Ekskluzive: Prof. dr. Ruzhdi Ushaku zbërthen dy fraza enigmatike nga komedia “Zogjt “e Aristofanit

August 3, 2011   | Reportazh / Reportaža

Ekskluzive: Prof. dr. Ruzhdi Ushaku zbërthen dy fraza enigmatike nga komedia “Zogjt “e Aristofanit (1) – Shqipja si çelës

Nga Ruzhdi Ushaku

Në vend të hyrjes
Falë një mikut tim nga Parisi, mora një informatë frymëzuese për komedinë “Zogjt” të Aristofanit, ku midis tjerash figurojnë dy fraza enigmatike të shënuara në alfabetin grek, por të pakuptueshme dhe të pashpjegueshme me mjetet e gjuhës përkatëse dhe më gjerë. (Dardan Leka, një mik imi i hershëm me vendbanim në Paris, është një kërkues i zellshëm dhe i palodhshëm i dokumenteve, librave a shkrimeve të vjetra që lidhen me ilirët, përkatësisht shqiptarët në përgjithësi, veçanërisht me historinë, kulturën dhe gjuhën e tyre.

Pata kënaqësinë që para disa muajve të më dërgonte, bashkangjitur letrës së tij, një material frymëzues dhe interesant në lidhje me dy fraza enigmatike nga komedia “Zogjt“ e autorit grek Aristofani [shek. V p.e.s.]. Në këtë material, të bërë publik edhe në faqet e internetit [dardan leka dartre93@gmail yahoo.com], pasqyrohen edhe përpjekjet e tij dhe të disa lexuesve të tjerë për të kërkuar a gjetur ndonjë gjurmë iliro-shqiptare në frazat e cekura. I nxitur edhe nga zotëri dr. Remzi Përnaska, profesor në Sorbonë, mik dhe koleg imi i respektuar, zotëri Dardan Leka më ftoi me dashamirësi që të inkuadrohesha edhe unë për zbërthimin apo shpjegimin e këtyre frazave. Ishte ky një nderim i madh, por edhe sfidë, sprovë shumë e vështirë, delikate, me përgjegjësi shumë të madhe profesionale e shkencore, por edhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për kulturën, gjuhën e ilirëve-shqiptarëve, por edhe më gjerë.)

Nga materiali që më ra në dorë me këtërast, mësova se për komedinë e cekur, përkatësisht frazat në fjalë, kishte dhënë një sinjal, që në shek. XIX, studiuesi i mirënjohur danez Conrad Malte Brune, atëbotë shumë i interesuar për historinë e Shqipërisë, të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Meritat e këtij dijetari janë të pamohueshme edhe pse frazat në vështrim, të dala nga goja e personazhit Tribal, i quan si “aspak të mjaftueshme për të nxjerrë prej tyre konkluzione”. (Në materialin e përçuar në internet, zotëri D. Leka i referohet me korrektësi një burimi më të hershëm, ku dijetari danez, z. Conrad Malte Brune, i njohur për shkrimet e tij tejet të vlefshme për Shqipërinë, shqiptarët, që në shekullin XIX kishte dhënë një sinjal për ekzistimin e dy-tri frazave enigmatike, jogreke, në veprën e cekur të Aristofanit, të cilat, mjerisht, sipas njohurive që kemi deri më sot, nuk kanë qenë objekt vështrimi apo studimi më të përimtë apo më të stërhollë nga albanologët shqiptarë apo të huaj.)

Një sprovë kërkimore-studimore me përgjegjësi të duhur
Gjithnjë me mirënjohje edhe ndaj përpjekjevetë mikut tim dhe të disa të interesuarve të tjerë për zbërthimin eventual të frazave përmes shqipes, më nxiti kureshtja dhe obligimi profesional që edhe unë t’i rrekesha sadopak këtij problemi. Duke e parë a priori si çështje serioze, delikate, të vështirë, shumë të rëndësishme jo vetëm për filologjinë shqiptare, por edhe më gjerë, iu rreka një sprove kërkimore-studimore të mëtutjeshme me synim të analizave sa më të përimta dhe me përgjegjësi të duhur, duke mbajtur parasysh një qasje krahasuese filologjike-gjuhësore dhe jashtëgjuhësore interdisiplinare, përkatësisht multidisiplinare.

