Kumtese: Korrupsioni politik dhe material i pushtetit vendore ne Ulqin

July 14, 2011   | Politika

Pushteti vendorë ka filluar të zbuloj të dhënat për korrupsionin politik dhe material që e ka prodhuar vet në periudhën e kaluar.

Më në fund filluam të furnizohemi me të dhëna të rëndësishme që paraqesin gjendjen reale në komunën e Ulqinit.

Këto të dhëna, më nuk kanë mundur të mbeten të fshehura, dhe vet autorët përgjegjës kanë nisur ti zbulojnë pjesërisht për të vëzhguar reagimin e opinionit dhe organeve kompetente shtetërore.

Vështirë mund të besojë dikush se për pesë vite nuk është aprovuar asnjë Plan vjetorë pune dhe nuk është aprovuar asnjë raport për punën e ndërmarrjeve publike të themeluara nga Kuvendi. Tani, kur paralajmërohen greva, kur përgatiten largimet e punëtorëve nga puna, kur nuk u jepen rrogat punëtorëve, kur dihet se organet kompetente shtetërore kërkojnë të dhëna, ka filluar brengosja e zyrtarëve përgjegjës të komunës së Ulqinit, që me ngadalë po kthehen në jetën reale.

Tani edhe qytetarët mund të binden se cila është arsyeja e fshehjes së këtyre të dhënave.

– Obligimet e pashlyera të vitit 2009 me vlerë prej 1.170.000 euro, deri në fund të vitit 2010 janë rritur në vlerën prej 3.700.000 euro ose në masën prej 80% të buxhetit të realizuar në atë vit. Do të thotë, mjetet e grumbulluara nga taksat komunale kundër ligjit, janë shpenzuar gjithashtu kundër ligjit.

– Për herë të parë janë zbuluar të dhënat për borxhet ndaj komunës nga taksat dhe tatimet që arrijnë vlerën prej 3.800.000 euro.

Kjo do të thotë se pushtetarët tanë, në vitin zgjedhorë, kanë shfrytëzuar çdo gjë për të mbajtur pushtetin. Kanë bërë çmos për të marrë votat që nuk i takonin. Kanë shpenzuar paratë për aktivitete të pa dedikuara, për të korruptuar votuesit e mjerë që deri tani i kanë varfëruar. Megjithatë, më e çuditshme është se Kuvendit i kanë paraqitur Llogarinë përfundimtare të Buxhetit të paligjshme për vitin 2010, sepse pushtetarët tanë e kanë miratuar, çka është e pabesueshme, në vitin 2011.

Pushteti aktual ka nisur procedurën e ndarjes së Ndërmarrjes publike komunale në dy pjesë me qëllim që të sigurojnë më shumë poste drejtorësh për realizimin e marrëveshjes së koalicionit e jo për hir të rritjes së kualitetit të shërbimeve për qytetarët, siç ishe propozuar në vitin 2007. Me që procedura e ndarjes nënkupton shpalosjen e dokumentacionit, nga kjo dolën të dhëna tronditëse. Ndërmarrja komunale ka një borxh prej 1.757.000 euro dhe borxh ndaj saj 2.900.000 euro. Do të thotë se është në të njëjtë gjendje si pushteti vendorë.

Për shkak të korrupsionit politik dhe material, pushteti vendorë i Ulqinit nuk ka fundosur vetëm administratën lokale por edhe ndërmarrjet publike.

Shërbimi informativ i Forcës