Kriporja e Ulqinit, në prag të falimentimit

July 11, 2011   | Opinione

Burime të afërta me menanxhmentin e njërës prej fabrikave dikur me nam të Malit të Zi dhe më gjerë, kanë konfirmuar se kripores do t’i vihet dryni, ngase “aksionari kryesor nuk ka interes për prodhim”. Rreth 70 të punësuar s’kanë marrë pagë, ndërsa grumbullimi ende s’ka nisur

Ulqin, 11 korrik – Tetë dekada pas punës të suksesshme, e cila me prodhime ka marrë mirënjohje të shumta ndërkombëtare, kriporja e Ulqinit “Bajo Sekuliq” është në prag të falimentimit. Burime të afërta me menanxhmentin e njërës prej organizatave dikur më me nam të Malit të Zi dhe më gjerë, kanë konfirmuar për të përditshmen malaziase “Vijesti” se kripores do t’i vihet dryni, ngase “aksionari kryesor nuk ka interes për prodhim”. Xhirollogaria e fabrikës ka kohë që është bllokuar. Sipas burimeve të gazetës afati i ri që strukturat i kanë dhënë aksionarit kryesor – i cili ka pranuar të paguajë 100 mijë euro për përgatitjet e grumbullimit të kripës – ka kaluar në fund të javës së kaluar.

Rreth 70 të punësuar s’kanë marrë pagë, gjegjësisht akontacion, tash pesë muaj, përderisa stazhi nuk u ka ecur tash dy vjet.

“Nëse aksionari i shumicës deri në fillim të kësaj jave nuk i paguan 100 mijë euro për grumbullim, dryni është e vetmja zgjidhje”, ka thënë një burim i “Vijestit”.

“Transportuesi vetëlëvizës, pa të cilin është e pamundur të nisë grumbullimi, duhet t’i nënshtrohet një remonti emergjent. Dhe ai është funksionit.…Xhirollogaria ka kohë që është bllokuar…Në hangarin e shkatërruar i cili s’e ka gjysmën e kulmit, nuk ka asnjë gram kripë” , ka thënë ky burim.

Në Kripore nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, por as nuk kanë mohuar lajmin se fabrika ka gjasë të mbyllet.

Drejtori ekzekutiv i Kripores së Ulqinit, Dragisha Rosandiq, ka thënë se stafi i tij prej një majit ka bërë çdo gjë që Kriporja të rrijë në këmbë. Ai ka thënë se e ka bërë planin e grumbullimit, i cili është miratuar dhe për të cilin duhen 100 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve.

“Nëse ka para, presim që të grumbullojmë prej 10 deri në 12 tonë kripë. Megjithatë çdo ditë vonesë në ndarjen e këtij buxheti, i nxjerr telashe kripores, por edhe të hyrave”, ka thënë Rosandiq. Ai nuk ka pranuar ta komentojë mundësinë e mbylljes së fabrikës. “Do të merret vesh”, ka thënë shkurt ai.

As administratori në largim, Milorad Ikoviq, nuk ka pranuar të flasë në këtë temë. “Nuk do të flisja për këtë”, ka thënë ai.

Kriporja kaherë po përballet me probleme, më të mëdhatë në historinë e saj 77-vjeçare. Ato janë thelluar para disa muajsh kur brenda natës iu shkatërruan dhe vodhën pompat në Gjerana në mungesë të të cilave ka vonesa në prodhimtari. Edhe pse rasti është ende në fazën e hetimeve, Ikoviq prej fillimi ka thënë se bëhet fjalë për sabotim.

Kriporen e ka vizituar edhe ish-drejtori i kësaj fabrike, Lazar Ban, i cili ka udhëhequr kompaninë prej vitit 1963 deri më 1973. Në kohën e tij u montua transportuesi vetëlëvizës.

“Transportuesi është vënë në funksion më 1967 dhe qe dashur të sigurohet edhe një tjetër makinë e cila lëviz paralelisht me të dhe grumbullon kripën”. Ajo makinë zëvendëson 90 punëtorë, që i bie se grumbullimi i kripës do të mund të bëhej me vetëm katër grumbullues kripe”, ka thënë Ban. Në pyetjen se si Kriporja është sjellë në këtë derexhe, ai ka thënë se për këtë duhet pyetur ata të cilët falimentuan “Radoje Dakiqin” (fabrika për prodhimin e makinerive e themeluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore v.j.). Ai ka thënë se për rimëkëmbjen e Kripores duhet një plan dhe profesionistë.

“Basenet janë aty ku kanë qenë, por ajo çfarë kam parë është për të të ardhur keq. Sikur të kishte shpërthyer ndonjë bombë”, ka thënë Ban teksa ka përshkruar vagonët e kripës të rrëzuar për toke, dhe objektin e rrënuar. Teksa ka barë bardhësinë e kripës në basene ai ka komentuar: “Mos po i nxihet dikujt fytyra prej kësaj bardhësie”.

Ish-drejtori ka kujtuar se në kohën e tij në këtë fabrikë kanë qenë të punësuar 250 punëtorë.

“Kur dikush donte të martohej, së pari pyetej beqarja se ku i punon i përzgjedhuri i saj. Nëse ai punonte në Kripore, i ati i vajzës e jepte vajzën pa u hamendur. Kështu ka qenë”, ka kujtuar Ban kohët e arta të Kripores së Ulqinit.

KOHA NET

http://solana-ulcinj.com/VTS_01_1.flv