Sinishtaj kërkon të inicohen negociata për Kodin zgjedhor

August 11, 2011   | Shtypi / Mediji

Podgoricë, 9 gusht – Kryetari i Klubit të partive parlamentare opozitare shqiptare, Vasel Sinishtaj, ka kërkuar ditën e martë nga presidentit malazias, Filip Vujanoviq që të inicojë negociata lidhur me miratimin e Kodit të ri zgjedhor.

“Dikush duhet t’u prijë negociatave edhe më i përshtatshmi do të ishte presidenti i shtetit, përkundër faktit se nuk e ka ngrirë postin në Partinë Demokratike të Socialistëve në pushtet, është nënkryetar i saj”, shprehet deputeti shqiptar, Vasel Sinishtaj, raporton KosovaLive.

Sipas fjalëve të Sinishtajt, për miratimin e ligjit të ri zgjedhor, para se gjithash, kërkohet vullneti i mirë i shumicës. Me këtë duhet të rregullohen të gjitha çështjet e garantuara me Kushtetutë.

“Nëse përfillet Kushtetuta malazeze në kategorinë, e aksionit afirmativ edhe të të drejtave të arritura, Klubi i partive opozitare parlamentare shqiptare është i gatshëm menjëherë, të nis bisedimet”,- premton Sinishtaj.

Kryetari i Klubit të deputetëve shqiptarë, Vasel Sinishtaj vlerëson se nëse Mali i Zi i pavarur nuk e ka hetuar gatishmërinë dhe përkushtimin e shqiptarëve, të cilët jetojnë në këtë shtet, atëherë është e tepërt të flitet se kush çfarë ka bërë.

KOHA NET