Eliza Dushku kërkon shtetësi shqiptare

August 8, 2011   | Lajmet / Vijesti

Aktorja e njohur me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, mbërriti dje në Shqipëri, kësaj here për t’u ndjerë tërësisht shqiptare.

E shoqëruar nga disa producentë dhe grupe xhirimi të disa televizioneve amerikane, Eliza Dushku tha para mediave shqiptare se do të promovojë imazhin e Shqipërisë. Ajo nuk e fshehu edhe një kërkesë të saj për të marrë shtetësinë shqiptare, të cilën e tregoi edhe përpara fotografëve.

Ajo u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku. Aktorja e mirënjohur u shpreh se do të udhëtojë në qytetet më të bukura shqiptare, si dhe veçanërisht në Korçë, nga është origjina e saj, një qytet që ajo nuk ka qenë asnjëherë në jetën e saj. “Po bashkëpunojmë me producentë nga “Lonely Planet” apo “Travel Channel”, sepse duam të përgatisim diçka që të tregojë se sa e mahnitshme është Shqipëria. Gjithashtu, s’kam pasur kurrë mundësi të shkoj në Korçë, nga e cila është babai im”, tha Dushku dhe më pas ajo firmosi kërkesën për të pasur pasaportë shqiptare, duke qenë kështu edhe zyrtarisht një shtetase shqiptare. Mësohet se pjesë e këtij prodhimi do të jenë edhe shqiptarët e tjerë të famshëm, Inva Mula e aktori Blerim Destani.

E pyetur nëse ky udhëtim do ta frymëzojë të bëjë një tjetër tatuazh me simbolet shqiptare, Eliza është përgjigjur duke thënë se tatuazhet nuk ia pëlqen i dashuri. “Dua shumë, por i dashuri im nuk është se i pëlqen, megjithatë nuk i dihet”.

Aktorja e njohur është takuar me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat Basha i ka propozuar asaj të jetë ambasadore nderi e Tiranës, në kuadër të promovimit të Shqipërisë në botë, ka raportuar BalkanWeb.

“Unë jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet në Tiranë dhe besoj se flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tranës, që e kemi pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi entuziastë për vizitë ne saj. Pavarësisht që do shërbejë për ta vendosur Tiranën fillimisht në hartën turistike të botës. Kam pasur nderin t’i propozoj sot dhe kënaqësinë që ajo pranoi, të jetë ambasadore nderi e Tiranës në botë e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin”, u shpreh Basha menjëherë pas takimit me aktoren.

Ndërsa aktorja ka bërë dhe njëherë me dije projektin e saj për të promovuar në botë turizmin shqiptar. “Shqipëria është vend turistik. Kam vizituar deri tani Tiranën dhe njerëzit këu janë shumë të mirë. Do filloj turin nga Korca për të promovuar turizmin shqiptar me anë të një dokumentari”, shtoi aktorja.

Dushku firmosi dje pas mbërritjes në aeroport kërkesën e saj për të pasur pasaportë shqiptare, per te qenë kështu edhe zyrtarisht një shtetase shqiptare.

Ndërsa aktorja Eliza Dushku u shpreh e kënaqur për këtë vizitë në Shqipëri dhe deklaroi se turin e saj do e fillojë nga qytetit i Korçës, ku do të paraqitet dokumentari për promovimin e turizmit për vendin. Më pas Dushku, do të vijojë vizitën e saj në qytete të tjera të Shqipërisë.

Aktorja Eliza Dushku ka lënë pas angazhimet kinematografike në Hollivud dhe është rikthyer në Shqipëri, në vendin e të parëve të saj, por kësaj here më një mision. Për 10 ditë me radhë, e shoqëruar nga një grup xhirimi amerikan, aktorja 31 vjeçare do të udhëtoj nëpër Shqipëri për të dokumentuar bukuritë dhe vlerat e vendit të origjinës që e përmend me krenari sa herë që i jepet rasti.

Bashkë me Elizën në realizimin e dokumentarit për Shqipërinë do të kontribuojnë dhe artistë të tjerë me famë botërore si soprano Inva Mula, fotografi Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani.

Eliza u lind më 30 dhjetor 1980 në Boston. Babai i saj është shqiptar nga Korça, ndërsa nëna daneze.

Panorama