Ami: Pas 10 vitesh, një bashkëshorte e mirë

July 17, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ajo i ka ngjitur dalëngadalë shkallët e karrierës, siç rrallë ndodh në fakt me vajzat e bukura që ndjekin rrugën e artit. Në fillim një balerinë profesioniste, showgirl e më pas prezantuese në një nga produksionet më të suksesshme në të gjithë botën, siç ishte “Dancing with the Stars”. Amarda Toska ka tashmë një profil publik, që e dallon nga të tjerat: balerinë, showgirl, moderatore si dhe një biznes-woman në karrierë.

E për të gjitha bashkë, ajo tashmë është një personazh publik. Është shigjetuar nga mediat, është mikluar prej tyre, me qëllimin për të skalitur gjithmonë një profil ndryshe të saj, por Ami me shumë finesë të drejton atje ku do ajo dhe rrallë herë ndodh e kundërta. Në fakt, në këtë intervistë për MAPO-n, Amarda Toska nuk vjen ndryshe nga profili i saj, por ajo vjen tërësisht ndryshe nga profili i saj publik.

Televizioni dhe biznesi, dy karriera që ecin paralelisht me Amin. Por sa ka ndryshuar Ami e televizionit nga Ami e biznesit?

Biznesi që unë kam është në një farë mënyre i lidhur me punën e një artisti, sepse ka të bëjë me krijimtarinë, me të bukurën, që do të thotë se duhet të kesh edhe shpirt artisti për të pasur sukses në këtë lloj biznesi. Krijimtari janë dekorimet, por edhe përzgjedhja e koleksioneve nga pasarelat, panairet apo sfilatat e fustaneve të nuseve. Por nuk mendoj se kam ndryshuar. Unë jam akoma në fillimet e mia në një biznes që është tashmë një “brand” në tregun shqiptar dhe që do të trashëgohet edhe te fëmijët tanë. Megjithatë, po “përpiqem” të ndryshoj te vetja ca gjëra që mbase nuk janë të përshtatshme për një femër që do të bëjë karrierë në biznes. Që do të thotë se, duhet të jesh pak më e vrazhdë, më e egër dhe më e drejtpërdrejtë, ku nuk duhet të mendosh se ndoshta të tjerët lëndohen, por duhet të mendosh si të bësh punën tënde sa më mirë. Cilësi këto që në fakt unë nuk i kam, sepse jam pak e butë në karakter. Megjithatë, po punoj që edhe këto t’i fitoj me kalimin e kohës.

Konkurrenca është më e fortë në biznes apo në art?

Çdo profil ka vështirësitë e veta. Thuhet se në art është një konkurrencë e pashprehur, por shumë e fortë për ata që e njohin atë botë. Por edhe biznesi, sigurisht karakterizohet nga një konkurrencë e fortë, që për disa është në kufijtë e luftës për ekzistencë e për disa të tjerë – lufta e ambicia për të arritur nivele të larta përsosmërie dhe kualifikimi. Por unë mendoj se konkurrenca është ajo që vë ingranazhet në lëvizje, pa konkurrencë nuk do të kishte motivim.

Si i alternon Ami dy karrierat paralele: biznesin dhe televizionin?

Që në fillim i kam pasur të dyja dhe në një farë mënyre u bënë pjesë e imja. Dua t’i kem që të dyja, për t’u ndjerë mirë dhe e plotësuar. Në momentin që kam impenjime artistike, dhe kjo gjë sigurisht më merr kohë, ndiej që më mungon përditshmëria e punëve në agjenci dhe anasjelltas. Kështu që jam mësuar që këto dy shina të ecin paralelisht. Por nuk e mohoj se ka periudha ku bëhet e lodhshme, ka sezone që është shumë e vështirë.

Si ndryshon prezantimi nga një spektakël humori, në një produksion të madh, siç ishte ajo e “Dancing with the Stars” apo në fund të fundit prezantimi është njësoj kudo?

Absolutisht nuk është e njëjta gjë. Unë pata shumë më tepër peshë, përgjegjësi dhe angazhim si moderatore te “Dancing with the Stars”, kështu që nuk mund të them se ishte e njëjta gjë, përkundrazi janë krejt të ndryshme. Në “Portokalli” daljet ishin të kalkuluara dhe gjithçka ishte skematike, ku nuk mund të dilje jashtë kornizës, ndërsa tek Dancing kishte dhe të papritura.

Si ndryshon prezantimi nga një spektakël humori, në një produksion të madh, siç ishte ajo e “Dancing with the Stars” apo në fund të fundit prezantimi është njësoj kudo?

Absolutisht nuk është e njëjta gjë. Unë pata shumë më tepër peshë, përgjegjësi dhe angazhim si moderatore te “Dancing with the Stars”, kështu që nuk mund të them se ishte e njëjta gjë, përkundrazi janë krejt të ndryshme. Në “Portokalli” daljet ishin të kalkuluara dhe gjithçka ishte skematike, ku nuk mund të dilje jashtë kornizës, ndërsa tek Dancing kishte dhe të papritura.