Si rrjedhim, gjithnjë duke mbajtur parasysh faktorët e jashtëm historikoshoqërorë etnogjeografikë, kulturorë, psikologjikë, pastaj sociolinguistikë, e kam parë të arsyeshme që analizën, zbërthimin dhe interpretimin e frazave në vështrim t’i kërkoj dhe gjej jo vetëm në shtresat formale gjuhësore, por edhe në lidhshmërinë dhe gërshetimin kompatibil me ato jashtëgjuhësore. (vijon)

Koha Javore

Ekskluzive: Prof. dr. Ruzhdi Ushaku zbërthen dy fraza enigmatike nga komedia “Zogjt “e Aristofanit (2)

Gjuha “barbare” e Tribalit, ilirishte standarde e kohës
Për kriter transkriptimi bazë kemi pasur parasysh faktin e mirënjohur se grafia nuk mund të pasqyrojë me besnikëri të plotë shqiptimin burimor –gojor, veçanërisht në rastet kur nisemi nga burimi i shkruar andaj edhe parimisht kemi theksuar transkriptimin “e dyfishtë” në vija të trasha.

Fraza e parë, siç u pa, dëshmohet si tërësisht e përngjitur dhe vështirëson zbërthimin në gjymtyrët përbërëse që mund të dalin në variante të shumta, ndërsa e dyta, edhe pse e ndarë në katër, përkatësisht dy gjymtyrë, në thelb ngërthen, sipas ndarjes së propozuar këtu, më shumë se katër gjymtyrë përbërëse: dëshmi kjo për dukurinë e vjetër të përngjitjes së gjymtyrëve që ndeshet jo vetëm në shqipen e folur, por edhe në atë të shkruar.

Në të mirë të diakronisë, rikujtojmë kompozitën antike të emërlumit të njohur si Barbanna {Bar+Banna} për Bunën e sotme dhe kompozita të shumta të shqipes, të shënuara nga shekulli XII e këtej si flokart, lulmal, burrëmadh, kambalesh (Për disa kompozita të këtij lloji, prej antikës e deri në shek. XII e këtej, shih e krahaso te R. Ushaku, Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Fakulteti i Filologjisë – UP Prishtinë, 2006), pastaj shprehjen ndeshtrasha nga Fjalori i Harfit (Për këtë dhe gjurmë të tjera të shqipes në diakroni, shih e krahaso R. Ushaku: Mbi disa trajta të dëshirores nga Meshari i Buzukut, në: Dija, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Ulqin, 2005, ff. 211-224) zemërmermuruomitë {për “zemërftohtët si mermeri”} te Budi, ato mitiko-legjendare shtojzovallet {eufemizëm}, syqenhanjeri {për “qiklopin kanibal”}, si dhe ato që gjallërojnë edhe sot të pranuara në shqipen standarde si lamtumirë, tungjatjeta, faleminderit, shpirtpangopur, sypatrembur me shumë të tjera në të folme e dia  kte të shqipes.

