë ekspozuar rreth 350 vizatime e piktura të 176 fëmijëve më të talentuar nga Shqipëria, Ulqini dhe Prishtina. Ky konkurs për fëmijët e moshës 6-14 , i cili këtë vit shënoi edicionin e tij të dhjetë, është kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore në qytetin e Beratit. Në vështrimin kushtuar librit “Ulqin, ti Kala”, Ardita Rama, drejtuese e Bibliotekës së Ulqinit, ka thënë se largësia nga vendlindja ka reflektuar dukshëm te shkrimtari Hajro Ulqinakut, si rezultat i së cilës është edhe kjo përmbledhje. “Është e pashmangshme që shkrimtarët, diku në një faze të krijimtarisë së tyre, të marrin inspirim e t’i shkruajnë mu vendlindjes së tyre”, ka thënë ajo. Rama ka theksuar se shumë poetë, studiues dhe pelegrinë kanë shkruar për Ulqinin e ilirëve, Ulqinin e detarëve, Ulqinin e zezakëve, Ulqinin e Servantesit e të Shabataj Cevit, prandaj Hajro Ulqinaku nuk e ka pasur të lehtë të bëjë përzgjedhjen. “Të përzgjedhësh në mesin e krijimeve të shumta për Ulqinin, të hulumtosh, të përkthesh, të vlerësosh. Të gjitha këto kërkojnë njohuri të mira letrare dhe mbi të gjitha, durim dhe vullnet”, ka thënë ajo. Drejtori i Asociacionit “Ulqini”, Gazmend Çitaku ka folur për veprimtarinë botuese të kësaj shoqate. “Këtë vit Asociacioni ‘Ulqini’ nxorri librin e katërt me radhë. Pas ‘Glosar’-it të Hajro Ulqinakut dhe librit ‘Flota shekullore detaro-tregtare e Ulqinit’ e dr. Maksut Haxhibrahimit, të cilët hapen kolanën e re të botimeve të kësaj shtëpie botuese, të quajtur Biblioteka Deti, vazhduam me këtë përmbledhje të prozave të Hajro Ulqinakut. Në shtyp gjenden edhe dy libra: një për kusarinë i dr. Bahri Briskut dhe tjetri, ribotimi i librit ‘Arsimi shqip në Anë të Malit 1945-1985’ i Syme Kokajt”, ka thënë ai. Çitaku ka paralajmëruar se deri në prill të vitit të ardhshëm, ky asociacion planifikon të botojë tre libra të rinj. Përurimi i librit “Ulqin, ti Kala” u organizua nga Biblioteka e Qytetit në Ulqin dhe Asociacioni “Ulqini”.
i.k.
Koha Javore
Foto nga Gazmend Çitaku Facebook


YouTube Preview Image