Në fakt, duket e kundërta në ekran…

Sigurisht që duket e kundërta, prandaj ata që punojnë te “Portokallia” janë të gjithë profesionistë; për ta bërë të duket sikur gjithçka është spontane. Por në fakt, çdo gjë aty është e mirëmenduar dhe e kornizuar, ndërkohë që te Dancing, edhe pse kishte një skenar, në shumë raste u lihej vend edhe të papriturave, pyetjeve spontane, batutave. P.sh. nuk mund të ketë një skenar, kur ke ndërveprim me një juri jo fort “të urtë”, ose kur ke protagonistë artistë të njohur që kërcejnë në skenë dhe nga momenti në moment mund të thonë diçka për atë që performuan në skenë. Sepse nuk duhet harruar që është një konkurrim ku tensioni dhe egoja për të qenë më mirë se të tjerët është gjithmonë prezent. Por unë isha me fat që e përjetova këtë eksperiencë, sepse mendoj se “Dancing with the Stars” forcoi dhe konfirmoi pozitat e mia në skenë, për të qenë tashmë vetëm dhe për të drejtuar një spektakël të tërë, ku duhet të menaxhosh jurinë, konkurrentët, publikun etj.

Është më e lehtë për një femër të bukur?

Kjo është një teori shumë e njohur! Natyrisht që pamja e jashtme ndikon, sepse çdo njeri është më i mikluar, më i tërhequr dhe ka një perceptim më pozitiv në mënyrë krejt të pandërgjegjshme ndaj të bukurës, sesa ndaj një tjetri që, jo për faj të tij, por ashtu e ka krijuar natyra, për të qenë më pak i bukur. Në mënyrë të pavetëdijshme, çdo njeri e pëlqen të bukurën kështu që është e kotë të them se nuk ndikon bukuria, sidomos te femrat dhe sidomos në televizion.

Pushimet ideale do të ishin ato ku do të argëtohej shumë në ndonjë “Aqua Parc” apo në “Disney Land”, ku Ami çmendet pas trenave të shpejtësisë dhe lojërave me pullën e kuqe të rrezikut…

Ami, femra “Piter Pan” e ekranit

Besoni në Zot?

Po, besoj.

Një fjalë me të cilën do ta etiketonit veten?

E këndshme.

Një fjalë me të cilën të tjerët ju etiketojnë më shpesh?

E ëmbël.

Makina e parë që keni pasur dhe ajo që keni aktualisht?

Makina e parë ka qenë një Benz 190, ndërsa e fundit që kam është Fiat 500, versioni i fundit.

Çfarë do bëje për para?

Do bëja shumë gjëra, siç dhe jam përpjekur të bëj, sepse paraja është një nga motorët kryesorë të jetës së njeriut. Unë kam bërë gjithmonë mbi dy punë.

Dhe çfarë nuk do bëje për para?

Sigurisht nuk do shkelja mbi principet dhe parimet e mia morale, për t’u penduar më pas gjithë jetën.

Sa vlerë kanë idealet për Amin në këto kohë që jetojmë?

Nuk jam shumë idealiste. Duhet të jesh pak natyrë elastike në këto kohë, mendoj. Nuk mund t’i mbahesh qëndrimeve të tua me fanatizëm, pa parë se ç’bëhet rreth e rrotull, pa kuptuar ku jeton. Duhet të përshtatesh, qoftë edhe për të minimizuar streset e përditshme dhe për t’i dhënë vetes më tepër kënaqësi, sepse çdo ditë që ikën nuk kthehet më.

Pesë gjërat për të cilat, sipas Amit, ia vlen të jetohet?

Ia vlen të jetohet për t’u rrethuar nga njerëzit e dashur, që janë familja. Ia vlen të jetohet për të lënë trashëgimtarin tënd e për ta parë atë të rritet. Për të punuar dhe për të marrë kënaqësi nga arritjet e tua në jetë. Për t’u ndjerë i vetëvlerësuar. Ia vlen të jetohet, sepse ka shumë vende të bukura për t’u parë dhe shumë eksperienca për t’u jetuar.

Martesa, çfarë ngjyre ka për ty?

Martesa është një ylber ku mungon, ose, më saktë, një ylber ku duhet të mungojë e zeza.

Dita juaj ideale?

Nuk di si do ta përkufizoja, por mjafton që në fund të ditës të më ketë dhënë atë ndjesinë pozitive dhe kur të shtrihem në krevat të them “Oh sa ditë e bukur sot!”, ndërkohë që ajo mund të ketë ardhur në forma nga më të ndryshmet.

Çfarë bën Ami kur është e mërzitur?

Dua të iki, t’i shmangem rrethit, ose njeriut, që më ka mërzitur dhe të bëj një xhiro me makinë.

Udhëtimi që keni ëndërruar, por që s’e keni bërë akoma?