Sipas kësaj analize, gjymtyrët përbërëse të frazava në vështrim, dalin formalisht mjaft të konservuara, jo aq të ndryshueshme në nivelin morfofonetik apo gramatikor-semantik. Përveç disa arkaizmave të hetueshme, siç janë renditjet e gjymtyrëve, semantizmi dhe gramatikaliteti i tyre arkaik, gjurmët e të cilit shpien në i.e. apo më herët, ato në thelb, edhe nga aspekti historiko-shoqëror, dalin si fond leksikor themelor ku edhe si të izoluara pasqyrojnë jetën materiale dhe shpirtërore me një gramatikalitet konservativ. Rrafshi gramatikor i një gjuhe të vjetër, përgjithësisht ilire, në thelb nuk duhet ta dëmtojë mesazhin leksikor apo semantik, pavarësisht valencave homonimike të formës fleksionale dhe funksioneve ekuivoke sintaksore. Gjuha e frazave në vështrim shihet dhe ndjehet sadopak “standard” nga goja e “ambasadorit Tribal”, të dërguar nga zotat e barbarëve jogrekë që zinin vend në Olimp, krahas zotave helenë.

Sipas disa të dhënave të shënuara më lart dhe të tjerave që ndeshen për ilirët dhe Ilirinë tek autorët antikë grekë e romakë që u cekën në fillim, tribalët ishin fis barbar trak që përmenden në kontekstin historik dhe etnogjeografik të popullatave më të lashta të Ballkanit, përkatësisht Ilirëve në kuptimin më të gjerë të fjalës. (Shih e krahaso veprën e cituar më lart, Ilirët dhe Iliria… fq.7, 118, 195-196, 238, 274 passim). Gjuha e tyre në komunikimin më të mirë të gjerë ishte e afërt me ilirishten apo trakishten, kurse vetë Tribali, sipas të gjitha gjasave, i zgjedhur nga Aristofani, si personazh arketip i ilirëve kontinentalë autoktonë, kryesisht të përbuzur, si “të paqytetëruar”, “të paarsimuar sa duhet”, në krahasim me grekët.

Tribali si “barbar” fliste një gjuhë apo dialekt “barbar” dhe shërbehej me një greqishte të dobët e të çoroditur. Vetë greqishtja e tij e dobët, dhe frazat e ndërfutura, të panjohura dhe të pakuptueshme për greqishten, shpien drejt supozimit të kenë qenë të transkriptuara në mënyrë sa më besnike, sa më të përafërt, në alfabetin grek nga gojae një “barbari”, pra iliri, për hir të autenticitetit burimor, por edhe të efekteve komike si fraza të pakuptueshme për lexuesin apo publikun grek.

Së këndejmi gjuha “barbare” jogreke e Tribalit – prototip ilir, në komedinë në vështrim do të ketë qenë një ilirishte sadopak standarde për kohën, eventualisht ndonjë e folme trako-ilire, nga fakti se deri më sot nuk e kemi të njohur që dikush t’i ketë zbërthyer apo interpretuar këto fraza me mjete gjuhësore, apo relikte gjuhësore të ndonjë gjuhe a dialekti tjetër të Ballkanit të asaj kohe. Në këtë përpjekje për analizën dhe zbërthimin e dy frazave është mbajtur parasysh, në rend të parë, domosdoshmëria e qasjesgjuhësore-filologjike interdisiplinare, pa lënë anash faktorët jashtëgjuhësorë – multidisiplinarë, siç janë ato historikë, entogjeografikë, sociologjikë, psikologjikë të kohës. Le të mbetet kjo një sprovë dhe ndihmesë për shpjegimin sa më bindës, sa më të argumentuar të frazave në vështrim, shteg i hapur për verifikim a konfirmim, por edhe për ndonjë variant shpjegimi të pjesshëm apo të përgjithshëm, të argumentueshëm gjithnjë me mjetet e shqipes, të ndonjë gjuhe tjetër të asaj kohe e hapësire, apo të   likteve gjuhësore të popujve a etnoseve të vjetra të Ballkanit, përkatësisht të ilirëve a të trakasve.

Tash e tutje, deri të argumentohet e kundërta, të na lejohet që frazat në fjalë t’i konsiderojmë si dëshmitë më të vjetra të gjuhës ilire apo protoshqipe në formë të shkruar, me të cilat do të plotësohej një zbrazëti rreth 19 shekujsh para Formulës së Pagëzimit nga shekulli XV. (Fund)

Koha Javore

1