Ulqin: Aktualisht pushojnë mbi 100 mijë turistë

July 11, 2011   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 11 korrik – Mbi bazat e të gjitha parametrave vlerësuese, Ulqini jeton me mbi 100 mijë pushues jo vetëm nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, si dhe të vendeve për rreth, por ka edhe turistë gjermanë, çekë, polakë, etj.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, thotë se Ulqini vazhdon të jetë destinacion i preferuar i turistëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, si dhe të vendeve për rreth, por sivjet janë kthyer edhe turistët gjermanë, çekë, polakë, etj. Ai shton se sivjet është shtuar tej mase interesimi i mysafirëve nga Bosnja, bën të ditur KosovaLive.

“Them të drejtën, për një sezon të sukseshëm, siç po konkretizohet tashmë në Ulqin, në kohën e duhur janë angazhuar të gjithë institucionet që janë ngusht të lidhura me turizmin, si qeverisja vendore, policia, shërbimi i mbrojtjes dhe sigurisë, Ndërmarrja komunale publike, Shtëpia e Shëndetit dhe vetë qytetarët”, potencon Hajdinaga.

Në këtë kontekst, drejtori ekzekutiv i hotelit “Mediteran”, Selatin Gjeloshi, tregon se hotelet në Ulqin janë të pajisur me gjithë komfortin e nevojshëm për të kaluar pushime të paharruara: shërbimi i kulturuar, i alternuar me kuzhinën e pasur tradicionale dhe mesdhetare.

Turistët kanë në disponim hotelet luksoze, hotelet e vogla, apartamentet e kompletuara, dhomat e mobiluara në shtëpitë private, motelet për shijen dhe buxhetin e secilit turist.

Pika e përbashkët kufitare, Mal i Zi – Shqipëri, ajo në Sukubinë – Muriqan është gjallëruar tej mase. Gjatë 24 orëve shënohen deri në 12 mijë hyrje – dalje, ose deri në 5 mijë makina.

KOHA NET
YouTube Preview Image