Këto vitet e fundit kam udhëtuar shumë, pothuajse udhëtoj çdo muaj. Madje, para pak ditëve po bënim një bilanc me Ermalin dhe po qeshnim, sepse vërtet nuk kalon as një muaj dhe na del ndonjë udhëtim për t’u bërë. Të dy i kemi shumë qejf udhëtimet, kryesisht ato aktive. Përveç muajit të mjaltit në Karaibe, nuk kemi qëndruar në asnjë vend tjetër më shumë se 7 ditë. Na pëlqen si deti, ashtu edhe mali, sidomos skitë dhe pushimet dimërore. Por pushimet ideale do të ishin ato ku do të argëtoheshim shumë në ndonjë “Aqua Parc” apo diçka të ngjashme me “Disney Land”, të cilat na pëlqejnë shumë.

Është dëshira për t’u rikthyer në fëmijëri?

Për t’u kthyer në fëmijëri, jo, por besoj se aty shprehet më tepër ai shpirti ynë fëminor, që gjendet akoma te ne dhe sinqerisht janë pushimet ideale për të dy ne. Kudo që shkojmë marrim informacion më përpara, ose pyetja e parë që bëjmë në hotel është: ku është destinacioni më i afërt për në parkun e lojërave të tipit Disney.

Rikthimi në fëmijëri të jep ndjesinë e lirisë apo thjesht është dëshira që shpesh kanë të rriturit për të qenë edhe një herë fëmijë?

Sigurisht që ta jep dhe këtë ndjesi, por nuk është se unë mendoj: “Ah sikur të jem dhe një herë e vogël”. Sado që të rritem, do dua gjithmonë të bëj sërish gjërat që bën një fëmijë, sepse nuk dua që mosha të më diktojë çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëj.

Qenkeni një vajzë “Piter Pan”?

Quaje si të duash, por nuk do doja që mosha të më rrethonte në kornizat e veta. Kjo gjë nuk dua të ndodhë, ose, më saktë, kjo lloj ndjesie për të vrapuar pas lojërave na vjen në mënyrë të pavullnetshme, si mua edhe Ermalit.

Besoj se atje ke lirinë të sillesh si fëmijë?

Po, patjetër, atje po nuk u solle si fëmijë nuk shijon asgjë. Ne të dy karakterizohemi nga një lloj dëlirësie dhe sjellje fëminore kur jemi me njëri-tjetrin, si në gjërat që duam të bëjmë, kur shohim ndonjë film apo kur lozim Win në shtëpi.

Në përgjithësi “u lejohet” meshkujve të kenë shpirt “Piter Pan”, por një femër bën pak përshtypje, sepse në përgjithësi natyra e femrës është pak më e tërhequr nga jeta e lojërave?!

Femrat janë në këtë drejtim pak të tërhequra, por unë kam dhe mikesha që e pëlqejnë aventurën e lojërave dhe unë jam njëra prej tyre. E di që nuk ta jap fare përshtypjen dhe kur takohemi me miq dhe vendosim të shkojmë në një park lojërash, në fillim suprizohen, por kur më shohin pastaj se në lojë jam e para…

Të pëlqen edhe të fitosh, përveç të tjerave?

Jo, të kuptohemi… Nuk më pëlqejnë lojërat ku qëllimi kryesor është që të arrihet fitorja. Mua më pëlqejnë lojërat ku arrihet adrenalina, siç janë trenat e shpejtësisë apo lojërat me pullën e kuqe të rrezikut.

Njeriut që i besoni më shumë?

Asnjëherë s’i kam besuar shoqërisë për gjera thelbësore të jetës sime. Ose e kam mbajtur vetëm për vete, ose e kam ndarë me familjen dhe sigurisht me Ermalin.

Personi që ju njeh më mirë?

Unë sërish familjen dhe Ermalin do them.

Ku e sheh Ami veten pas 5-10 vjetësh?

Kryesisht e shoh një bashkëshorte të mirë dhe familjare. Të gjitha të tjerat do të jenë sekondare dhe plotësuese në 10-vjeçarin e ardhshëm. Ka prioritete. Unë të paktën kështu kam filluar ta ndiej këto kohët e fundit. Mosha 20-30 vjeç është përmbushja e objektivave që ti ke në karrierë, ose në formimin tënd për t’u bërë dikush, ose për të bërë diçka, pastaj mendoj se prioritetet ndryshojnë dhe duhet t’i përkushtohesh më shumë familjes.

Kjo ka të bëjë me moshën, thoni ju?

Jo, ka të bëjë me të vetëndjerin. Unë kështu e kam klasifikuar. Pas të 30-ve është një moshë që duhet t’i dedikohesh familjes dhe presupozohet që deri në atë moshë t’i kesh vendosur mirë themelet e formimit dhe karrierës tënde, që më pas të kesh luksin të shijosh etapën e radhës për t’iu përkushtuar më shumë familjes.