Ulqini me çmime të njëjta

July 3, 2011   | Lajmet / Vijesti

Oferta turistike e Ulqinit, që 70 % të turistëve deri tash i ka pasur kosovar, edhe këtë vit do të jetë e ngjashme me atë të viti të kaluar, edhe sa i përket çmimeve, por edhe kushteve që do të ofrojnë organizatorët e shtabit të turizmit, që është themeluar nga komuna e Ulqinit.

Derisa edhe rruga për në Ulqin do të jetë me çmime të ngjashme sikurse vjet, pushimet në hotelet më të mira të këtij vendi, për një familje katëranëtarëshe, sillen rreth 100 euro për një ditë.

Kompania “Eurokoha” që tash është edhe investitore në plazhin “Copacabana” në Ulqin, për një familje 4-anëtarëshe në një hotel me tri yje dhe katër yje në Mal të Zi, për një qëndrim 7-ditor ofron një çmim mesatar prej 700 eurosh.

Çmime të ngjashme, për hotelet më të mira, kanë qenë në ofertat e kompanive turistike edhe në vitin 2010, kurse për akomodime të tjera, siç janë ato nëpër shtëpi private, çmimet silleshin mesatarisht nga 25 euro deri në 30 euro për gjysmë pansioni.

Të gjithë ata që janar përgjegjës për mbarëvajtjen e turizmit në këtë qytetet, duke filluar nga strukturat komunale, por edhe bizneset, për çmimet për shërbime të tjera e ushqime krejt punën ia kanë lënë “në dorë” tregut dhe fluksit të turistëve.

Ata presin që çmimet e shërbimeve, ushqimeve dhe pagesave për atraksione të “fluturojnë” bashkë me shtimin e numrit të turistëve, megjithatë vlerësojnë që ato të jenë në kufij normalë dhe të krahasueshme me çmimet e vitit 2010.

Megjithëse çmimet ia kanë lënë “në dorë” tregut dhe numrit të turistëve që do të kenë sivjet, drejtuesit e komunës ë Ulqinit thonë se këtë vit problemi me rrymë e ujë as që do të diskutohet.

Ali Rexha, drejtor i Organizatës Turistike të Ulqinit thotë: “Sivjet kemi rritur kapacitetet pritëse dhe kemi themeluar shtabin për këtë sezon, me çka turistëve u garantojnë ujë e rrymë pandërprerë dhe pastërti në nivel të lartë”.

Ai thotë se janë kujdesur që këtë verë të ketë edhe transport publik sa më shumë, por brengosen se për shkak të investimeve nëpër rrugë, që është duke i bërë Ulqini tash, edhe mund të ketë pritje.

“Çdo vit ka përmirësime. Sivjet kemi një ofertë më të mirë se në të kaluarën, ku sivjet janë hapur katër hotele apo gjithsej janë 23 hotele. Këto hotele janë me tre e katër yje. Sa i përket akomodimeve private punohet zellshëm në këtë drejtim dhe ato po ngrihen nga viti në vit”, thotë Rexha.

Komuna e Ulqinit nuk disponon me shifra të sakta për sa i përket numrit të turistëve që vizitojnë këtë vend, pasi që regjistrimi i turistëve bëhet vetëm nëpër hotele, dhe jo në të gjitha, kurse ata që vendosën nëpër shtëpi private mund të dihet kur kanë hyrë e dalë nga kufiri.

Edhe pse nuk kanë shifra, udhëheqësit e kësaj komune e cilësojnë sezonin e vitit të kaluar si më të mirin, kurse sivjet presin që të thyejnë rekord të ri.

Sipas kryetari të komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, trazirat që kanë plasur në vendet arabe si Egjipti, Tunizia etj, do të sjellin turistët që kanë qenë vizitorë besnikë të këtyre vendeve drejt Ulqinit.

Hajdinaga pret që qyteti që ai drejton këtë verë të ketë edhe turistë që zakonisht kanë shkuar në Greqi, kurse turistët nga Polonia e Bosna tashmë janë shfaqur që në fillim të sezonit.

E, përveç që presin të kenë këta pushues që sivjet nuk mund të shkojnë në këto vende, ulqinakët shpresën e mbajnë përsëri te kosovarët. Për ta kanë përgatitur plazhe të reja, i kanë rinovuar objekte e atyre ekzistues, si dhe janë bërë gati me shtëpitë private.

Sipas vlerësimeve të drejtuesve të komunës së Ulqinit, “Rrugën e Kombit” në të cilën Kosova e Shqipëria kanë investuar miliarda euro, tani për tani është rruga që më së shpeshti i bien kosovarët për në Ulqin dhe që ka rritur dukshëm edhe më numrin e tyre.

Visar Duriqi
Zëri
YouTube Preview Image

1